2 Korrik 1990/ "Të degjeneruar", "vjedhës" e "aventurierë", 'huliganë të dënuar disa herë", kush ishin guximtarët...

2 Korrik 2025, 09:22Kulturë TEMA

Më 2 korrik 1990, mijëra qytetarë shpërthyen portat e ambasadave perëndimore në Tiranë, duke kërkuar liri dhe një të ardhme jashtë regjimit shtypës. Kjo ngjarje shënoi aktin më të guximshëm të revoltës publike ndaj diktaturës komuniste dhe paralajmëroi fundin e një epoke.

Sipas dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit, afro 4.795 qytetarë hynë në ambasada dhe rreth 3.163 do të largoheshin drejt Gjermanisë Perëndimore. Për Sigurimin, kjo valë u cilësua si një “grupim njerëzish me pakënaqësi politike”, që duhej trajtuar si rrezik për rendin dhe sistemin.
“Ky është veprim i kryer nga një masë njerëzish me pakënaqësi politike e me pikëpamje kundër pushtetit popullor, njerëz të degjeneruar vjedhës e aventurierë, huliganë e vagabondë që janë dënuar disa herë, njerëz të papunë e me mendimin për tu punësuar jashtë shtetit, njerëz të pakënaqur nga të ardhurat ekonomike, të rinj të paformuar e të gënjyer nga shokët e tyre si dhe njerëz që kanë të afërm dhe të njohur jashtë shtetit”.

Në dokumentet sekrete të dosje , theksohet frika e pushtetit komunist se kjo masë njerëzish do të shndërrohej në kontingjent armiqësor, që do të përdorej nga kundërshtarët politikë për të goditur regjimin.

Dosjet mbi ambasadat përmbajnë: lista emërore të refugjatëve, klasifikime ideologjike, të dhëna për ndjekje brenda e jashtë vendit, si dhe pasqyrojnë dhe frikën e Sigurimit nga organizime politike jashtë Shqipërisë.

"Në Shqipëri ata kanë njerëzit e tyre, familjet, farefisin dhe shokët që në tërësi bëhen me dhjetra mijëra persona. Edhe në këtë rast duhet evituar që përmes tyre, armiku i jashtëm apo i brendshëm, të gjejë një shtresë apo grupe të favorshme penetrimi e veprimtarie kundër popullit e atdheut tonë."

2 Korrik 1990/ "Të degjeneruar", "vjedhës" e2 Korrik 1990/ "Të degjeneruar", "vjedhës" e

Nga Fondi arkivor i Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944÷1991, Dosje Objekti nr.206, 335 flete.

Refugjatët shqiptarë u ndoqën nga Sigurimi edhe në kampet jashtë vendit

- Planifikohet sigurimi i filmimeve dhe infiltrimi i agjenteve për t’i ndjekur refugjatët edhe jashtë kufijve.

Edhe pse regjimi komunist shqiptar po shembej, Sigurimi i Shtetit vijonte të funksiononte me të njëjtin mekanizëm frikësimi, ndjekjeje dhe infiltrimi. Dokumentet arkivore të 25 korrikut 1990 tregojnë se regjimi e konsideronte krizën e ambasadave si një kërcënim të madh dhe ndërmori masa të menjëhershme për ndjekjen e qytetarëve të larguar, veçanërisht në Gjermaninë Perëndimore.

Plani

Kontrolli mbi refugjatët jashtë vendit indetifikohet përmes një plan veprimi ku synonte:
• Kontrollin e refugjatëve përmes kartotekave të Drejtorisë së Tretë dhe të Parë.
• Aktivizimin e agjentëve jashtë vendit për mbikëqyrje dhe informim.
• Shfrytëzimin e lidhjeve të legalizuara e ilegale për të mbledhur të dhëna për vendndodhjen, qëndrimin, deklaratat dhe kontaktet e refugjatëve.
Agjentë të infiltruar dhe urdhra të detajuar
Agjentët me pseudonimet “6761”, “6759” dhe “1472” u aktivizuan për të:
• Mësuar rreth trajtimit që autoritetet gjermane po u bënin refugjatëve,
• Identifikuar tendencat për krijimin e partive politike,
• Evidentuar elementët e armiqësuar dhe intelektualët që mund të shfrytëzoheshin,
• Gjetur lidhje të mundshme me shërbimet e huaja të zbulimit.
Kamera të fshehta
Një prej urdhrave në dokument kërkonte edhe:
“Qoftë edhe duke paguar diçka, të siguroni filmimin e refugjatëve në kampe, kushtet e punës dhe të jetesës, duke theksuar anën negative të problemit.”
Si dhe • Aktivizimi i “miqve të Shqipërisë”, përfshirë kosovarë e simpatizantë të regjimit për të ushtruar presion mbi refugjatët.
• Ndjekja e figurave të emigracionit të vjetër si Leka Zogu, Zef Camaj, Ndue Gjokmarkaj etj., për të mësuar mbi interesat dhe kontaktet e tyre me të ikurit.
Një luftë e vazhdueshme ndaj të ikurve
Plani i Sigurimit nuk ndalej te ndjekja. Ai synonte:
• Kontrollin e çdo përpjekjeje për organizim politik në diasporë.
• Zbulimin e “nxitësve dhe organizatorëve” të 2 korrikut.
• Ndikimin mbi kampet e refugjatëve dhe rekrutimin e elementëve për interesa të Sigurimit.
Dokumentet e korrikut 1990 janë një dëshmi e qartë se kontrolli i regjimit nuk mbaronte në kufi. Edhe pas arratisjes, shqiptarët mbeteshin objekt i ndjekjes, manipulimit dhe frikësimit të organizuar nga një sistem që refuzonte të rrëzohej në heshtje.

2 Korrik 1990/ "Të degjeneruar", "vjedhës" e

Fondi arkivor, dosje 206 "Mbi hyrjet në ambasadën Gjermane". Fotot nga ekspozita e Ambasada Gjermane Tiranë në vitit korrik të vitit 2020 në kujtim të eksodit të 2 - 12 korrrik.

1 Komente

  1. R
    Rezi

    Mund t’i identifikoni ku janë këta njerëz? Sa prej tyre vazhduan të ishin keqbërës, ndonëse u pajisën me dokumenta menjëherë në vëndet ku shkuan? Mund të na thoni se kush i orientoi të futeshin ambasada? Ata të gjithë morën pashaporta, pa ikën, ndryshe do qelbeshin ambasadat.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje