
Gazetari dhe opinionisti Lutfi Dervishi komenton në Apostrof Podcast ndikimin gjithnjë në rritje të inteligjencës artificiale në median shqiptare, duke ngritur shqetësimin se shumë prej përmbajtjeve që qarkullojnë sot në portale apo rrjete sociale janë gjeneruar plotësisht nga programe si ChatGPT.
Dervishi shpreh shqetësimin e tij se produktet e medias sa vijnë dhe bëhen më identike në stil dhe strukturë me njëra-tjetrën, si pasojë jo vetëm e përdorimit të inteligjencës artificiale, por edhe faktit se, AI tashmë është duke hyrë në një fazë të re, ku nuk do të ushqehet më me produkte njerëzore (libra, enciklopedi, artikuj online), por me produkte të krijuara nga vetë inteligjenca artificiale.
Ai shton gjithashtu se në botën online po krijohet një lloj hipokrizie, ku gjithkush shkruan dhe kërkon të kontribuojë në media, ndërkohë që lexuesit shpesh nuk janë të vetëdijshëm se përmbajtja që konsumojnë nuk është shkruar nga njerëz, por nga inteligjenca artificiale.
Në anën tjetër, Dervishi e sheh këtë si një moment të rrezikshëm për median, ku uniformiteti, shpejtësia dhe përsëritja mund të zëvendësojnë mendimin dhe analizën kritike. "Ajo çfarë ngatërrohet ndonjëherë është ndarja që, nëse dikur thonim që opinionet janë të lira dhe faktet janë të shenjta," shprehet ai gjatë bisedës, "tani duket sikur opinionet janë shenjtëruar."
Episodi i plotë i Apostrof Podcast publikohet të dielën, ora 17:00.
Lini një Përgjigje