Vetingu ndaj ish-gjyqtares së dënuar Majlinda Andrea, ekspozon mosveprimin e ILD e KLGJ për shkarkimin e saj

21 Korrik 2025, 21:20Kronika TEMA
Vetingu ndaj ish-gjyqtares së dënuar Majlinda Andrea, ekspozon

Prokurori Klodian Braho që përfaqëson drejtuesin e SPAK në çështjen e vetingut të ish-gjyqtares së Gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea, të dënuar për korrupsion, vërejti se KLGJ gjendej ende në kushtet e mosveprimit lidhur me procedurën që duhej të ishte nisur për shkarkimin e ish-magjistrates dhe kërkoi që procedura e rivlerësimit të saj të mbyllet pa vendim përfundimtar.

Nga Edmond Hoxhaj

Çështja e vetingut për ish-gjyqtaren e Gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea ekspozoi mosveprimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGJ lidhur me statusin e saj pas dënimit me formë të prerë për korrupsion. Në seancën e të hënës më 14 korrik, prokurori Klodian Braho, i cili përfaqëson në këtë çështje drejtuesin e SPAK, Altin Dumani, deklaroi se ishte njohur me përgjigjen e KLGJ-së lidhur me statusin e Andreas, duke theksuar se institucioni i qeverisjes së gjyqësorit ishte ende në kushtet e mosveprimit pasi nuk e kishte përmbushur detyrimin për shkarkimin e saj.

Megjithatë, Braho tha se u qëndronin gjithë shkaqeve të ankimit, ndaj vendimarrjes së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që konstatoi se Inspektori i Lartë i Drejtësisë, ILD dhe KLGJ për gjashtë vjet radhazi nuk kishin ushtruar kompetencat e tyre për t’i hequr Andreas statusin e magjistratit. Për këtë arsye Komisioni vendosi shkarkimin e këtij subjekti rivlerësimit, duke vlerësuar se ishte një mënyrë për të zgjidhur përfundimisht statusin e saj të magjistratit.

Por, Komisioneri Publik, Florian Ballhysa e cilësoi të gabuar arsyetimin e Komisionit. Ai çmoi se ushtrimi nga ana e Komisionit i kompetencës kushtetuese të kryerjes së procesit të vetingut duke sjellë shkarkimin e magjistratit të dënuar, nuk mund dhe nuk duhet të zëvendësojë ardhjen e pasojës, për arsye të mosveprimit të ILD-së dhe KLGJ-së, të cilët Kushtetuta i detyron të veprojnë në rastin konkret.

Prokurori Braho kërkoi gjatë konkluzioneve përfundimtare të hënën që procedura e vetingut të Andreas të deklarohet e përfunduar pa një vendim përfundimtar, megjithëse ILD dhe KLGJ nuk e kanë përmbushur detyrimin kushtetues për të dhënë masën disiplinore të shkarkimit ndaj saj.

Ish-gjyqtarja Andrea nuk ishte e pranishme as në seancën e të hënës, megjithëse nga sa u deklarua prej Kolegjit, ajo kishte konfirmuar se kishte marrë dijeni për datën dhe orën që do të zhvillohej.

Pasi Kolegji vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor, u tërhoq për të marrë vendim që do të shpallet më datë 23 qershor, në orën 15:00.

2 Komente

  1. k
    kxp

    Rame e PS u dhjefsha drejtesine qe keni bere.

    Përgjigjjuni
    1. I
      I ikuri

      Sa e turpshme dhe e dhimbshme qe nje ikone e drejtesise te largohet ashtu si zonja e nderuar Andrea, pas pucit qe i bene. Dhe aq padrejtesisht u veprua ndaj saj, saqe institucionet nuk vepronin dot. Ai shtet atje ka marre fund qekurse zonja Andrea dhe ndonje tjeter pjesetar i sistemit u largua dhe sot sistemi ka degraduar aq shume sa njerezit nuk po kuptojne nese eshte me keq sot apo ishte me pare me keq. Sa keq , sa turp, sa neveri per c’ka po ndodh dhe cfare peitet te ndodhe me sistemin e ri te “ drejtesise”.

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje