"Burri i shtëpisë” - Filmi shqiptar në Festivalin e Sarajevës, regjisori Andamion Murataj dhe aktorja Alesia Ruçi zbulojnë disa nga detajet

14 Gusht 2025, 12:05Kulturë TEMA
"Burri i shtëpisë” - Filmi shqiptar në Festivalin e

Filmi artistik me metrazh të gjatë “Burri i shtëpisë” (“Man of the House”), me skenar e regji të Andamion Muratajt, do të përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin e Filmit në Sarajevë.

Regjisori Murataj dhe aktorja Alesia Ruçi kanë rrëfyer në studion e RTSH 24 të gjitha emocionet dhe sfidat me të cilat janë përballur gjatë realizimit të filmit.

Regjisori ka bërë me dije se procesi i përzgjedhjes së aktores kryesore, e cila në film luan rolin e Zanës (Alesia Ruçi), ka qenë tejet sfidues, pasi sikurse nënvizon ai, nuk mjaftonte vetëm individi që do duhej të interpretonte, por do duhej të depërtonte “nën lëkurën” e personazhit.

Në filmat që punoj bëj një proces të qartë audicionesh me të rinjtë. Është interesante që të gjesh fëmijë të talentuar, mua më ka surprizuar Shqipëria edhe për filmin e mëparshëm. Unë kam parë 1200 nxënës në të gjitha shkollat e Tiranës për të gjetur një karakter dhe të plotësoj kushtet psiko-fizike dhe të mbajë peshën e një transformimi madhor. Nuk mjafton të jesh interpretues i mirë.

Po dështoja në fakt, isha gati i dëshpëruar të gjeja një vajzë të moshës 9-vjeçare, duhej momenti i kapërcimit nga vajzë e vogël në paraadoleshente.

Isha në Palma de Majorca në një projekt kur shoh një foto në internet të një vajze me bishtaleca që qeshte. ndihej pasha e karakterit dhe mezi e gjeta personat që e kishin publikuar këtë foto. U takuam për herë të parë dhe natyra e paqtë e saj, unë kisha parasysh dhe babain e hallën e më duhej diçka që i ngjante. Sa e provokoje ajo ndizej dhe unë thash: kjo është vajza që më duhet”, deklaroi ai.

Përzgjedhja e këtij filmi nga festivale ndërkombëtare ka qenë një arritje e madhe jo vetëm për regjisorin dhe aktorët që janë bërë pjesë e tij dhe i kanë dhënë ngjyrat e duhura për ta përmbushur atë në të gjitha dimensionet, por edhe për vendin tonë.

Kemi ‘world premiere’ më 19 gusht. Ka qenë betejë e madhe. Këto temat tona bëjnë sens. Festivali mbulon komplet rajonin e Evropës juglindore. Në njëfarë mënyre, konkurron e përballesh me punët e kolegëve.  Na u desh kohë e gjatë për të vendosur, sepse kishim disa festivale që kishim refuzuar. Filmi ishte zgjedhur në festival në Itali, Francë. por jemi të lumtur që të fillojmë. Ftesat i kemi nga India. Bënte sens për ne, për këtë lloj filmi që të zgjidhnim festivalin e Sarajevës.

Është rrugëtim i gjatë, 1 vit që filmi të kalojë në festival. Festivalet janë trampolinë që filmi të shkoj te publiku. Nga festivali vijnë ofertat e mua më kanë kontaktuar për Alesian për filma të tjerë”, tha regjisori Murataj.

Vetë aktorja kryesore në këtë film, Alesia Ruçi ka rrëfyer për publikun “sekretin” si arriti të depërtonte në rolin e Zanës, vajzës së brishtë e cila brenda një periudhe fare të shkurtër përjeton një mori emocionesh.

Roli im është i bukur dhe i veçantë. Unë duhet të tregoj shumë emocione. Të jem e mërzitur kur gjyshi ndërron jetë, të qesh kur luaj me shoqet. Unë gjyshin e dua dhe në jetën time dhe e imagjinova sikur ai ishte gjyshi im. Mësova shprehi aktoriale. Nuk është e vështirë.  Hyra në rolin sikur më kishte vdekur vërtet gjyshi. Ajo që ka rëndësi është të jesh i denjë brenda një ansambli të jashtëzakonshëm aktorësh. Isha sëmurë dhe kisha një skenë në tarracë. U ula të qetësohesha, por duhej të vazhdoja rolin. S’mund të lija filmin në gjysmë”, rrëfen ajo.

“Burri i Shtëpisë” është një produksion i shtëpisë kinematografike “Lissus Media” dhe përfaqëson Shqipërinë në një prej festivaleve më prestigjioze të Ballkanit dhe Europës Juglindore.

Filmi “Burri i Shtëpisë” fokusohet në karakterin e Franit, e cila, pavarësisht se ka lindur grua, ka zgjedhur të jetojë si burrë. Por kur Zana, mbesa që ka nën kujdesin e saj, ka nevojë për nënë, Franit i duhet të bëjë një zgjedhje të vështirë midis ruajtjes së statusit të një burrneshe apo rizgjimit së ndjenjave mëmësore, që i ka shtypur prej kohësh.

Aktorë kryesorë janë: Kaba Karaga, në rolin e Franit dhe nëntëvjeçarja e talentuar Alesia Ruçi, në rolin e mbesës së saj, Zana – një dyshe që ofron një interpretim të fuqishëm në udhëtimin emocional të filmit.

Edicioni i 31-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Sarajevë do të mbahet nga 15 deri më 22 gusht 2025. Në këtë edicion do të konkurrojnë 50 filma në kategori të ndryshme, mes të cilëve edhe 15 premiera botërore.

Lini një Përgjigje