Aktori Belmont Cameli dhuron veshkën dhe ndihmon në shpëtimin e shtatë jetëve

4 Qershor 2026, 11:35Lifestyle TEMA
Aktori Belmont Cameli dhuron veshkën dhe ndihmon në shpëtimin e

Aktori Belmont Cameli, i njohur si një nga yjet e serialit “Off Campus” në Prime Video, ka ndarë me publikun një histori të pazakontë humanizmi, pasi ka dhuruar një veshkë dhe, përmes një zinxhiri transplantimesh, ka kontribuar në shpëtimin e shtatë jetëve.

Gjithçka nisi në vitin 2018, kur Cameli mësoi se një mik i tij i fëmijërisë, Brendan Flaherty, kishte nevojë urgjente për një veshkë të re. Edhe pse aktori nuk ishte dhurues i përshtatshëm për të, ai vendosi të mos tërhiqej dhe pranoi të bëhej pjesë e një programi të quajtur shkëmbim i kryqëzuar i organeve (paired kidney exchange), ku dhuruesit që nuk janë kompatibilë me personin e tyre, dhurojnë për një tjetër pacient të përshtatshëm, duke e çuar procesin përpara deri sa edhe personi i afërt të marrë organin e duhur.

Veshka e Camelit i shkoi Clotilde Ruiz, ndërsa vendimi i tij hapi një zinxhir të gjerë transplantimesh, ku u përfshinë 14 persona – pra shtatë çifte të papërshtatshme (pacient + dhurues). Çdo dhurues i dha veshkën një pacienti me të cilin përputhej, duke rezultuar në shtatë transplantime të suksesshme. Zinxhiri vazhdoi derisa, në fund, edhe Flaherty mori organin e nevojshëm nga një dhurues i panjohur.

Cameli foli për këtë përvojë përmes rrjeteve sociale, ku publikoi edhe foto nga spitali, duke theksuar se kriza e transplantimeve është e madhe.

“Çdo ditë 20 njerëz vdesin duke pritur një transplantim të veshkës. Personat në listën e pritjes kalojnë mesatarisht tre vjet e gjysmë derisa të marrin transplantin dhe kjo vetëm nëse janë me fat,” shkroi ai.

Aktori theksoi se shumica e njerëzve kanë dy veshkë të shëndetshme, ndërsa mijëra të tjerë luftojnë çdo ditë me vetëm një veshkë që po u dështojnë funksionet.

“Fakti është se shumica prej nesh kemi dy veshkë të shëndetshme, ndërsa mijëra njerëz ditë pas dite luftojnë me vetëm një veshkë që po u dështojnë funksionet. Unë u bekova me mundësinë dhe privilegjin për të shpëtuar një jetë,” u shpreh ai.

Cameli bëri të ditur gjithashtu se, pas gjashtë vitesh pritje, miku i tij Brendan më në fund e mori organin që e kishte pritur për kaq gjatë, ndërsa Clotilde, të cilën ai e quajti “mike e re”, do të nisë një kapitull të ri me një veshkë të shëndetshme.

Në fund, ai e përmbylli rrëfimin duke thënë se dhimbja do t’i kalojë dhe plagët do të zbehen, por ndjenja që i la kjo përvojë do të mbetet përgjithmonë.

“Së shpejti dhimbja do të zhduket dhe shenjat do të zbehen, por dashuria në zemrën time nga kjo përvojë do të mbetet përgjithmonë”, shkroi aktori./ People

Lini një Përgjigje