7 Marsi dhe "Ad infintum" e Sadik Bejkos

6 Mars 2026, 15:05Kulturë TEMA

-Këndvështrim për librin “Ad infinitum” të Sadik Bejko

 

7 Marsi dhe "Ad infintum" e Sadik Bejkos
 
Nga Feti ZENELI
 
Në kalendarin e kujtesës sonë kombëtare, 7 Marsi - Dita e Mësuesit - nuk është thjesht një datë festive, por një akt ndërgjegjësimi për rolin e dijes në formimin e njeriut dhe të shoqërisë. Sivjet, shoqata atdhetare-kulturore “Tafil Buzi” ka zgjedhur ta përkujtojë këtë ditë ndryshe: jo vetëm me fjalë mirënjohjeje, por dhe me një takim të gjallë e të veçant me librin, me mendimin, me dialogun intelektual. Ftesa drejtuar mësuesve dhe ish-mësuesve të zonës së Buzit për t’u bërë pjesë e festës nëëprmjet promovimit të librave më të fundit të Sadik Bejko-s është një gjest simbolik dhe domethënës. Sepse libri, në fund të fundit, është mjeti themelor i mësuesit; ndërsa mësuesi, ura e përhershme midis brezave.
Publicisti Edison Ypi e ka cilësuar Sadik Bejkon si “poetin drithërues, studiuesin rigoroz, pedagogun perfeksionist e bashkëbiseduesin e këndshëm”. Ky përkufizim katërfishor i identitetit të tij krijues dhe akademik nuk është thjesht një epitet lavdërues, por një përmbledhje e një përvoje të gjatë në shërbim të letërsisë dhe të arsimit shqiptar, ku krijimtaria dhe pedagogjia ndërthuren natyrshëm. Vepra e tij artistike është e larmishme; e shtrirë në poezi, prozë, studime, ese, kritikë letrare, etj. Ajo mund të lexohet nga shumë këndvështrime dhe është analizuar ndër vite nga studiues kompetent të fushës. Por në këtë auditor, të përbërë nga mësues,  përfaqësues të tjerë të shoqatës e të ftuar, ndoshta është më e përshtatshme dhe më domethënëse, që ta ndalim vështrimin tek libri i tij më i fundit, “Ad infinitum”.
Që në titull, libri sugjeron një horizont të hapur: “ad infinitum” - deri në pafundësi. Kjo fjalë latine nuk është zgjedhur rastësisht. Ajo përmban brenda vetes idenë e vazhdimësisë, të thellimit të pambarimtë të kuptimit, të një kërkimi që nuk mbyllet kurrë në një përfundim të vetëm. Pikërisht ky duket të jetë edhe boshti i veprës: leximi si proces i hapur, si udhëtim i mendjes drejt shtresave gjithnjë e më të thella të tekstit. Në këtë pikë, vjen ndër mend thënia e filozofit grek Sokrati: “E di që s’di asgjë.” Kjo nuk është shenjë padijeje, por pikënisja e kërkimit të vërtetë. Edhe “Ad infinitum” ndërtohet mbi këtë etikë të dijes: leximi si proces i hapur, si përpjekje e pandërprerë për të depërtuar në shtresat e tekstit.
Prof. Dr. Bardhosh Gaçe ka folur me kompetencë të plotë për këtë vepër studimore dhe eseistike, duke vënë në dukje përzgjedhjen e qëlluar dhe emblematike të profileve e çështjeve që trajtohen. Sipas tij, libri i afron një mendjeje hulumtuese mundësinë për perceptime simboliko-psikoanalitike, për ide dhe opinione që mbështeten mbi fondamente të rëndësishme të kulturave dhe të veprave të shkruara herët, por të lexuara ndryshe nëpër kohë. Diversiteti i leximeve, në fakt, përbën një nga profilet më të spikatura të eseve të Sadik Bejkos, duke e vendosur librin në një dialog të drejtpërdrejtë me estetikën dhe ontologjinë bashkëkohore të leximit. Pikërisht ky është dhe thelbi i kulturës modern, ku çdo tekst i madh përbën një univers që duhet lexuar ndryshe nga breza të ndryshëm.
Por për ne, kjo ngjarje ka edhe një dimension tjetër, më të ngrohtë e më të afërt. Sadik Bejko nuk është thjesht një autor i njohur dhe potent i letrave shqipe; ai është bir i kësaj treve, me origjinë nga zona e Buzit, nga fshati Komar. Kjo e bën praninë e tij mes nesh jo vetëm një takim me një figurë të shquar të artit dhe kulturës, por një rikthim në gjirin e vendlindjes. Ai është jo vetëm mes kolegësh, por mes vëllezërve të tij; jo vetëm si studiues e poet, por si një prej nesh, që ka marrë nga kjo tokë fillesat e para të formimit shpirtëror. Në këtë kuptim, promovimi i çdo libri të tij në një mjedis të tillë merr një domethënie edhe më të thellë: është një dialog midis “Rrënjëve” (Libri i parë poetik i autorit) dhe kurorës “Ad infinitum” të dijes.
Në këtë kuptim, libri i Sadik Bejkos mund të shihet si një ftesë për ta kuptuar leximin jo si riprodhim informacioni, por si akt krijues. Siç shprehej shkrimtari dhe mendimtari francez Albert Kamy: “Shkolla na mëson të lexojmë, por jeta na mëson të kuptojmë.” Mësuesi i mirë i bashkon të dyja: aftësinë teknike të leximit me thellësinë e kuptimit. “Ad Infinitum” pikërisht këtë synon - ta çojë leximin drejt një përvoje ekzistenciale e intelektuale njëherazi.

7 Marsi dhe "Ad infintum" e Sadik Bejkos
Duke e shfletuar këtë botim elitar, ne mund ta shohim Sadik Bejkon jo vetëm si studiues, por si mësues në kuptimin më të plotë të fjalës: si “Mësues i merituar”, si pedagog universitetesh brenda dhe jashtë vendit, si doktor i shkencave letrare, por mbi të gjitha si formues i brezave të rinj. Metoda e tij - e mbështetur në rigorozitetin shkencor, ndjeshmërinë estetike dhe dialogun e hapur me traditën - është model për çdo arsimtar që synon t’u ofrojë nxënësve dhe studentëve dije të thella e të qëndrueshme, me qëllim që të ndërtojë tek ata mendimin kritik.
Kësisoj kujtojmë edhe fjalët e pedagogut brazilian Paulo Freire, se: “Arsimi nuk ndryshon botën; arsimi ndryshon njerëzit, dhe njerëzit ndryshojnë botën.” Nëse e lexojmë “Ad Infinitum” me këtë sy, kuptojmë se libri nuk është vetëm analizë tekstesh, por një ushtrim i mendimit të lirë. Ai formon individë që dinë të pyesin, të argumentojnë, të vënë në diskutim - dhe pikërisht këta individë janë themeli i një shoqërie të shëndetshme.
Në një kohë kur informacioni është i bollshëm, por shpesh sipërfaqësor, sfida e arsimit është të shkojë përtej faktit, drejt kuptimit. Filozofi gjerman Emanuel Kant do të thoshte: “Guxo të mendosh!”. Kjo thirrje e Iluminizmit është ende aktuale. “Ad Infinitum” na nxit pikërisht këtë guxim: të mos mjaftohemi me leximin dhe kuptimin e parë, por të depërtojmë më thellë, të kërkojmë, të mos e ndërpresim kurrë procesin e të nxënit.
Prandaj, përkujtimi i 7 Marsit përmes promovimit të këtij libri merr një domethënie të veçantë. Ai lidh figurën e mësuesit me idenë e kërkimit të pandërprerë, me përkushtimin ndaj dijes që nuk mbaron kurrë. Dijet që u serviren nxënësve dhe studentëve nuk duhet të jenë informacione kalimtare, por horizonte që hapen “ad infinitum”, drejt një mendimi të lirë, të thellë dhe krijues.
Në fund, mbase mund të kujtojmë edhe fjalët e shkrimtarit rus Leon Tolstoi: “E vetmja dije e vërtetë është të dish se sa pak di.” Kjo ndjesi përulësie intelektuale është pikënisja e çdo mësuesi të madh. Dhe në këtë frymë, figura e Sadik Bejkos, si poet, studiues e pedagog, shfaqet si shembull i një intelektuali që e jeton dijen si proces të pafund.
Kështu, në këtë 7 Mars, duke nderuar mësuesin, ne nderojmë edhe librin, mendimin dhe kërkimin e pandërprerë. Sepse mësuesia, ashtu si leximi i thellë që sugjeron “Ad infinitum”, është një dialog që vazhdon përtej klasës, përtej librave, përtej kohës - një udhëtim i mendjes dhe i shpirtit drejt pafundësisë.

1 Komente

  1. Z
    Zenel Baboci

    Respekte profesor Sadikut

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje