Vrasja e Ardian Nikulajt: Krimet e Rënda ‘zbarkojnë’ në Lezhë, marrin në pyetje portugezin Ruben Saraiva

17 Janar 2024, 12:34Kronika TEMA
Vrasja e Ardian Nikulajt: Krimet e Rënda ‘zbarkojnë’

Ekspert të Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit, zbarkuan këtë të mërkure në Lezhë. Ata morën në pyetje 28-vjeçarin Ruben Saraiva, i vënë në akuzë për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj, me 19 prill të vitit 2023 në Shëngjin.


Nën masa të rrepta sigurie, 28-vjeçari Portugez u shoqërua nga burgu i Reçit në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë. Pasi është njohur me dosjen hetimore dhe provat që e implikojnë në vrasje, në prani të mbrojtësit ligjor të caktuar nga shteti, Ruben Saraiva u pyet me detaje në lidhje me vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj.

Ende nuk ka detaje mbi deklarimet e tij para oficereve të krimeve të rënda, por sipas burimeve zyrtare ka mbajtur qëndrim mohues në lidhje me akuzat e ngritura ndaj tij, ashtu siç dhe ka deklaruar gjatë seancës gjyqësore për rivlerësimin e masës së sigurisë që i mbajt me 2 janar në Gjykatën e Lezhës.

Portugezi Ruben Saraiva u ekstradua në Shqipëri me 31-dhjetor të vitit 2023, pas vendimit të Gjykatës së Marokut e cila pranoi kërkesën e autoriteteve shqiptare.

Po për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin janë arrestuar në Angli 3 shtetas britanikë dhe Edmond Haxhia i dyshuar si porositës i këtij krimi. Edhe për këta të fundit autoritetet shqiptare kanë dërguar kërkesë për ekstradimin e tyre nga Britania në Shqipëri, por ende nuk ka një vendim.

Vrasja e biznesmenit Ardian Nikulaj ishte në vazhdën e zinxhirit të hakmarrjes që familja e viktimës kanë me një fis tjetër, konflikt ky që ndër vite ka prodhuar shumë viktima.

Lini një Përgjigje