Që prej 2014, i është shtuar listës së muzeve në Qytetin e gurtë. Ky është tuneli i luftës së ftohtë i ndërtuar në vitet 1970 -1980, me funksion strehimin e ish udhëheqjes së asaj kohe në rast të ndonjë sulmi të mundshëm ushtarak.
Për shkak të vendndodhjes në zonën muzeale, por edhe historisë që mbart, është kthyer në një nga objektet që tërheq më së shumti vëmendjen e vizitorëve të huaj.
“Jam nga Holanda dhe kam dëgjuar për Enver Hoxhën, por nuk e kemi ditur kurrë se çfarë ka bërë saktësisht në Shqipëri. Jam shumë e impresionuar dhe mendoj se ky bunker lë pa fjalë të gjithë ata që janë duke e vizituar për herë të parë”, u shpreh një turiste.
Ndërsa shprehen me vlerësimet më të mira për mikpritjen, njerëzit, panoramën e gjithçka tjetër që ofron qyteti i gurtë, vizitën në këtë muze e veçojnë, jo vetëm për detajet e ndërtimit, por edhe për atë që përcjell përmes objekteve të ekspozuara në të, transmeton rtsh.
“Mbi të gjitha dua të vlerësoj vizitën time në këtë bunker sot, i cili është kthyer në muze, çdo detaj i këtij tuneli apo qëllimi për të cilin ai është ndërtuar të ngjall shumë kureshtje”, tha një tjetër vizitor.
Gjatë muajit maj, muzeu i Luftës së Ftohtë ka pritur rreth 1400 vizitorë, 80% prej të cilëve të huaj.
Lini një Përgjigje