Me rastin e 90-vjetorit të lindjes së akademikut Bahri Beci (1936-2023), studiues i shquar i gjuhës shqipe, Akademia e Shkencave zhvilloi sot një veprimtari përkujtimore në nder të jetës dhe kontributit të tij shkencor.
Aktiviteti u organizua nga Seksioni i Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike dhe Komisioni i përhershëm i gjuhësisë dhe letërsisë pranë ASHSH-së.
Zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencave, akademik Vasil Tole, vlerësoi figurën dhe kontributin e akademikut Beci në studimet albanologjike dhe në zhvillimin e gjuhës shqipe. Ai theksoi dimensionin ndërkombëtar të veprimtarisë së tij shkencore, duke e cilësuar Becin jo vetëm si një studiues të shquar të shqipes, por edhe si një ambasador të saj në hapësirën europiane.
Sipas Toles, botimet e tij në gjuhë të huaja kanë pasuruar bibliografinë gjuhësore të shqipes dhe kanë zgjeruar praninë e saj në auditorin akademik ndërkombëtar. Ai u ndal gjithashtu te kontributi i veçantë i Becit në studimin dhe standardizimin e gjuhës letrare, duke përmendur veprat “Probleme të politikës gjuhësore dhe të planifikimit gjuhësor në Shqipëri” dhe “Historia e standardizimit të shqipes: politika dhe planifikimi gjuhësor në Shqipëri”.
Në këtë veprimtari përshëndeti edhe profesori Tomorr Plangarica, i cili vlerësoi rolin e akademikut Beci në zhvillimin dhe institucionalizimin e studimeve gjuhësore në Shqipëri. Ai theksoi se përmes studimeve të tij, Beci ka dhënë kontribute të rëndësishme në fusha të ndryshme të gjuhësisë, si dialektologjia e shqipes, politika dhe planifikimi gjuhësor, standardizimi i gjuhës dhe norma gjuhësore, si edhe në studimin e variacionit sociolinguistik dhe në mësimdhënien e shqipes si gjuhë amtare dhe për të huajt.
Në vijim, prof. dr. Anila Omari u ndal në mënyrë të veçantë te kontributi i akademikut Beci në studimet e dialekteve të shqipes. Omari theksoi se Beci është marrë që herët me çështjet e historisë së formimit të dialekteve dhe me problemet e lashtësisë së ndarjes dialektore të shqipes, duke përmendur edhe studimet e tij të hershme të viteve ‘60.
Në aktivitet referuan gjithashtu studiuesit Mimoza Kore, Enkelejda Kapia, Plator Gashi, Mimoza Priku, Merita Bruci dhe Valbona Sinanaj, të cilët rikujtuan kontributin e tij të çmuar në zhvillimin e gjuhësisë shqiptare dhe në promovimin e gjuhës shqipe në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar.
Aktivitetin e përshëndeti edhe vajza e akademikut Bahri Beci, e cila në emër të familjes shprehu mirënjohjen për organizimin e kësaj veprimtarie përkujtimore në nder të jetës dhe veprës së tij. A.K./TemA
Se pari vleresoj kontributin e gjhetarit por qe Akademia e Shkencave feston datlindjet(!? Por me cfare qerasi me llokume apo me kafe?! See, feston datlindje per te vdekurit...