Imtësi përkthimi

10 Tetor 2025, 18:15Kulturë Ardian Vehbiu

Paul Reiter, në The Hedgehog Review (“The Kafka Challenge – Translating the Inimitable”), përdor fjalinë e parë të Procesit të Kafkës, për të ilustruar sfidën e papërkthyeshmërisë në letërsi dhe gjetiu.

Në gjermanishte kjo tingëllon kështu:

“Jemand mußte Josef K. verleumdet haben, denn ohne daß er etwas Böses getan hätte, wurde er eines Morgens verhaftet.”

përkthimin origjinal të Willa dhe Edwin Muirs-it, botuar në 1937, kjo fjali shfaqet si më poshtë:

Someone must have traduced Joseph K., for without having done anything wrong, he was arrested one fine morning.

Reiter e përshtat fjalinë në një anglishte sot më të pranueshme:

Someone must have slandered Joseph K., for without having done anything wrong, he was arrested one morning.

Problemi i përkthyesit këtu – dhe jo vetëm nga gjermanishtja në anglishte – është folja hätte, në mënyrën lidhore, e cila nuk ruhet lehtë gjatë përkthimit[1] dhe, në fakt, në tekstin më lart, është dhënë me një trajtë modale (must have slandered).

parathënien e një përkthimi të ri, Breon Mitchell shkruante se lidhoren, në gjermanishte, thjesht e kërkon ndërtimi me “ohne daß” (në shqipe jo-standard, literalisht, do ta kishim dhënë si “pa pasë bërë ai gjë të keqe...”).

Edhe Reiter, edhe Mitchell vërejnë se përkthimi nuk lë pikë dyshimi për pafajësinë e Joseph K.; edhe pse informacioni këtu jepet i filtruar përmes mendjes së protagonistit, jo nga pikëpamja e një narratori të gjithëditshëm (omniscient).

Thotë Mitchell: “në nivelin ngushtësisht literal, çdo përkthim anglisht është i detyruar të deklarojë pafajësinë e K.”

Duke adoptuar, më fort se ç’e lejon teksti, bindjen e Joseph K., se ai nuk ka bërë gjë të keqe “etwas Böses” – por kjo Böses i referohet së keqes në mënyrë gati fëmijërore, në mos fetare; ndërsa folja tjetër, verleumden, parakupton një përmasë më kriminale (penalisht të dënueshme).

Mitchell pastaj shton se, për një moment, pat menduar që ta korrigjojë këtë pasakësi me një arnim të lehtë:

without having done anything truly wrong

me shpresën se kështu do të lihet të kuptohet se Joseph K. nuk ka bërë ndonjë gjë seriozisht të keqe, aq sa të përligjet ajo që ka ndodhur; dhe të përcillet më mirë funksioni i lidhores hätte të gjermanishtes.

Një vështrim në përkthime të romanit në gjuhë të tjera, mund të ndihmojë për të ndriçuar problemin.

Në përkthimin frëngjisht të Jean-Pierre Lefebvre (folio classique), lexoj:

Quelqu’un avait bien dû calomnier Josef K., car un matin, sans qu’il ait rien fait te mal, il fut arrêté.

Frëngjishtja nuk e ka të vështirë ta japë lidhoren hätte të gjermanishtes me lidhoren e vet sans qu’il ait rien fait...; edhe këtu, lidhoren thjesht e kërkon lidhëza sans que, njëlloj si në gjermanishte. Një formë më literale, si sans qu’il eût fait do të ishte, në këtë rast, tejet arkaike ose formale dhe, gjithsesi, pa gjasa për t’u shfaqur në një tekst letrar.

Nga ana tjetër, përkthyesi i frëngjishtes komenton se folja verleumden e cilëson menjëherë Joseph K. si viktimë, meqë Verleumdung, në gjermanishte, përbën krim (délit); me fjalë të tjera, protagonisti është viktimë e një shpifjeje.

Këtu, avait dû calomnier i përgjigjet anglishtes modale: “must have slandered”; por pjesëza bien ka funksion përforcues, intensifikues, që në anglisht do të jepej si “indeed”, ose “surely”. Ashtu, fjalia duket sikur përcjell një farë ironie nga ana e rrëfimtarit, përballë premisës absurde: (“Joseph K. nuk ka kryer ndonjë krim, por – derisa e kanë arrestuar – ndokush do të ketë shpifur për të.”)

Sistemi gjyqësor vepron pra duke reaguar ndaj një faji.

Në një përkthim tjetër frëngjisht, që qarkullon falas online, e gjej fjalinë të përkthyer kështu:

On avait sûrement calomnié Joseph K., car, sans avoir rien fait de mal, il fut arrêté un matin.

Ku kjo sûrement i përgjigjet frëngjishtes surely dhe luan një rol modal të ngjashëm. Të vërehet se te ky version lidhorja e gjermanishtes përkthehet me një paskajore: sans avoir rien fait...

Njëlloj edhe në spanjishte, në përkthimin e Miguel Sáenz (Alianza Editorial, 2021):

Alguien debía de haber calumniado a Josef K., porque, sin haber hecho nada malo, fue detenido una mañana.

Dhe në një përkthim, po në spanjisht, të Ediciones Cátedra:

Sin duda se había calumniado a José K..., pues, sin haber hecho nada de malo, fue detenido una mañana.

Ku shfaqet edhe kjo sin duda, “pa dyshim”, një pjesëz që kërkon të ndërmjetësojë midis dy skajeve – pafajësisë së Josef K, dhe arrestimit që një shkak e ka pasur.

Të vërehet se sin haber hecho nada de malo mund të thuhej, në spanishte, edhe kështu:

Sin que hubiera hecho nada de malo...

Duke përdorur një formë të asaj që në gramatika e quajnë pluscuamperfecto de subjuntivo (e kryer e tejshkuar e lidhores). Megjithatë, kjo formë këshillohet të përdoret vetëm kur subjekti i fjalisë së varur nuk përkon me atë të fjalisë kryesore – përndryshe paskajorja është për t’u preferuar.

Në përkthimin italisht të Michele Sisto (Einaudi tascabili, Classici, Vol. 324):

Qualcuno doveva aver calunniato Josef K., poiché un mattino, senza che avesse fatto nulla di male, egli fu arrestato.

Ku doveva aver calunniato shton modalitetin e pasigurisë (të krahasohet me aveva calunniato). Edhe italishtja nuk e ka fare problem që ta japë lidhoren e gjermanishtes me lidhoren e vet, madje shkon një hap më tutje se frëngjishtja dhe përdor lidhoren e pakryer (senza che avesse fatto), që te kjo gjuhë nuk është e arkaizuar, si në frëngjishte.

Në të gjitha këto gjuhë, ruhet struktura kohësore e gjermanishtes (consecutio temporum), sepse edhe shpifja e mundshme, edhe kryerja prej Joseph K. – sado e pagjasë – e ndonjë gjëje “të keqe”, haptazi i paraprijnë momentit të arrestimit dhe hyjnë me të në një marrëdhënie të llojit post hoc ergo propter hoc, e cila lejon kalimin nga renditja kronologjike te renditja shkak pasojë.

Të vijmë te shqipja. Në përkthimin e Gjergj Vlashit (botime Globus R.), e gjej fjalinë e parë të romanit të dhënë kështu:

Me gjasë, dikush kishte shpifur kundër Jozef K., sepse një mëngjes atë e arrestuan, megjithëse s’kishte bërë gjë.

Kjo me gjasë, që në anglishte mund ta themi “apparently”, “it looked like”, “it seemed”, “seemingly”, e thekson natyrën supozitive të premisës së shpifjes – ose të shkakut të arrestimit; edhe pse lexuesi ftohet të zgjedhë midis dy alternativave interpretative: ajo me gjasë relativizon faktin që dikush kish shpifur, apo vërtetësinë e shpifjes vetë? Tek e fundit dhe në parim, dikë mund ta arrestojnë edhe pa pasë shpifur njeri kundër tij.

Në çdo rast, ky përkthim shqip u largohet versioneve frëngjisht dhe anglisht, sepse atje ku këto gjuhë kanë truly, surely ose sûrement, shqipja përdor me gjasë, duke i mëshuar pasigurisë.

Në një përkthim tjetër, nga Taulant Hatia, botuar nga Bota Shqiptare, fjalia jepet si vijon:

Dikush duhej të kishte shpifur për Jozef K-në sepse, pa bërë asgjë të keqe, një mëngjes e arrestuan.[2]

Këtu modaliteti i supozimit i besohet formës foljore duhej të kishte shpifur, por gjithnjë përforcohet edhe nga përemri i pacaktuar dikush, i cili e shton edhe më pasigurinë; njëlloj si gjermanishtja jemand.

Te përkthimi i parë shqip i Procesit nga Ramiz Kelmendi (Rilindja, 1972), fjalia nistore lexohet kështu:

Mbase do të ketë shpifur dikush kundër Jozefit K., sepse një mëngjezi u burgos ndonëse nuk kishte bërë asnjë faj.

Përkthyesi ia lejon vetes disa liri kundrejt origjinalit – duke filluar nga dhënia e gjermanishtes verhaftet me “u burgos”, në një kohë që do të pritej “e arrestuan”, si në dy përkthimet e tjera.

Semantikisht, arrestoj e gjen vendin mes ndaloj dhe burgos; dallimi ka relevancë edhe në procedurat penale. Ajo çfarë i ndodhi Jozefit K. atë mëngjes nuk ishte ende “burgosje”.

E vështirë për t’u shpjeguar edhe forma “do të ketë shpifur dikush”, në kohën e kryer; rregullat e consecutio temporum do të kërkonin “do të kishte shpifur dikush”, si supozim për diçka që i paraprin së kryerës së thjeshtë të “u burgos”.

Njëlloj problematike pësorja u burgos; më e pranueshme do të kish qenë e burgosën (siç kanë e arrestuan dy përkthimet e tjera të shqipes).

Nga shembujt më lart në gjuhë të ndryshme përfshi edhe shqipen, rezulton se kuptimi modal i lidhores gjermanishte hätte nuk është ruajtur në përkthim – dhe kjo jo sepse përkthyesve u ka shpëtuar, por sepse është, në thelb, i papërkthyeshëm.

Sipas Reiter-it, kjo papërkthyeshmëri – e zgjidhur me rrugë aproksimative – komprometon vetë leximin dhe interpretimin e romanit; sepse lexuesi anglisht e nis me premisën se Joseph K. është i pafajshëm, ndërsa lexuesi gjermanisht thjesht me premisën se Joseph K. nuk ka bërë ndonjë krim aq serioz, sa të përligjet arrestimi.

Shqipja, nga ana e vet, jep edhe një mundësi tjetër për ta përcjellë modalitetin e kësaj fjalie, në kontekste si ky i “Procesit”, dhe pikërisht habitoren.

Një version – e pranoj, jo dhe aq elegant – do të tingëllonte kështu:

Paskëshin shpifur kundër Jozef K., sepse një mëngjes atë e arrestuan, megjithëse s’kishte bërë gjë.

Habitorja, paskëshin shpifur, e përfshin premisën e arrestimit në një hapësirë ku realiteti përzihet me supozimin; duke e paraqitur edhe si diçka të përcjellë nga ligjërimi i një të treti (në italishte, këtë rol do ta luante kushtorja e shkuar: qualcuno avrebbe calunniato.../ dovrebbe aver calunniato; e shumta, avrebbero calunniato...). Një ngjarje që mund të ketë ndodhur, por që nuk i plotëson ende kushtet për t’u konsideruar si reale. Kjo formë e habitores, në shqipe, përdoret për të shprehur jo vetëm habinë a ndonjë reagim emocional tjetër, por edhe një lloj distancimi të folësit nga ngjarja, duke lejuar praninë e një subjekti të ndërmjetëm (i cili mund ta ketë rrëfyer ngjarjen).

Mbetet për t’u diskutuar nëse ky modalitet në fjalinë shqipe e mbulon edhe atë të lidhores së gjermanishtes hätte.

Nuk besoj se përkthyesit – këta më lart dhe përkthyesit në përgjithësi – i mendojnë gjërat kështu; më shumë rëndësi ka, për ta, që ta kapin mirë frymën e veprës. Për të tjerat, zgjidhjen e ofron vetvetishëm ligjërimi. Analiza, imja më lart apo ato që kam cituar, ndihmon për të kuptuar si funksionojnë tekstet dhe si ndikojnë “të papërkthyeshmet” në efektin e leximit. Tek e fundit, gjuhët janë më shumë të papërkthyeshme në nivelin mikro, se në nivelin makro.

(c) 2025 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ilustrimi është realizuar me Midjourney. Falënderoj nga zemra të gjithë kolegët që iu përgjigjën kërkesës sime në Facebook, për të gjetur tekstet e përkthimeve shqip. Botohet me leje te TemA.

[1] Lidhorja e gjermanishtes përdoret për të shprehur ide që nuk paraqiten si fakt ose realitet dhe vjen në dy forma të njohura si Konjunktiv I dhe Konjunktiv II – e para për të dhënë ligjëratën e zhdrejtë dhe kryesisht në tekste me natyrë formale, librore: Er sagt, er sei krank (“Thotë se është i sëmurë”); e dyta, që është më e zakonshme, dhe shpreh gjëra që janë jo-reale dhe hipotetike, ose për të zbutur forcën e ligjërimit: Wenn ich Zeit hätte, würde ich dich besuchen (“Po të kisha kohë, do të të kisha ardhur për vizitë.”) Meqë forma Konjunktiv I e një foljeje është shpesh identike me atë të së tashmes së dëftores, ajo zëvendësohet në ligjërim ose me Konjunktiv II, ose me ndërtimin würde + paskajore, e ngjashme me anglishten she says she would wait. Lidhjet e forta funksionale, mes lidhores së gjermanishtes dhe ligjëratës së zhdrejtë, ku subjekti folës raporton çfarë ka thënë tjetri por pa marrë përsipër të certifikojë vërtetësinë e këtyre që ka thënë tjetri, e afrojnë këtë me habitoren e shqipes, në kontekste si: “e paskan arrestuar atë që u arratis nga burgu”, ku habitorja tregon që folësi, ai që thotë “e paskan arrestuar...”, thjesht po raporton çfarë ka dëgjuar ose lexuar, por nuk e ka të konfirmuar.

[2] Gramatikisht, ky përkthim ka një problem: “pa bërë asgjë të keqe” vetvetiu kërkon si kryefjalë atë të fjalisë paraprijëse (dikush), jo kundrinën Jozef K. Mund të ishte ndrequr me një dëftor: pa bërë ky asgjë të keqe...

Lini një Përgjigje