Festivali Ndërkombëtar i Kërcimit në Tiranë hapi sot siparin e edicionit të tij të radhës, në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë, nën drejtimin artistik të koreografit të njohur me origjinë shqiptare, Angelin Preljocaj.
Ky aktivitet kulturor i rëndësishëm, i mbështetur nga Bashkimi Evropian, ka sjellë në kryeqytet koreografë të njohur nga Evropa dhe Shqipëria, duke e kthyer Tiranën në një skenë të hapur për kërcimin bashkëkohor.
Risi e këtij edicioni është zhvendosja e shfaqjeve jashtë hapësirave të zakonshme skenike, drejt ambienteve publike dhe komunitare, me synim përfshirjen e gjerë të qytetarëve në përjetimin e artit.
Festivali u hap në Qendrën Komunitare “Të Qëndrojmë së Bashku”, me shfaqjen “G.U.I.D.” nga Ballet-Maestro Angjelin Preljocaj, një performancë që përshtatet me hapësirën ku shfaqet dhe e shndërron atë në një skenë të gjallë për të gjithë.
I pranishëm në këtë event ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja u shpreh se “Kombinat përjetoi emocione të veçanta, ndërsa Ballet Preljocaj solli G.U.I.D., një përmbledhje të veprave më të njohura të Angjelin Preljocaj duke sjellë kërcimin bashkëkohor tek ata që ndoshta nuk e kishin prekur kurrë një skenë, duke krijuar një përvojë të paharrueshme me artin”.
“Kombinati meriton shumë më tepër shfaqje të tilla, që afrojnë artin tek të gjithë dhe thyejnë barrierat. Kur kultura takon komunitetin, çdo emocion dhe histori bëhet e përbashkët, një kujtesë se arti është i të gjithëve dhe mund të prekë çdo zemër”, tha ai.
Ministri vuri në dukje se, kur kultura takon komunitetin, çdo emocion dhe histori bëhet e përbashkët. “Arti është i të gjithëve dhe mund të prekë çdo zemër”, theksoi Gonxhja.
Drejtuesi artistik i festivalit, koreografi Angjelin Preljocaj, duke komentuar nisjen e rrugëtimit të këtij evenimenti artistik tha se festivali synon të afrojë artin e kërcimit me familjet, të rinjtë dhe grupet e margjinalizuara, duke krijuar shkëmbime dhe ura të reja komunikimi mes artistëve dhe qytetarëve, në të përditshmen e tyre.
“Këtë vit vendosëm të vijmë me kërcime që shkojnë nëpër lagje, në sheshe të qytetit, duke çuar dancin te publiku. Zakonisht është publiku që shkon në teatër, këtë herë është teatri, danci, që shkon te publiku. Do të donim të ishte festival që ta merrnin në dorë banorët e Tiranës dhe ta kuptonin që është festivali i tyre, me spektakle falas, që do të bëhen në sheshe, në rrugë, si ky që sapo patë. Ky festival sjell njerëz nga vende të ndryshme me qëllim për t’i njohur me Shqipërinë dhe mikpritjen dhe aspektin njerëzor që çlirohet nga shqiptarët.”, thotë koreografi me famë botërore, Angjelin Preljocaj,
“Në këtë edicion kam ardhur me dy pjesë të vogla në miniuaturë që do të vihen në skenën e teatrit të Metropolit. E gjithë kjo për t’i lënë më shumë vend kompanive të tjera ndërkombëtare e për të mos e zënë vendin vetëm produksionet e mia të mëdha.”, vijon Preljocaj.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, theksoi rëndësinë e artit në ndërtimin e urave mes njerëzve.
“Baleti, kur sillet në hapësira publike, mund të tejkalojë brezat dhe të ndërtojë ura mes kulturave, kombësive apo botëkuptimeve. Është një gjuhë universale që të gjithë mund ta kuptojnë, duke rrëzuar barriera dhe duke i lidhur njerëzit në mënyra që fjalët shpesh nuk munden”, tha ai.
Kjo është java e parë e edicionit të 4-t të këtij festivali. Përgjatë ditëve të festivalit do të mund të ndiqen krijimet më të fundit të mbi 13 koreografëve e kompanive ndërkombëtare gjatë 3 javëve. Programi hapet me 4 performanca publike në qytet dhe 5 shfaqje në skenat e Teatrit Metropol dhe Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.
Në datën 10 tetor, performancat do të zhvendosen tek Pazari i Ri dhe tek Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës. Data 11 tetor vjen me 3 performanca në Teatrin Metropol, në orët e paradites, ndërsa në darkë artistët performojnë në Teatrin Kombëtar të Operas e Baletit, me “Puls” (Triple Bill) nga Jiri Kylian, Robert North dhe Edi Blloshmi. E njëjta performancë do të shfaqet dy netë rresht në TKOB.
Edicioni i 4-t i International Dance Festival Tirana do të zhvillohet në 11 skena ku do të ofrojë 15 premiera, 9 aktivitete publike falas dhe masterclass-e që e lidhin festivalin me gjithë qytetin.
Festivali do të zgjasë nga 9 deri më 25 tetor dhe do të ofrojë shfaqje falas në hapësira publike në të gjithë qytetin e Tiranës.
Qytetarët ftohen të ndjekin programin dhe të përjetojnë fuqinë përfshirëse dhe transformuese të kërcimit bashkëkohor. /atsh/
dhe ne te njejten kohe pellet arapi nga xhamia turke haha