Ajo kërkonte një hero

31 Maj 2026, 17:16Kulturë TEMA

Ajo kërkonte një hero

Bullizmi është një prej fenomeneve që shoqëria jonë “e fjetur” dhe “e mbyllur” shqiptare e ka anashkaluar dhe e ka fshehur më shumë. Kjo ndodh për shumë shkaqe por kryesisht prej faktit se shqiptarët janë një popull nomad dhe luftëdashës. Meshkujt shqiptarë vuajnë nga maskuliniteti toksik, nga maçizmi dhe nga një dëshirë konstante për të provuar veten. Ndoshta dhe përpara adoleshencës.

Mund të ketë të bëjë dhe fakti se shqiptarët janë një popull thellësisht menefregist dhe materialist që ngjajnë me lopët në thertoren e botës që sot pregatitet të qeveriset nga inteligjenca artificiale. Kjo mund të jetë edhe arsyeja pse terreni shqiptar ka qenë shumë fertil për nxitjen e ksenofobisë dhe urrejtjes fetare (nga të gjithë fetë).

Një prej librave të viteve të fundit që përshkruan fenomenin e bullizmit në shoqërinë shqiptare është dhe “Ajo kërkonte një hero” i Viktor Canosinaj, një shkrimtar që zakonisht shkruan për fëmijë por që nuk i mungon inteligjenca për të diagnostikuar probleme të mprehta sociale.

E ka bërë dhe më parë me emigrimin (Ato kërkonin lumturinë) dhe trafikimin e qënieve njerëzore (Meriyll).

Ada, personazhi kryesor i “Ajo kërkonte një hero” bullizohet sistematikisht me video në tiktok për shkak të prejardhjes së saj fshatare dhe natyrës së saj “prej nërdeje”, pra, për ta thënë me përkthimet e dixhitalbit, prej peshkopeje, prej goce të mirë që merr nota shumë të mira.

Ada, megjithatë nuk është vetëm. Ajo bie në dashuri, lidhet me të birin e bukëpjekësit por trapat me para nuk e lënë prapë rehat. Dhuna është qorre dhe nuk di kur të ndalojë. Ky është mesazhi që përpiqet të përcjellë Canosinaj.

Ada e mendon vetëvrasjen por falë një kombinimi situatash (deus ex machina) ajo shpëton dhe libri mbyllet me një fund quasi të lumtur.

Ky është një prej romaneve më të errët të Canosinaj por që për vitet që pasojnë vrasjen e fëmijëve në shkollë me thika për shkak të tiktokut apo rrjeteve të tjera sociale (kujto Martin Canin) është një roman që i shërben si pasqyrë shoqërisë shqiptare, një shoqërie që nuk është lodhur akoma nga kanuni.

Për të gjithë lexuesit e rregullt të Canosinaj librin e gjeni si gjithmonë te botime “Dyrrah”.

Lini një Përgjigje