Bashkia Memaliaj promovon traditën në “Gurra Popullore” në Top Channel.

7 Mars 2026, 19:47Kulturë Roshi Ajdini

Për herë të parë, Bashkia Memaliaj u paraqit në spektaklin televiziv “Gurra Popullore” në Top Channel, duke promovuar traditat folklorike, veshjet popullore dhe elemente të veçanta të kulinarisë tradicionale. Ky event shënon një hap të rëndësishëm në përfaqësimin e qytetit dhe trevave përreth në një skenë kombëtare.

Ideja për pjesëmarrjen e Bashkisë Memaliaj në këtë spektakël lindi që dy vite më parë, por për shkak të mbylljes së programit, nuk mundi të realizohej. Pas rinisjes së transmetimit, filluan përpjekjet intensive për ta realizuar këtë synim.

Kontaktet fillestare u bënë me Bashkinë Memaliaj nga z. Viktor Aliu, ku z. Albert Mala mbështeti idenë dhe tregoi gatishmëri për organizimin e eventit, duke marrë përsipër anën financiare, por edhe elementë të tjerë të realizimit të kësaj shfaqjeje që përfaqëson gjithë territorin e Bashkisë Memaliaj. Më pas u bisedua me drejtuesit e programit në Top Channel, Edi Manushi dhe Ervin Kurti, për të përcaktuar modalitetet e pjesëmarrjes.

Për menaxhimin e përgjithshëm të aktivitetit u angazhua znj. Enkeleda Fejzo, një veprimtare e njohur për eksperiencën e saj në evente të ndryshme artistike.

Drejtimi artistik dhe përzgjedhja e materialeve u mor përsipër dhe u realizua nga i mirënjohuri Viktor Aliu, i cili koordinoi të gjitha elementet: nga përzgjedhja e grupeve polifonike, orkestrës dhe këngëtarëve popullorë, deri tek organizimi i pjesëmarrësve nga 54 fshatra të Bashkisë Memaliaj, duke përfaqësuar trevat e Buzit, Krahasit dhe qytetin e Memaliajt.

Në këtë mënyrë, spektakli shfaqi pasurinë dhe diversitetin kulturor të bashkisë, duke kombinuar muzikën, vallet dhe traditat e ndryshme të zonës.

Përpjekja e madhe dhe përkushtimi i stafit dhe artistëve solli një prezantim të suksesshëm, i cili jo vetëm promovoi identitetin kulturor të Memaliajt, por edhe tregoi profesionalizmin dhe potencialin artistik të komunitetit.

Ky aktivitet tregon edhe ndryshimin e ndjeshëm që ka pësuar Bashkia Memaliaj gjatë tre viteve të fundit, jo vetëm në menaxhimin e përditshëm, por edhe në fushën kulturore dhe artistike, duke zhvilluar aktivitete të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare.

Meritën kryesore për realizimin e “Gurrës Popullore” e ka kryetari i Bashkisë dhe stafi i tij, ndërsa roli i Viktor Aliut si drejtues artistik është veçuar për ekspertizën dhe kontributin e jashtëzakonshëm në evente si Buzi Folk, Jehona e Vjosës dhe Gurra Popullore.

Konceptimi i realizimit të spektaklit “Gurra Popullore” në Top Channel ishte i ndërthurur bukur dhe me shumë elegancë.

Personalitete të artit dhe të kulturës do të ishin në panelin e studios së Top Channel. Panelin e kryesonte emblema e trevës sonë, i mirënjohuri Agron Llakaj, aktori Mehdi Malka, këngëtari i muzikës popullore qytetare Alket Zaimi, profesor Shyqyri Hysi, historian dhe këngëtar i polifonisë, Bashkim Brahimi, kryetar i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tafil Buzi”, si dhe biznesmeni i suksesshëm, pronar i Vila Sofia në fshatin Gllavë, Hetem Bajrami, bashkë me të shoqen Natasha Bajrami.

Një ndërthurje mjaft e gjetur e panelit me grupet popullore të polifonisë, por edhe të këngës qytetare.

“Gurra Popullore” do të niste me traditën e dasmës, ku do ta çelte kryetari i bashkisë me një marrje kënge, e më pas atmosfera do të vijonte me gjithë ceremoninë e një dasme.

Këtu mund të veçohen kënga dhe vallja e grupit të grave, vallja e grupit kulturor i fëmijëve të Bashkisë Memaliaj të drejtuara artistikisht nga Suela Lusha, këngët e dasmës nga këngëtari i muzikës popullore Alket Zaimi, zërat e bukur të grupeve polifonike të Thesaret Labe me në krye Viktor Aliun, grupi polifonik i qytetit të Memaliajt nën drejtimin e Gramoz Caca, si dhe grupi polifonik i Kalivaçit nën drejtimin e Shyqyri Hysi.

Interesante ishte ndërthurja e batutave të aktorit Myzafer Abedini në skenat e dasmës.
Melodit baritore me fyell nga Levin Alia, do ishte një prezantim i këndshëm i folklorit popullor të trevës së Memaliaj.


Si përherë Agron Llakaj do të shkëlqente në panel, duke sjellë kujtime nga jeta artistike e qytetit të Memaliajt.

Po ashtu shumë interesante ishin edhe kujtimet e aktorit memaljot Mehdi Malka, si dhe interpretimet e shkurtra dhe batutat “hidh e prit” me Agron Llakaj.

Në vijim do të fliste kryetari i Bashkisë Memaliaj, i cili u ndal në aktivitetet artistike dhe sportive të realizuara nga Bashkia Memaliaj, por edhe në punët e shumta të kryera.

Profesor Shyqyri Hysi do të ndalej në historinë e trevës, por edhe në traditën e këngës polifonike.
Kryetari i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tafil Buzi”, Bashkim Brahimi, do të përmendte në fjalën e tij aktivitetet e shumta artistike dhe historike që kjo shoqatë ka realizuar në trevën e Memaliajt, ku vlen të theksohen Buzi Folk, bashkëpunimi për festivalin Jehona e Vjosës, por mbi të gjitha vendosja e shtatores së kryeheroit tonë në Tepelenë, Tafil Buzi.

Nga ana e tyre, Hetem dhe Natasha Bajrami u ndalën në investimin e tyre me Vila Sofia dhe Sofia On Top, duke përmendur sfidat e fillimit, por edhe sukseset e këtij investimi. Natasha u ndal veçanërisht në kulinarinë e shumëllojshme që ofrohet në Vila Sofia.

Surprizë e bukur do të ishte edhe dueti i këngëtarit brilant Ylli Baka me Agron Llakaj, në interpretimin e këngës për qytetin e Memaliajt.

Treva e Memaliajt u përfaqësua denjësisht në televizionin kombëtar Top Channel, duke shpalosur cilësitë më të arrira artistike, me një nivel të lartë interpretimi, falë shumë personave, por mbi të gjitha falë punës së palodhur të udhëheqësit artistik VIKTOR ALIU.

Për më shumë, ndiqeni nesër, më 8 Mars, në Top Channel, në spektaklin “Gurra Popullore”.

Lini një Përgjigje