Nga Blanca Berasategui
Atë mëngjes vjeshte të vitit 1985, ndërsa pinte duhan në qoshen e një kafeneje të zhurmshme të Madridit, i jashtëzakonshmi dhe misteriozi Juan Rulfo, me një shikim të tërhequr dhe me një pamje të ëmbël, foli me qetësi dhe qartësi për “Pedro Páramon”; foli për fshatin e pabanuar dhe të mjerë, “në fakt i vdekur”, që del në romanin e tij; foli për heshtjen e tij prej vitesh, për kaosin e Amerikës Latine, të cilën e ndjente aq thellë…
Ashtu si personazhet e tij, fjalët e Rulfos dilnin të dërrmuara, të dëshpëruara, përherë të sunduara nga heshtja.
Duke qenë se ai i urrente intervistat, fliste me një mungesë dëshire njerëzore, me një ngurrim të pafund, përmes të cilit hynte tinëzisht vizioni i tij i shkretuar për këtë botë…
“Ajo pak që kam shkruar tashmë ka vdekur. Ka njëzet e ca vjet që ka vdekur. Dhe ka mundësi të mos shkruaj më kurrë. Por, gjithsesi, çfarë ndryshimi ka?
Ka shumë njerëz që kanë shkruar vetëm një libër në jetën e tyre dhe nuk ka ndodhur asgjë, por ka shumë të tjerë që kanë shkruar tridhjetë vepra dhe askush nuk i njeh. Të shkruash sa për të thënë se shkrove, ç’kuptim ka?”
Ishte hera e parë që shkrimtari e tha këtë dhe donte të më bindte se kishte gabuar, se nuk kishte zgjedhur personazhin e duhur.
Gjithsesi, shkrimtari nuk donte të fliste për arsyet e asaj heshtjeje tridhjetëvjeçare, që ishte një pyetje e kotë, të cilën e dëgjonte gjithmonë.
(Në shqip: Bajram Karabolli)
ObserverKult

Lini një Përgjigje