
Shumë do ta kenë provuar dorën (dhe mendjen) me Duolingo-n, një app që të mëson një gjuhë të huaj, por jo vetëm (kush ka kohë dhe dëshirë, mund të praktikojë me të aritmetikën, muzikën dhe shahun). Google më thotë se janë mbi 500 milion vetë që e përdorin app-in anembanë botës, me rreth 98 milion përdorues aktivë çdo muaj dhe 31.4 milion përdorues aktivë çdo ditë. Duolingo-n mund ta përdorësh falas dhe të durosh një numër kufizimesh dhe reklamash; por mund edhe të paguash për të, për një eksperiencë “seamless”.
Kohët e fundit, CEO-ja i Duolingo-s, Luis von Ahn, deklaroi jo pa mburrje se kompania e tij do të fillonte një zëvendësim masiv të kontraktorëve të vet me AI; lajm që u prit, çuditërisht (ose jo dhe aq çuditërisht), me zemëratë të madhe nga mediat sociale. Një numër i madh përdoruesish thanë se do ta anulonin abonimin, ndërsa të tjerë se nuk do ta përdornin më app-in. Aq sa Von Ahn u detyrua pastaj të jepte sqarimet e nevojshme dhe të qetësonte turmën anti-AI, duke përdorur balsamet e rastit.
Por zemërata e popullit të Duolingo-s nuk ka shumë kuptim; sidomos po të pyesim sa mësues dhe tutorë dhe instruktorë gjuhësh kanë humbur tashmë mijëra e mijëra orë pune dhe honorare, për të mos thënë vende pune, për shkak të përhapjes së app-it dhe të teknologjisë Duolingo. Kurse si ato të anglishtes, frëngjishtes, italishtes, spanjishtes dhe gjermanishtes janë të dizajnuara aq mirë, sa të garantojnë progres edhe për studentët më të plogët; madje pa dalë fare nga krevati.
Të njëjtët që nuk e vrasin mendjen për të gjithë ata që humbin vende pune tradicionale, si ato të mësuesit të një gjuhe të huaj; shqetësohen menjëherë për shkurtimin e vendeve të punës në një kompani të softuerit. Si ta shpjegosh këtë kontradiktë, përveçse si provë të hipokrizisë në mediat sociale?
Disa nga kritikët e adoptimit të AI-së nga Duolingo besojnë se softueri i ri do të jetë trajnuar mbi produktin intelektual të kontraktorëve, të cilëve tani do t’u tregohet dera. Ky është versioni kontekstual i një argumenti më të gjerë – dhe pikërisht se AI më parë ta “vjedh” punën, dhe pastaj të merr edhe vendin e punës, çfarë e bën përdorimin e AI-së etikisht problematik.
Por para se të zemërohemi, le të mbajmë parasysh se të gjitha këto kompani, që janë komerciale dhe varen nga abonimet e përdoruesve, kanë nevojë – në analizë të fundit – që këta përdorues të kenë aq të ardhura, sa të paguajnë për produktin. Nuk dua të them se logjika e tregut i bën operatorët (kompanitë) vetvetiu inteligjentë, por vetëm se puna njerëzore – duke gjeneruar të ardhura – është edhe ajo faktor që e mban tregun gjallë, përfshi edhe tregun e produkteve të krijuara me AI; dhe se ende nuk ka ardhur dita kur ChatGPT të paguajë Google Gemini për një shërbim të caktuar, me të ardhurat që ka fituar duke u shitur abonime të ndershmëve.
Edhe unë e përdor Duolingo-n, për gjuhë më pak të rëndësishme, si rusishtja, turqishtja, greqishtja e re, rumanishtja, holandishtja; jo aq për t’i mësuar, sa për të krijuar një ide për strukturën e tyre dhe funksionin, meqë këto më interesojnë nga ana profesionale. Përshtypja ime është se edhe rusishtja, edhe greqishtja e re, përdorin gjerësisht zërin e gjeneruar me AI, ndërsa rumanishtja dhe turqishtja, me gjasë, përdorin zërin e folësve realë të gjuhës. Pati një moment që në rusisht filluan t’i mënjanojnë zërat “me AI” dhe të përdorin zëra realë, gjë që mua nuk më pëlqeu (zërat realë, sidomos një fëmijë, mezi i kuptoja në fillim). Por kurset që përmenda, ndoshta me përjashtim të holandishtes, e kanë të dobët aparatin didaktik dhe nuk duhet pritur prej tyre që të zëvendësojnë kurset dhe metodat tradicionale. Të paktën ende jo.
Gjithsesi, Duolingo vështirë se mund të zëvendësojë kontaktin me folës të tjerë, për ata që synojnë përvetësim të balancuar të një gjuhe. Për të njëjtën arsye, nuk është bërë kush ndonjëherë shahist i mirë, duke luajtur shah vetëm me kompjuterin (dhe aq më pak ka mësuar njeri të luajë futboll, duke u praktikuar me FIFA-n). Edhe gjuha edhe loja janë mjete ose “teknologji” që kërkojnë ndërveprim me Tjetrin; dhe ndërveprimi me Tjetrin duhet të jetë i motivuar. Të kërkosh një “caffè e cornetto” në një bar në Romë, në gjashtë të mëngjesit, nuk është e njëjta gjë si t’i kërkosh një “caffè e cornetto” AI-së, në bisedë virtuale, për të praktikuar me të italishten bisedore.
Për t’u kthyer tani te tema që më shtyu t’i hedh këto shënime: inteligjenca artificiale do të bëjë që shumë prej nesh t’i humbin punët që kanë; por kjo nuk është arsye e mjaftueshme për t’u ngritur “kundër” progresit teknologjik. Dhe, në rastin e Duolingo-s, dëmi që u ka sjellë ky app mësuesve e tutorëve të gjuhëve të huaja, anembanë botës, është pa krahasim më i madh, se dëmi që do të përjetojnë kontraktorët e vetë kompanisë, për shkak të adoptimit të AI-së.
(c) 2025 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi ilustrues është përfytyruar me Gemini (well...). Botohet me leje te TemA.
Lini një Përgjigje