Emin Qani Barin, kryepunëtori dhe restauratori shqiptar i qendrës së famshme arkeologjike të Trojës

6 Gusht 2024, 17:04Kulturë TEMA
Emin Qani Barin, kryepunëtori dhe restauratori shqiptar i qendrës

Nga Kriledjan Çipa

Troja e lashtë apo qendra e sotme arkeologjike e Trojës ndodhet në kodrën e Hisarlikut në provincën e Çanakalasë në Turqi, pranë detit Marmara. U zbulua dhe gërmua në vitin 1871 nga Heinrich Schliemann, ndërsa më vonë u bë objekt gërmimesh e studimesh nga një numër i konsiderueshëm projektesh arkeologjike, ndër të cilët edhe nga projekti i Universitetit të Cincinnatit (SHBA), gjatë viteve 1930. Së fundmi, arkivisti i Universitetit të Cincinnatit Jeffrey L. Kramer, duke “gërmuar” në arkivat e projektit arkeologjik të Trojës, ka nxjerrë në dritë historitë e panjohura të punëtorëve që kontribuan në gërmimet arkeologjike të drejtuara nga Carl W. Blegen. Ndër të tjera, Kramerit i ka tërhequr vëmendjen historia e njërit prej punëtorëve kryesor të këtij projekti, shqiptarit Emin Qani Barin, të cilit i ka kushtuar një artikull në Buletinin e Historisë së Arkeologjisë (Jeffrey L. Kramer, Digging up Troy: The Workers of the University of Cincinnati Expedition to the Troad, Bulletin of the History of Archaeology, 2024, f. 1-20.). Duke u bazuar në këtë artikull, si dhe në një shtjellim të tij në sitin e rëndësishëm italian “Stile Arte, Quotidiano di Cultura dal 1995”, hisotrinë mbreslënëse të shqiptarit që gërmoi e restauroi në Trojë gjatë viteve 1930, po e prezantojmë në mënyrë të përmbledhur edhe për publikun shqiptar.

Projekti arkeologjik i Universitetit të Cincinnati-t në qendrën e famshme arkeologjike të Trojës zgjati rreth 7 sezone, duke nisur nga viti 1932 e deri në vitin 1938. Drejtues i projektit ishte arkeologu dhe profesori i këtij universiteti Carl W. Blegen. Rezultatet e gërmimeve arkeologjike dhe studimet e kryera nga ky projekt ishin shumë të rëndësishme për njohjen e jetëgjatësisë së vendbanimit, trajtimin nga pikpamja arkeologjike e ngjarjeve të njohura nga burimet letrare e historike, por edhe për zbulimin e fazave të panjohura të historisë së tij. Në gërmimet arkeologjike morën pjesë mbi 120 punëtor të kombësive të ndryshme, ku ndër ta spikati shqiptari Emin Qani Barin për aftësitë e treguara në punën në terren, për zotësin e trajtimit të materialit arkeologjik, por dhe për dhuntinë e tij si poliglot. Siç shprehet Blegen, në një letër të dërguar në një klub privat të Universitetit të Cincinnatit, Qaniun, të cilin ai e thëriste Kani ose dhe në formën anglisht ‘Johnny’ e takoi për herë të parë në një mëngjes të muajit Maj 1932 në kantierin arkeologjik, ku fillimisht i ngjalli antipati për shkak të parqaitjes së tij të zymtë, por shumë shpejt ai do të kthehej në mik i vërtet për të dhe do të bëhej një nga bashkëpunëtorët më të çmuar. Por, cila është historia e Emin Qani Barin përpara se ai të shfaqej në kantierin e gërmimeve arkeologjike të Trojës?

Mbi historin e kryepunëtorit shqiptar përpara pjesmarjes në projektin e Trojës, dihen detaje të përgjithshme, kryesisht bazuar në letrat që Blegen i ka dërguar klubit privat të Univeristetit të Cincinnatit. Qaniu duhet të ketë lindur diku rreth fundit të viteve 1800 dhe fillimit të 1900-ës, në provincën e Maqedonisë (kështu e quan Blegen zonën), në një familje shqiptare me përkatësi fetare myslimane. Nuk dihet me siguri fshati i tij i origjinës, por dihet se pas Luftës Ballkanike vendlindja e tij u përfshi brenda kufijve të shtetit grek. Pasi përfundoi shkollën fillore, pas moshës 11 vjeçare, duhet të ketë emigruar në Toronto të Kanadasë, ku gjatë punës në fabrikat e kohës mësoi gjuhën angleze dhe atë ruse (nga shokët e punës), ndërsa më vonë emigroi drejt Ohajos së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku gjithashtu mësoi gjuhën polake. Faktikisht ai ishtë një poliglot, që zotëronte të paktën 7 gjuhë, ku krahas shqipes fliste turiqsht, anglisht, bullgarisht, polonisht, greqisht, rusisht dhe gjuhën ladino (që ndoshta e ka mësuar nga komuniteti hebraik i Selanikut, pasi fshati i tij duhet të ketë qenë pranë). Pas 10 vitesh emigrim, Qaniu u kthye në vendlindje, ku u detyrua të hynte në shërbimin ushtarak të ushtrisë greke. Nuk zgjati shumë shërbimi i tij, pasi dezertoi dhe u aratis për në Shqipëri. Kramer mendon se ai pati probleme për shkak të përkatësisë së tij fetare, por duke njohur tensionet që egzistonin në atë kohë midis shtetit shqiptar dhe shtetit grek, si dhe pretendimet e palës greke për territoret e Shqipërisë së Jugut, me siguri shqiptari Qani e ka gjetur veten në një mjedis armiqësor. Gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri, ai u martua dhe pati një fëmijë. Shumë shpejt për shkak të problemeve ekonomike u detyrua të riemigrojë në Greqi, por këtë radhë e shmangi shërbimin ushtarak. Megjithatë, sërisht qëndrimi i tij në Greqi do të ishte i shkurtër, pasi me firmosjen e Traktatit të Lozanës midis Turqisë dhe Greqisë, ai do të deportohej drejt Turqisë, ashtu si qindra e mijra bashkëkombas të tjerë shqiptarë autoktonë në trojet e tyre, por viktima të nacionalizmit ekstrem të vendit fqinj. Së bashku me familjen e tij, do të vendosej në fshatin Erenkoy, që ndodhet shumë pranë qendrës arkeologjike të Trojës.

Kur projekti i Universitetit të Cincinnatit nisi punë në Trojë në fillim të vitit 1932, Emin Qani Barin u ndodh aty dhe së bashku me rreth 126 punëtor lokal të kombësive të ndryshme (turq, shqiptar, sllav, gjerman etj) nisi të punojë për projektin. Në fushatat e dy viteve të para nuk pati një rol të rëndësishëm, por gjithësesi, spikati dhe u bë i dobishëm për drejtuesin e projektit për shkak të aftësisë së tij për të folur shumë gjuhë të huaja. Në këtë mënyrë u bë ndërmjetës midis drejtuesit të projektit dhe punëtorëve të tjerë, duke krijuar mundësin e komunikimit midis tyre. Në vitin 1934, jo vetëm për shkak të aftësive të tij të komunikimit, por sigurisht për shkak të aftësive të tij si punëtor në terren, si dhe të aftësive menaxherjale, spikati, duke u promovuar në detyrën e kryepunëtorit të kantierit. Krahas mbikqyrjes së gërmimeve arkeologjike, ai ishte supervizori i ndërtimit të një hekurudhe për kantierin, e cila shërbeu për transportimin e dheut larg nga zona e gërmimit. Ai kontribuoi dhe drejtoi punimet për ndërtimin e godinave të ndryshme të nevojshme për infrastrukturën e projektit, si godina e laboratorit të restaurimit, godina e rojeve, ajo e magazinimit etj. Gjithësesi, detyra më e rëndësishme që ai pati në këtë projekt ishte ajo e restauratorit të objekteve të qeramikës, madje aq i aftë ishte në këtë zanat, sa ju ngarkua detyra e trajnimit të pesë të rinjve të tjerë, duke krijuar kështu një ekip restauratorësh, të cilët kishin si detyrë restaurimin e gjetjeve të vogla (small findings), kryesisht enët e qeramikës. Si mjedis pune apo labortor terreni shërbeu godina e ndërtuar po prej tij.

Kjo është historia e panjohur e Emin Qani Barin, shqiptarit që kontribuoi në gërmimet arkeologjike në Trojë, në vitet 1932-1938, si restaurator qeramike dhe si kryepunëtor me detyrën e mbikqyrjes së gërmimeve arkeologjike. Ai rezultoi të ishte administrator i shkëlqyer, me një kontribut të rëndësishëm në ndërtimin e infrastrukturës, e cila ndihmoi shumë në mbarvajtjen e projektit. Ai spikati në radhët e puntorëve të shumtë, duke marë një rol të rëndësishëm në projekt. Në këtë këndvështrim ai ka pjesën e tij të kontributit në arritjet dhe suksesin e Universitetit të Cincinnatit në Trojë. Historia e Emin Qani Barin na bën të reflektojmë dhe të kuptojmë, se sa pak e njohim ne kontributin dhe historinë e arkeologëve dhe restauratorëve shqiptar brenda dhe jasht vendit tonë përpara Luftës së Dytë Botërore. Me siguri, arkivat e universiteteve dhe bibliotekat e ndryshme në botë fshehin histori të shumta shqiptarësh, të cilat presin të “gërmohen”, studiohen e botohen.

2 Komente

  1. P
    Pjeter mustaku

    Cfare mendo Lutfi Dervishi per kete labin e mootit?

    Përgjigjjuni
    1. J
      Jorgo

      ende po vret mendjen per ata 4 tradhetyaret e terbacit qe i kane leruar aren e s'emes

      Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje

    Blog Tema