Korrupsioni dhe pastrimi i parave vijojnë të mbeten ndër sfidat më të mëdha për Shqipërinë, duke kërkuar angazhim të vazhdueshëm institucional dhe bashkëpunim ndërkombëtar.
Në këtë kuadër, Zvicra, në partneritet me Këshillin e Evropës, ka nisur një mbështetje të re për forcimin e kapaciteteve të institucioneve shqiptare në luftën kundër këtyre fenomeneve dhe në përmirësimin e sundimit të ligjit.
Ambasada e Zvicrës në Tiranë bëri me dije se kjo mbështetje do të fokusohet tek Agjencia e Inteligjencës Financiare, Zyra e Menaxhimit të Pasurive dhe Zyra e sapokrijuar e Rimëkëmbjes së Pasurive, duke i pajisur këto institucione me mjete dhe ekspertizë për të rritur efektivitetin e tyre.
Në njoftimin e ambasadës zvicerane theksohet se dy iniciativa të reja të nisura sot do të synojnë përpjekjet kundër korrupsionit në sektorin publik dhe luftën kundër pastrimit të parave. Këto programe janë të financuara përkatësisht nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO).
Ambasadorja zvicerane në Shqipëri, Ruth Huber, nënvizoi rëndësinë e këtij angazhimi të përbashkët.
“Luftimi i korrupsionit duhet të jetë një përparësi politike, ekonomike dhe shoqërore, dhe një qëllim i përbashkët me të cilin angazhohemi të gjithë,” tha ajo, duke theksuar se mbështetja e Zvicrës synon të ndihmojë Shqipërinë në forcimin e institucioneve dhe në rritjen e besimit të qytetarëve tek sundimi i ligjit.
Kur tall menderen Zvicera, qendra e pastrimit te parave.