Kur flitet për kontributin e gruas shqiptare, emrat nuk mungojnë. Ato gjenden gjatë gjithë historisë, por emrat e përveçëm spikasin sidomos në fillim të shekullit XX. Mësueset Sevasti dhe Parashqevi Qirjazi, arkitektja Valentina Pistoli, kirurgia Qemoran Toptani, intelektualja Musine Kokalari, piktoret Androniqi dhe Sofia Zengo, skulptorja Kristina Koljaka, janë vetëm disa prej grave pioniere në fushat e tyre, talenti dhe përkushtimi i të cilave u bë burim frymëzimi për shumë gra të tjera.
Për të rikujtuar dhe për të nderuar këtë trashëgimi, këtë betejë të fituar të grave në shoqërinë shqiptare, Instituti Evropian Pashko organizoi në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës forumin “Gruaja në qendër”, me të pranishme figura të artit, piktore, akademike, përfaqësuese të medias dhe shoqërisë civile. Paneli i përbërë nga rektorja e UET, Drita Kruja, studiuesja Suzana Varvarica, historiania Nevila Nika, gazetarja Mimoza Gavrani-Simo dhe kuratori Abaz Hado, nën moderimin e drejtueses së UET Press, Suadela Balliu, diskutoi për të kaluarën dhe të tashmen e gruas shqiptare, për rëndësinë e edukimit të saj, për mbështetjen që ato duhet t’i japin njëra-tjetrës në sfidat profesionale dhe personale, për të ndërtuar një shoqëri të emancipuar.
Forumi u zhvillua në kuadër të projektit “100 gra piktore në artin shqiptar”, realizuar nga Instituti Pashko, me mbështetjen e Fondacionit Credins, i cili vjen në prag të 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas. Edhe pse shpesh nënvlerësohet rëndësia e kësaj date, ajo është një simbolikë e fuqishme për të kujtuar “luftën” dhe përpjekjet që gratë kanë bërë gjatë historisë për të fituar të drejtat e tyre politike dhe shoqërore, e për t’i gëzuar ato njësoj siç i gëzojnë burrat, gjysma tjetër e shoqërisë.
Drejtuesja e Institutit Liberal Pashko, Lorena Çadri, tha se ideja e këtij forumi erdhi nga dëshira për të sjellë në këtë datë simbolike diçka që mbetet, që nuk zbehet, që i mbijeton kohës dhe dëshmon historinë. Ajo theksoi se projekti “100 gra piktore në artin shqiptar” u konceptua si dokumentim i veprimtarisë së gruas shqiptare në art, pikturë dhe skulpturë.
“Bashkë me profesorin Abaz Hado menduam të sjellim një botim që lartëson figurën e gruas. Krahas këtij forumi, ne po përgatisim një katalog me piktura nga piktore gra, veprat e disa prej të cilave i kemi ekspozuar sot këtu. Ky libër-katalog, ky projekt nuk do të ishte i mundur pa Fondacionin Credins”, theksoi Çadri.
Piktori Abaz Hado, kurator i katalogut, por edhe i shumë botimeve të tjera, ndër të cilat dy albume për ndikimin e shkrimtarit Ismail Kadare në artet figurative, tha se kontributi i gruas shqiptare në art ka qenë gjithmonë në hije. Është folur pak, është njohur pak dhe është vlerësuar akoma më pak. Përmes këtij katalogu, i cili përfshin një sërë brezash dhe artistesh të kohëve të ndryshme, jo vetëm të Shqipërisë, por nga të gjitha trojet shqiptare, do të bëhet e dukshme puna e tyre.
“Ky album bën bashkë 100 gra dhe vajza të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Është një album i grave shqiptare në të gjithë rajonin. Unë e kam studiuar këtë periudhë, kam parë që nuk ka një botim të artisteve gra në botë, të përmbledhura në mënyrë të detajuar. Kështu që më vjen mirë që kjo gjë bëhet në këtë universitet”, u shpreh Hado.
Gruaja shqiptare, dikur dhe sot
Në hyrje të këtij diskutimi reflektues dhe frymëzues, drejuesja e shtëpisë botuese UET Press, Suadela Balliu, kujtoi disa prej emrave të grave shqiptare, të cilat kapërcyen barriera në fusha të ndryshme të jetës publike, duke u bërë pioniere të mendimit, artit, shkencës dhe rezistencës kombëtare, të tilla si Shote Galica, Musine Kokalari, Nexhmie Zaimi, Xhanfize Keko e deri te Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi.
"Ato janë themele mbi të cilat janë hedhur hapa drejt rrugës së barazisë, dijes dhe dinjitetit në shoqërinë shqiptare”, u shpreh Balliu. Duke folur për të tashmen, ajo risolli në vëmendje termin "tavan i qelqtë" apo ndryshe kufiri i padukshëm, mbi të cilin gratë e kanë të pamundur të rriten profesionalisht.
Përtej vlerësimit për punën hulumtuese, në grumbullimin, përzgjedhjen dhe studimin e veprave dhe artisteve të katalogut "100 gra në pikturën shqiptare", kuratorja dhe studiuesja Suzana Varvarica foli për sfidat e gruas në art, për hapësirën dhe mundësinë që i jepet për t’u njohur. Ajo tha se gratë duhet të pranojnë të dërgojnë veprat, pikturat e tyre në çdo ekspozitë që zhvillohet, pavarësisht emrave që i organizojnë. E pikërisht në vazhdën e kësaj përpjekjeje për të ndërtuar emrin dhe për të lënë gjurmë, Varvarica këshilloi që të mos ndalen asnjëherë në punë krijuese, të hedhin në art çdo mendim dhe frymëzim, edhe nëse nuk i ekspozojnë. “Një ditë, kur t’i mblidhni të gjitha, do të shihni se kush keni qenë, çfarë zhvillimi keni marrë dhe çfarë keni dashur të shprehni.”
Sipas saj, mbetet ende sfiduese, por edhe problematike mungesa e kuratorëve, gjë që bëhet gjithnjë e më shumë e dukshme në media. Varvarica tha se çdo piktoreje, çdo ekspozite i duhet një kurator, pasi ai i jep vlerën një vepre arti dhe e veçon atë nga të tjerat.
Duke cituar statistikat në rritje të grave dhe vajzave të arsimuara, rektorja e Universitetit Europian të Tiranës, Prof. Dr. Drita Kruja, tha se akademia mbetet e rëndësishme për të ndërtuar një shoqëri të drejtë, ku secili merr meritat e tij pavarësisht gjinisë. Kjo gjë ka qenë e dukshme edhe në këtë universitet, ku gratë drejtuese nuk kanë munguar asnjëherë, duke regjistruar arritje të rëndësishme për institucionin e më gjerë.
“Universiteti nuk transmeton vetëm njohuri. Ai formon kulturë, mentalitet dhe vizion për shoqërinë. Nëse universitetet krijojnë mundësi të barabarta për gratë, kjo do të reflektohet pastaj edhe në ekonomi, edhe në shkencë, edhe në kulturë”, u shpreh Kruja.
Studiuesja dhe arkivistja e njohur, profesoresha Nevila Nika, bëri një rrugëtim të gruas shqiptare në histori. Ajo tha se në librat e historisë gruaja shqiptare gati është fshirë dhe është reduktuar vetëm në disa emra: nis me Teutën e antikitetit, vijon me Donikën e Mesjetës, e shtohen pastaj në dy shekujt e fundit me Tringë Smajlin, Nora e Kelmendit, Dora d'Istria apo motrat Qirjazi, të cilat i cilësoi si kulminacionin e emancipimit të gruas shqiptare.
“Por në fakt ku ishin gratë shqiptare në këta shekuj?”, ngriti pyetjen historiania, duke dhënë njëkohësisht edhe përgjigjen për rolin e saj në aspektin jetësor, në atë që vlerësohet pak sepse detyra e saj merret si e mirëqenë. “Gratë mbajnë vatrën, mbajnë dhe edukojnë fëmijët, u transmetojnë dije, kulturë, poezitë e Naim Frashërit, dashurinë për atdheun. E po ashtu, ato janë vendimmarrëse, edhe pse duket e pabesueshme, ato kanë pasur fjalën e tyre te burrat.”
Teksa kujtoi të kaluarën, jo dhe aq të largët të luftës në Kosovë, kur ende ishte 13 vjeç, gazetarja dhe psikologia Mimoza Gavrani-Simo tha se ka parë në jetën e saj shumë gra heroina, të cilat kanë përkrahur dhe suportuar në forma të ndryshme kauzën e çlirimit të vendit. “Ato për mua janë heroina pasi kanë mbështetur për të arritur në gjendjen dhe lirinë që ne sot e gëzojmë.” Gavrani foli më tej për sfidat që hasin gratë sot në përditshmëri, në punë dhe familje, në trajtimin që marrin nga institucionet dhe media, ku shpesh janë të dhunuara dhe të stigmatizuara. Ajo kërkoi më shumë mbështetje të grave për gratë, për të zënë secila vendin që i takon, në bazë të vullnetit, përkushtimit dhe arritjeve profesionale.
“Edukimi është i rëndësishëm, titujt janë të rëndësishëm, mirëpo nuk mbaron çdo gjë aty. Ka shumë dyer të cilat ju mbyllen. Mundohuni të krijoni derë tuajën, mundohuni të merrni një karrige që t’iu bashkoheni narrativave të rëndësishme dhe që zëri juaj të dëgjohet.” Sipas saj, gruaja e fuqishme, gruaja e edukuar, gruaja e cila sjell vlerë shpesh shihet si rrezik për tjetrin. Por nëse këto paragjykime tejkalohen dhe tregohet mirëkuptim, atëherë jo vetëm gruaja, jo vetëm fëmija apo burri, por gjithë shoqëria do të jetë e shëndetshme.
Në fund, secili prej të pranishmëve dha përkufizimin e tij për gruan dhe rolin e saj, ndërsa e vendosën në qendër të krijimit dhe vazhdimësisë së jetës dhe njerëzimit. /mapo/
Lini një Përgjigje