Akademik Nazim Gruda hapi dje seminarin shkencor “Burimet e reja natyrore të molekulave bioaktive për ushqimin e njerëzve dhe të kafshëve” në Universitetin Lituanez të Shkencave Shëndetësore në Kaunas.
Akad. Gruda ndau me të pranishmit njohuritë mbi strategjitë për të përmirësuar cilësinë e frutave dhe perimeve në kontekstin e të ushqyerit të shëndetshëm, në kuadër të projektit të Zyrës Ndërlidhëse të Universitetit Baltiko-Gjerman dhe Shërbimit Gjerman të Shkëmbimit Akademik (DAAD), që mundësuan financimin e këtij projekti përmes Ministrisë së Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë.
Ky projekt baltiko-gjerman u bë i mundur falë kontakteve shkencore dhe profesionale të krijuara gjatë vizitës së delegacionit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në Lituani në shtatorin e vitit të shkuar.
Dy akademitë kanë nënshkruar një kontratë bashkëpunimi dhe në tetor të këtij viti, pritet që Kryetari i Akademisë së Shkencave të Lituanisë të vizitojë Shqipërinë.
Akademiku Gruda do të marrë pjesë edhe në konferencën e 4-të ndërkombëtare mbi aktualitetet shkencore dhe inovacionet në hortikulturë që do të mbahet gjatë këtij viti po në Kaunas, Lituani.
Tema e kësaj konference është “Rrjetet e vlerave të hortikulturës”, organizuar nga Qendra Kërkimore Lituaneze për Bujqësinë dhe Pylltarinë dhe Shoqata Nordike e Shkencave Bujqësore. A.K.TemA
Lini një Përgjigje