Në Sarandë, përveç plazheve dhe peizazhit magjepsës, gjithnjë e më shumë vizitorë po zbulojnë një tjetër anë të qytetit atë kulturore. Muzeu i Traditës, Muzeu Arkeologjik dhe Galeria e Arteve përbëjnë një “trekëndësh kulture”, që po tërheq vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj edhe në këto ditë të vjeshtës.
“Është kënaqësi të shohësh sa shumë kulturë ofron Saranda. Nga objektet e lashta në Muzeun Arkeologjik te veprat moderne në Galerinë e Arteve, gjithçka të bën të ndihesh pjesë e një historie të gjallë. Këtu ndien se turizmi nuk mbaron me verën, por vazhdon gjatë gjithë vitit.”, deklaroi një prej vizitorëve për mikrofonin e RTSH.
“Sarandën e njihnim për plazhet dhe detin e bukur, por këtu zbuluam një pjesë krejt tjetër të qytetit. Muzeumet dhe galeria na treguan historinë, traditën dhe artin e banorëve vendas. Është një përvojë që të afron me shpirtin e vërtetë të këtij vendi.”, tha një tjetër vizitore.
Tre institucionet kulturore ofrojnë një udhëtim unik në historinë, artin dhe identitetin e Sarandës. Muzeu i Traditës prezanton mënyrën e jetesës së banorëve të dikurshëm, Muzeu Arkeologjik sjell dëshmi të çmuara nga periudha antike, ndërsa Galeria e Arteve është hapësira ku bashkëjetojnë arti bashkëkohor dhe ai tradicional.
Sipas specialistes së trashëgimisë kulturore, Elda Koçi, pritshmëritë janë që edhe në muajt në vijim numri i vizitorëve të mbetet i lartë, si nga turistët vendas ashtu edhe nga të huajt. Ajo thekson se interesimi për kulturën e qytetit po rritet ndjeshëm vit pas viti.
“Turizmi sidomos pjesa e kroccereve ëhstë në vazhdueshmëri dhe s’do ketë mbyllje. Tursitët dinë se ku venë sepse janë të mirëinformuar’, tha ajo.
Kështu, Saranda po e forcon gjithnjë e më shumë identitetin e saj si një qytet që nuk ofron vetëm turizëm bregdetar, por edhe një trashëgimi të pasur kulturore e artistike. “Trekëndëshi” i muzeve i traditës, arkeologjisë dhe artit po kthehet në një destinacion që bashkon historinë, krijimtarinë dhe shpirtin e qytetit, duke i dhënë Sarandës një jetë të re. - RTSH-
Lini një Përgjigje