Regjisorja Driada Dervishi vë në skenën e teatrit “Bylis” në Fier dramatizimin nga romani i Anisa Markarianit.
Romani 400-faqësh u përkthye në një shfaqje prej 1 orë e 20 minutash, që përshkruan 15 ditët e festimeve të ditëlindjes së diktatorit gjatë mbretërimit të tij simbolik “as i gjallë, as i vdekur”.
12 aktorë morën pjesë në këtë produksion, duke interpretuar secili nga tri deri në pesë role, në një ndërthurje të fuqishme mes dramës, groteskut dhe humorit.
“’15 ditë prilli’ është një pjesë që nuk të lë indiferent, por të përfshin. Vërtet janë 15 ditë, por në fakt janë 50 vite histori të Shqipërisë,” tha regjisorja Dervishi.
Shfaqja solli në skenë një periudhë dyjavore ngjarjesh, duke paraqitur realitetin e vështirë të njerëzve që mbijetonin nën një regjim shkatërrues, transmeton RTSH.
“Ne vazhdojmë të kujtojmë të kaluarën tonë dhe duhet ta kujtojmë të mësojmë si të mos gabojmë më,” u shpreh aktorja Mimoza Marjanaku.
“Në pesë rolet e mia, pesë karaktere, ishte goxha e vështirë, sepse koha për të hyrë nga njëri karakter në tjetrin është jashtëzakonisht e shkurtër. Besoj që ia kam dalë,” tha aktorja Adelina Muça.
Publiku në Fier e priti me shumë emocion. Është një histori që i përket të gjithëve, një reflektim mbi të kaluarën.
“Ne vijmë mbas tre muajsh pauzë. Ishte një emocion i veçantë. Shumë i kënaqur dhe shumë falënderues publikut të Fierit, që na ka pritur jashtëzakonisht shumë mirë,” tha aktori Amos Zaharia.
“Ishte pjesë e vështirë, sepse të gjithë aktorët kanë bërë nga tre-katër role. Domethënë të kalosh nga një figurë te tjetra brenda një shfaqjeje nuk është gjë e thjeshtë,” tregoi aktorja Yllka Mujo.
Në shfaqje interpretuan Yllka Mujo, Hervin Çuli, Alesia Xhemalaj, Romir Zalla, Suela Bako, Mimoza Marjanaku, Amos Zaharia, Adelina Muça, Xhuliano Brisku, Aleksandër Seitaj, Sanie Hoti, Jaho Guma. Muzika e shfaqjes mban firmën e Rona Kastriotit, ndërsa skenografia është realizuar nga Beqo Nanaj.
“15 ditë prilli” është më shumë se një shfaqje – është një përballje me historinë, përmes një forme artistike që sfidon kujtesën kolektive.
Lini një Përgjigje