
Romani “Biseda mes miqsh” i autores irlandeze Sally Rooney ka qenë një zbulim për brezin e ri të letërsisë që po rritet në Shqipëri. Ajo është diskutuar dhe përkthyer shumë, megjithëse disa prej librave të saj edhe mungojnë. Nuk do ishte keq që Sally Rooney të ishte dhe një lexim darke për intelektualët “e vjetër” të Shqipërisë.
Nëpër librat e Sally Rooney-t gjejmë stilin e veçantë që i ngjan Milan Kunderës për nga intelektualizmi dhe Ismail Kadaresë për nga ndriçimi i veçantë i gjendjes njerëzore. Sally Rooney është një autore e re, ende nuk ka mbushur 50 vjeç, por është një zë i fuqishëm i së majtës botërore dhe sidomos një predikuese e pashoq e të drejtave të grave dhe benefiteve të socializmit në një epokë e cila po rrëshqet drejt fashizmit oligarkik.
Libri “Biseda mes miqsh” rrëfen historinë e katër intelektualëve që ndëthuren në trekëndësha të ndryshëm dashurie, me marrëdhënie lesbike, me tradhti bëshkëshortore, me lot dhe drama, me braktisje dhe humbje, me varfëri, me ringritje dhe testime të miqësisë.
Sally Rooney jep një tablo të plotë të individit të shtypur nga një shoqëri materialiste. Një njeriu bosh. Të kundërtat tërhiqen dhe kjo ndodh mes Fransisit dhe Nikut. Ato janë dy njerëz të ndryshëm. Niku është një aktor vanitoz që duket më i zgjuar seç është dhe Fransisi është “një vajzë me mentalitet kolegji”, si do të thoshte Woody Allen.
Sally Rooney nuk është autorja e parë që është rrekur të japë një peizazh të jetës intelektuale dhe kundërkulturës, e ka bërë Joan Didion dhe Charles Bukovski para saj, por dhe Fitzgerald në një epokë tjetër. Sally Rooney është diagnostikuesja e epokës në të cilën jeton. Marrëdhënia e saj me autorë të së majtës radikale si Bourdieu dhe Baudrillard është ajo e një qesëndie.
Në fakt, ajo, këto autorë marksistë i përdor për të vënë në dukje vanitetin e së majtës sot që i ka kthyer intelektualët në yje rroku, ose yje rroku në perëndim. Këtu nuk mund të përmendim vetëm ato që tall Rooney por edhe emra të njohur si Zizek e Badiou por dhe Ranciere e Althusser. Autorë marksistë dhe maoistë që i dëgjon të citohen pa pikë turpi në të gjithë auditorët (edhe shqiptare fatkeqësisht) në mbarë botën.
Raporti me kujtesën te e majta internacionale dhe botërore nuk është hiç i mire, dhe, për njerëz që kanë humbur familje nga stalinistë duhet të ruhet një kufi moral dhe të bëhet kujdes. Librat e së rejës Sally Rooney shërbejnë si katarsis për lexues që janë lodhur nga ripërtypja e manifestit komunist në forma të tjera, demonizimi i liberalizmit dhe surrealizimi i të vërtetës dhe arsyes. Megjithatë, “Biseda mes miqsh” është një lexim i mirë për këdo. “Biseda mes miqsh” është botuar nga IDK.
Lini një Përgjigje