Hollywoodi ka humbur magjinë e tij”, regjizori i njohur shpërthen me kritika ndaj industrisë së filmit

4 Qershor 2026, 17:03Lifestyle TEMA
Hollywoodi ka humbur magjinë e tij”, regjizori i njohur

Regjisori i njohur Quentin Tarantino ka kritikuar ashpër industrinë moderne të filmit, duke deklaruar se shumica e produksioneve të sotme të Hollywoodit nuk arrijnë më të ofrojnë magjinë që dikur e bënte kinemanë të veçantë.

Në një intervistë për revistën Sight & Sound, krijuesi i filmave ikonë si Pulp Fiction dhe Kill Bill pranoi se e ka gjithnjë e më të vështirë të shijojë filmat e rinj pa vënë re menjëherë dobësitë e tyre.

Sipas Tarantinos, skenarët e dobët, përzgjedhja e gabuar e aktorëve, përpjekjet për t’iu përshtatur me çdo kusht publikut dhe mungesa e origjinalitetit kanë ndikuar negativisht në cilësinë e filmave që prodhohen sot.

“Të metat, pamundësia, lajkat ndaj publikut, aktorët e zgjedhur keq ose thjesht budallallëku zakonisht e shkatërrojnë çdo film të ri që del nga fabrika pa shije që dikur quhej Hollywood”, u shpreh ai.

Megjithëse kritik ndaj industrisë, Tarantino pranoi se disa filma të viteve të fundit i kanë lënë përshtypje pozitive, mes tyre West Side Story dhe Horizon: An American Saga. Megjithatë, ai tha se asnjëri nuk i ka rikthyer emocionet që përjetonte dikur si adhurues i kinemasë, duke shtuar se sot preferon më shpesh të lexojë libra sesa të shohë filma.

Një projekt që ka arritur t’i tërheqë vëmendjen është drama kriminale The Rip, me regji të Joe Carnahan dhe me protagonistë Ben Affleck dhe Matt Damon.

Filmi rrëfen historinë e dy oficerëve të policisë në Miami-Dade, të cilët zbulojnë një skemë korrupsioni të lidhur me miliona dollarë të një karteli droge. Në kast bëjnë pjesë edhe Steven Yeun, Teyana Taylor, Sasha Calle dhe Kyle Chandler.

Tarantino nuk i kurseu vlerësimet për këtë projekt, duke e cilësuar si një thriller që e mbajti në tension nga fillimi deri në fund.

“Më pëlqeu gjithçka te ky film, nga regjia dhe interpretimet deri te pamja vizuale. Por elementi më i fortë është skenari i shkëlqyer”, deklaroi ai.

Ndërkohë, regjisori po punon aktualisht në shfaqjen teatrore The Popinjay Cavalier, e cila pritet të ketë premierën botërore në West End të Londrës në vitin 2027.

Sa i përket karrierës së tij në kinema, Tarantino vazhdon të mbajë sekret projektin që pritet të jetë filmi i tij i dhjetë dhe i fundit, përpara se t’i japë fund karrierës si regjisor filmash.

1 Komente

  1. a
    american23al

    Kontribut per kete rrenim te industrise ke dhe ti zoteri qe ju bashkove levizjeve liberale dhe tani qe po shikon rezultatin po na bene avokatin, lafarak majtist…..hipokrit…

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje