80 mijë vizitorë në Kalanë e Shkodrës, në gjysmën e parë të vitit

2 Korrik 2025, 13:49Kulturë TEMA
80 mijë vizitorë në Kalanë e Shkodrës, në

Kalaja e Rozafës, simbol i qytetit të Shkodrës dhe krenaria e trashëgimisë sonë kulturore, ka mikpritur rreth 80 mijë vizitorë gjatë periudhës janar–qershor 2025.

Statistikat u bënë publike sot nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër, sipas së cilës kjo shifër përfaqëson një rritje domethënëse krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke e bërë Parkun Arkeologjik Shkodër një nga më të vizituarit në rang kombëtar.

“Ky nuk është thjesht një numër, por një dëshmi e dashurisë për historinë dhe trashëgiminë”, shkruan DRTK Shkodër në rrjetet sociale, duke shtuar edhe ftesën për të gjithë ata që ende nuk e kanë vizituar këtë kala.

Kalaja e Rozafës të mundëson një pamje 360° që të lë pa fjalë, ndërkohë që përjeton historinë e lashtë të këtij vendi.

Kalaja ka një pozicion të fuqishëm strategjik duke kontrolluar të gjithë territorin e gjerë përreth. Ajo përbëhet prej tre oborreve kryesore që janë në formë të shkallëve duke u ngritur njëri pas tjetrit, ku dhe ndahen me porta në mes tyre. Një strukturë e tillë e bën më të thjeshtë orientimin e turistëve në hapësirat e objektit, shkruan atsh.

Hyrja kryesore është nga verilindja dhe nga aty futesh në oborrin e parë. Në këto hapësira ka një kullë cilindrike, një depo si dhe një godinë trekatëshe të kohëve venedikase. Kurse në oborrin e dytë gjendet Xhamia e Fatihut, burgu dhe depoja.

Në “Udhëpërshkrimet” e njohura të kronikanit turk Evlia Çelebiu, përshkruhet Kalaja e Shkodrës, ku ndër të tjera përmendet se brenda saj nuk ka dyqane, ka vetëm 100 banesa ushtarësh si dhe depo për grurë e municione.

Muzeu i Rozafës është i vendosur në oborrin e tretë të Kalasë, në godinën veneciane të njohur me emrin “Kapitaneria”. Këtu është skalitur e kaluara rreth 4000-vjeçare e Kalasë dhe e familjeve më në zë të vendit prej periudhave të ndryshme kohore.

Turistët e shumtë shqiptarë dhe të huaj që e vizitojnë këtë objekt informohen në gjuhën shqipe dhe atë angleze.

1 Komente

  1. s
    socialisti i vertete

    KJO ESHTE MERITE E UDHEHEQJES VIZIONARE TE RAMES. a MUND TE IMAGJINOHEJ GJITHE KY BUM TURISTIK NE KOHEN E QOFTELARGUT BERISHA. aSNJE TURIST NUK DO VINTE PO TE ISHTE NE PUSHTET PD DHE BERISHA.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje