Mbrëmë

10 Tetor 2025, 20:36Kulturë Ardian Vehbiu

Mbrëmë pamë në koncert, në Carnegie Hall, Pat Metheny-n solo; një artist për mua kaq i madh, sa të them se momenti kur jam njohur me muzikën e tij ma ka ndarë përjetimin muzikor më dysh, duke më lejuar të them “para” dhe “pas”.

Ma kanë prezantuar në Itali në fillim të viteve 1990; edhe pse amerikan safí nga Missouri, Metheny, veçanërisht në mishërimin e tij si Pat Metheny Group, ka gëzuar popullaritet të jashtëzakonshëm në Itali.

Ka shkruar dhe vazhdon të shkruajë muzikë të mrekullueshme.
Mbrëmë ishte hera e parë që e ndoqa live – por edhe këtë do ta mbaj mend gjatë.
Metheny luajti gjatë, rrëfeu për marrëdhëniet e tij me kitarën dhe kitarat gjithfarësh, si të ishte e vetmja gjë që i interesonte në këtë botë. Pjesët e tij solo, veçanërisht ato në kitarë akustike, më kujtojnë shumë Ennio Morricone-n (dhe të birin Andrea) dhe më çojnë në faqet dhe tingujt e traditës melodike klasike italiane.

Të tjerë kanë gjetur aty muzikë braziliane, sidomos traditën e Minas Gerais; në fakt, në një numër albumesh të viteve 1980-1990 praninë e Brazilit e dikton edhe një profan si unë; pa folur pastaj për mysafirët muzikantë nga ai vend, që kanë kontribuuar në realizimin e pjesëve.

Është mbase shenjë e gjenialitetit muzikor, që të evokojë te dëgjuesi kujtime dhe mbresa kaq të ndryshme, me të njëjtat nota.

Metheny përmendi, mes “mësuesve” të vet, basistin Charlie Haden – me të cilin ka bashkëpunuar, veçanërisht për albumin “Beyond the Missouri Sky”; tonalitetin e atij albumi e gjen pastaj në gjithë krijimtarinë solo të Metheny-t, këtë çerekshekulli.

Njëlloj si folklori oral, bota e jazz-it ka një intertekstualitet shpesh të nevojshëm, për këdo që kërkon ta eksplorojë; të njëjtat standards qarkullojnë nga një album në tjetrin, duke marrë forma unike dhe aq të ndryshme mes tyre, sa vetë dallimi, variacioni dhe larmia e shndërrimit të përbëjë art.

Falë martesës gati gjysmë-shekullore me kitarën dhe kompozimin jazz, Pat Metheny e bën këtë rimarrje edhe me pjesët e veta; për të është e vetmja mënyrë si mund t’i mbajë gjallë dhe, kushedi, t’i pëlqejë edhe vetë rishtas.

Nuk mund t’i dëgjosh pjesë të tilla, sidomos majat artistike të viteve 1980, pa menduar për pianistin dhe kompozitorin Lyle Mays, binjakun e Pat-it në Pat Metheny Group; edhe ai gjeni i llojit të vet, por që u nda nga kjo botë para kohe. Pianon impresioniste e Mays-it e dëgjon shpesh te kitara e Metheny-t, tingulli i tij rron në kompozimet dhe arranzhimet e reja.

Metheny është edhe një nga të paktët muzikantë jazz që njoh, që nuk është aq fort i rrënjosur në blues; edhe pse ka treguar se e zotëron blues-in po aq sa mjeshtrit e tjerë. Përtej ndikimeve nga Italia dhe Brazili, më sjell në mendje – veçanërisht në përmasën akustike – një tjetër kitarist të madh amerikan, Ralf Towner (që ka luajtur me grupin Oregon, por ka edhe shumë albume solo të nivelit më të lartë). Natyrisht, të flasësh për kitaristë jo-blues në muzikën amerikane është gjithnjë relative – por prapa Metheny-t dhe Towner-it mund të gjesh gjithnjë Bill Evans-in.
Dhe meqë ra fjala për Bill Evans-in, le të përmend edhe që Pat Metheny rrëfeu, mbrëmë, si ishte hipnotizuar – kur ende adoleshent – nga një album i Miles Davis-it.

Falë krijimeve të tyre dhe dashurisë me të cilën i ndjek publiku anembanë botës, artistë të këtij kalibri tashmë janë njëjtësuar me tingullin; dhe mrekullia nuk është te stili që ua njeh që me notat e para, por me konstatimin se ka një njeri, prej mishi e kocke (dhe flokësh të pazgjidhshëm, si në rastin e Metheny-t) që është strumbullari i gjithë kësaj.

Duke parë e dëgjuar mbrëmë mënyrën si Pat-i i prekte kitarat e veta gjithfarësh, i manipulonte, i lëmonte, i ndërronte sipas pjesës që luante, fliste për to dhe historinë e tyre, filloi të më dukej sikur kompozimet e tij dhe muzikën që luante në skenë e nxirrte nga instrumenti; siç nxjerr skulptori statujën nga një bllok mermeri.

Kam shumë kujtime personale, me këtë muzikë; që më ka shoqëruar të paktën që nga viti 1992 e këtej, në ditë të mira e të këqija. Aq më janë gdhendur në memorie disa nga pjesët, sa po filloj të besoj se tani i paraprijnë botës siç e perceptoj unë; meqë evokojnë një lloj rendi më parësor, më primordial, më thelbësor.

Pati një moment kur Metheny iu kthye publikut për t’i thënë se ishte ky publik, dhe pasioni me të cilin e ka ndjekur për kaq e kaq vjet, koncert pas koncerti, anembanë Amerikës dhe botës, që e kish bërë të mundur edhe Metheny-n vetë – si artist, kitarist dhe kompozitor.

Asnjë projekt (me nder jush) nuk e kish “mbështetur” eventin e tij, asnjë ministër nuk kish firmosur, asnjë dinjitar i lartë nuk do të ngjitej në skenë për t’u fotografuar me të; dhe aq më pak nuk do ta ftonte në zyrë, për t’i dorëzuar çelësat e Manhattan-it para fotografëve dhe “gazetarëve” të kulturës e për t’i dhuruar ndonjë copë plazhi.

Kontakti me artin që shkëlqen me atletizmin e vet mistik, më bëri të mendoj për mjerimin e artit tonë të varur në kremastarët e shtrembër të politikës.

P.S. M’u kujtua fort edhe një koncert i kitaristit Petrit Çeku që kam ndjekur në Tiranë, para më se 11 vjetësh dhe pastaj kam shkruar diçka te Peizazhe të fjalës: Ky gentilhombre nga Prizreni. Gjasat për të pasur edhe ne një artist si Pat Metheny i kemi ku e ku më të larta se ç’na e mundëson sistemi i kulturës publike dhe private që mbajmë në këmbë.

(AV, 2025)

Lini një Përgjigje