Vodhi 15 mijë euro në banesën e mjekut të QSUT-së, lihet në burg 38-vjeçari: S’i kam vjedhur unë, atë ditë kam qenë vërdallë

31 Gusht 2024, 13:17Kronika TEMA
Vodhi 15 mijë euro në banesën e mjekut të QSUT-së,

Olsi Bibollarit, i cili më 25 gusht vodhi 15 mijë euro në banesën e mjekut të QSUT,  Eqerem Hasani, i është caktuar masën e arrestit për 30 ditë.


Para trupit gjykues në seancën e caktimit të masës së sigurisë në Gjykatën e Tiranës, 38- vjeçari, i cili është edhe pronar i një restoranti dhe aksioner në një bar kafe në Tiranë, ka pretenduar se nuk është autor i vjedhjes së 15 mijë eurove.

I pyetur nga gjykata nëse ka një alibi se ku ka qenë në kohën që dyshohet se është kryer grabitja, Bibollari është shprehur se nuk e mbante mend dhe duhej të kujtohej, por deklaroi se ishte nëpër Tiranë.

“Nuk i kam vjedhur paratë, atë ditë kam qenë vërdallë, nuk më kujtohet”, mësohet të ketë thënë ai.

Sakaq, pritet të bëhet akt-ekspertimi për të mbledhur prova të tjera hetimore që do t'i vijnë në ndihmë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

38-vjeçari Olsi Bibollari u arrestua më 29 gusht nga policia, pasi një mjek i QSUT me të cilin kishte edhe miqësi i ka dhënë 50 mijë euro borxh autorit të vjedhjes, procedurë që e kanë mbyllur me dokumentacion në noteri.

Por, pasi janë takuar doktori ka harruar çelësinë e apartamentit në makinën e Bibollarit, të cilin ky i fundit e ka marrë dhe ka shkuar në shtëpinë e mjekut, në lagjen 'Komuna e Parisit' e ka hapur dhe ka marrë 15 mijë euro.

Denoncimin e ka bërë vetë doktori në polici dhe pasi kanë hapur kamerat dhe provat e tjera është identifikuar se autor i vjedhjes është Olsi Bibollari.

Lini një Përgjigje