“Mësojmë nga e kaluara 1944–1991” merr mbeshtetje nga partnerët, ASCAP konfirmon gatishmërinë për të bashkëpunuar

6 Mars 2026, 16:54Kulturë TEMA
“Mësojmë nga e kaluara 1944–1991” merr mbeshtetje

Sot zhvilluam një takim të rëndësishëm me partnerë dhe donatorë ndërkombëtarë, ku diskutuam vijimin e punës për ndërtimin e Platformës digjitale edukative “Mësojmë nga e kaluara – Burime arsimore të hapura 1944–1991”, e cila synon krijimin e një hapësirë të strukturuar, të besueshme dhe të aksesueshme për edukimin mbi periudhën e diktaturës komuniste në Shqipëri dhe lidh në mënyrë të drejtpërdrejtë dokumentet arkivore me procesin e mësimdhënies dhe edukimin qytetar të brezit të ri.

Prezantuam për Kryetarin e Prezencës së OSBE-së në Tiranë, z. Michel Tarran. si dhe për përfaqësuesit e Ambasadës së Gjermanisë, Këshillit të Evropës, ASCAP dhe Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK), konceptin e detajuar të platformës, fazat e zhvillimit dhe nevojat për mbështetje, me qëllim mobilizimin e një bashkëpunimi sa më të gjerë për realizimin e kësaj infrastrukture digjitale edukative, shkruan autoriteti.

“Një element vendimtar është mbështetja e qeverisë shqiptare, e cila ka ndarë fonde të mjaftueshme për të nisur ndërtimin e infrastrukturës digjitale fillestare. Kjo na mundëson të kalojmë nga faza konceptuale në zbatim konkret dhe të avancojmë me ritëm të qëndrueshëm.
Hapi i parë drejt krijimit të platformës u hodh tre vjet më parë, me nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit. Tashmë kemi nisur konsultimet intensive me Agjencinë Shqiptare të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin Parauniversitar (ASCAP) për integrimin e platformës në programet shkollore, tekstet dhe standardet pedagogjike.

Analiza e programeve të arsimit parauniversitar tregoi se historia e funksionimit të aparatit të diktaturës – sidomos e ish-Sigurimit të Shtetit – trajtohet në mënyrë të kufizuar në tekstet dhe kurrikulat aktuale. Shumë mësues të lëndës së historisë nuk e kanë përjetuar personalisht këtë periudhë dhe shpesh u mungojnë burime të strukturuara, të verifikuara dhe të përshtatura pedagogjikisht për ta trajtuar plotësisht në klasë.

Dokumentet arkivore që ruajmë nuk janë thjesht dëshmi të së shkuarës; ato na ndihmojnë të kuptojmë mekanizmat e një sistemi që prodhoi padrejtësi të gjera dhe na orientojnë për të ndërtuar një kulturë më të fortë demokratike tek të rinjtë.

Përmes platformës “Mësojmë nga e kaluara”, AIDSSH synon t’i transformojë këto dokumente në burime edukative të hapura, të cilat do t’u shërbejnë mësuesve, nxënësve dhe studiuesve për lexim kritik, analizë dhe reflektim mbi pasojat e ideologjisë totalitare, rëndësinë e drejtësisë dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Platforma do të mbështetet në kontributin e një rrjeti të gjerë studiuesish dhe kërkuesish nga brenda institucionit dhe institucionet partnere, duke përfshirë edhe familjarë dhe dëshmitarë të drejtpërdrejtë të kësaj historie. Gjatë viteve të fundit kemi punuar në mënyrë të vazhdueshme për ta përgatitur këtë bazë bashkëpunimi – nga procesi i digitalizimit të dokumenteve deri te zhvillimi i materialeve edukative. Sot ky proces po merr një formë më të strukturuar dhe të bashkërenduar, me një orientim të qartë pedagogjik në bashkëpunim me Agjencinë Shqiptare të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin Parauniversitar (ASCAP).

Sfida kryesore me të cilën kemi përballur deri tani ka qenë historiografia e vjetër masive, e ndërtuar mbi burime të kufizuara dhe të ngarkuara ideologjikisht, një narrativ i mbyllur, jo i krahasueshëm me standardet evropiane bashkëkohore, si dhe narrativat personale të viktimave që shpesh nuk shoqërohen me fakte të verifikuara arkivore, pa proces redaktorial profesional dhe pa mbështetje të stafit pedagogjik të specializuar. Këto sfida po i adresojmë sistematikisht përmes kësaj platforme.

Deri më sot, fokusi ynë në AIDSSH ka qenë i fortë në punën e drejtpërdrejtë me mësuesit e historisë – përmes trajnimeve, klubeve të librit dhe filmit, materialeve të hapura dhe programeve edukative. Me këtë tryezë pune synojmë të thellojmë dhe të plafikojmë bashkëpunimin, duke përfshirë universitetet shqiptare, institucionet e arsimit të lartë, institucionet e kujtesës historike dhe praktikat më të mira ndërkombëtare në fushën e edukimit për kujtesën, demokracinë dhe të drejtat e njeriut.

Platforma do të ofrojë dy nivele kryesore aksesi: Një nivel profesional për mësues, studiues, autorë tekstesh dhe edukatorë, me materiale burimore, dosje tematike dhe mjete didaktike të avancuara;

Një nivel për nxënës dhe të rinj, me përmbajtje të përshtatur pedagogjikisht, video, aktivitete interaktive, kuize dhe forma inovative të të nxënit përmes historisë.

Zhvillimi do të ecë në faza: fillimisht ndërtimi teknik dhe integrimi i materialeve ekzistuese të AIDSSH-së, më pas krijimi i produkteve të reja edukative si video-leksione, module mësimore, ekspozita virtuale, etj.

Autoriteti fton të gjithë partnerët institucionalë, donatorët dhe aktorët e interesuar – vendas dhe ndërkombëtarë – të bashkohen në zhvillimin dhe mbështetjen e qëndrueshme të projektit, që platforma të shndërrohet në një mjet efektiv dhe afatgjatë për edukimin mbi demokracinë, të drejtat e njeriut dhe reflektimin kritik mbi të kaluarën totalitare.

Prezantimi i projektit u zhvillua nga Ornela Arapi, Drejtore e Drejtorisë së Hulumtimit Shkencor dhe Edukimit Qytetar në AIDSSH.

Lini një Përgjigje