Në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) u prezantuan dy botimeve të reja mbi Butrintin.
Botimet “Butrint 8” dhe “Butrint on the Crossroads of the Mediterranean” mbajnë firmën e professor Richard Hodges, të cilin ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, e cilësoi si, mik të vjetër dhe bashkëpunëtor të çmuar.
Këto botime pasurojnë literaturën shkencore dhe frymëzojnë brezat e ardhshëm, duke shënuar edhe 25 vite bashkëpunim të frytshëm për ruajtjen dhe zhvillimin e Butrintit, një thesar i jashtëzakonshëm i vendit tonë.
Richard Hodges iu bashkua Fondacionit të Butrintit si drejtor shkencor i tij (1993-2012) për të iniciuar gërmime të reja dhe strategji të menaxhimit të vendit në Butrint. Nga viti 2000-2012 ai mbikëqyri Qendrën Ndërkombëtare për Arkeologjinë Shqiptare dhe Projektin e Konservimit të Gjirokastrës.
Ndërkohë, Butrinti vazhdon të tërheqë vizitorë nga e gjithë bota. Sipas shifrave të bëra publike nga kreu i MTKS-së, vetëm gjatë këtij viti, Butrinti ka mirëpritur 257, 670 vizitorë, duke dëshmuar rëndësinë e tij si një perlë e trashëgimisë sonë kulturore. /atsh/
Lini një Përgjigje