Faik Konica: Kjo është Çamëria, të cilën grekët e shtrembërojnë në Camuria

9 Gusht 2025, 15:54Kulturë TEMA
Faik Konica: Kjo është Çamëria, të cilën

Prej disa kohësh, ndërmjet Italisë e Greqisë po zhvillohet për Shqipërinë një përleshje paraprake me fjalë, gjë që mund të jetë pragu i një konflikti të armatosur. Italia ngre çështjen së Greqia mbante një pjesë të madhe territori që i përket Shqipërisë, ndërsa Greqia e mohon me zë të lartë këtë pretendim.

Shumë amerikanëve u është dukur e çuditshme që, ndërsa zëri i italianëve dhe grekëve dëgjohej, nuk ndihej zëri i pavarur i Shqipërisë.

Porse, a nuk ka thënë, njëherë, një autor anglez se një nga karakteristikat e shqiptarëve është se ata janë të “paartikuluar”? Kërkesave të përsëritura unë u jam përgjigjur se nuk kisha gjë për të thënë, ndërsa atyre miqve amerikanë, të cilëve ndjenjat e tyre dashamirëse u japin të drejtën të më pyesin përse ashtu, u jam përgjigjur se më kishte ardhur gjithçka në majë të hundës dhe se kisha vendosur që këtej e tutje të mbetesha një spektator i thjeshtë i tragjedive dhe i farsave të botës.

Por tani është një grup atdhetarësh shqiptarë që më kërkon të bëj një deklaratë. Këta miq shqiptarë dinë për mua disa gjëra që miqtë e mi amerikanë nuk i dinë.

Siç dihet nga të gjithë, në periudhën e lashtë shqiptarët quheshin ilirë. Rajoni i diskutueshëm në lashtësi njihej si Iliria e Jugut dhe më vonë është quajtur Shqipëria e Jugut, ndërsa grekët kanë vendosur ta quajnë Epir, një emër që do të thotë “kontinent”; në zanafillë përdorej për këtë rajon nga banorët e ishujve të vegjël, përtej bregut të Shqipërisë, po ashtu si peshkatarët e ishujve Bahamas do ta quanin Floridën “kontinenti”, me një emër që nuk ka asnjë lidhje me kombësinë e popujve që banojnë në kontinentin në fjalë. Ky rajon, gjatë afër pesë shekujve të sundimit turk, përbënte vilajetin ose provincën e Janinës, me qytetin e Janinës si kryeqendër.

Jo vetëm që ky rajon ka qenë gjithmonë shqiptar nga gjuha dhe kombësia, por kufijtë e fiseve ilire shkonin shumë larg përtej. Madje, edhe ishujt Jonianë kanë qenë kryesisht ilire. Në një libër të famshëm, që e njohin mirë studiuesit, “Fjalori i antikiteteve klasike” të Lybkerit, tek artikulli për Kërkyrën (Korfuzin) vihet në dukje se ai ishull “në zanafillë banohej nga ilirët”.

Ky rajon e ka ruajtur natyrën e vet ilire të pandryshuar; deri edhe kaq vonë sa i bie në shekullin e dhjetë të erës sonë, perandori i Bizantit, Leoni i Mençur, në një nga librat e tij përmend faktin që “banorët e Epirit janë shqiptarë”. Pak nga pak, depërtimet greke nisën të ndiheshin në disa pjesë të këtij rajoni. Se si u bënë të mundshme këto depërtime, ne e dimë nga disa autoritete të dorës së parë.

(II)Në gjysmën e dytë të shekullit të katërmbëdhjetë, Janinën e qeveriste një princ bizantin (ose një despot, siç e kishte titullin zyrtar) i quajtur Thanas. Këtij Thanasi i hipi në kokë ideja e bukur për të vrarë gjithë shqiptarët. Ju mund të dyshoni se mos këto ngjarje janë nxjerrë nga ndonjë legjendë shqiptare e shtrembëruar ose nga ndonjë fletushkë propagandistike italiane.

Siç thotë Dukasi, një nga lojërat e tyre të parapëlqyera ishte t’u priste hundët ose pjesë të tjera shqiptarëve dhe t’i linte të vdisnin në agoni. Disa krerë feudalë shqiptarë e kërcënuan Thanasin me një ekspeditë ndëshkimore, nëse ai nuk do t’i ndërpriste krimet kundër shqiptarëve. Thanasi u përmbajt një farë kohe dhe e martoi vajzën e vet me princin më të fuqishëm të asaj kohe, me Gjin Shpatën.

Pas njëfarë periudhe, Thanasi i nisi përsëri përndjekjet, madje edhe më të egra se më parë. Siç shkruan Mihail Dukasi, ndërsa Gjin Shpata mblodhi një ushtri dhe e rrethoi Janinën, kryeqytetin e vjehrrit të vet, Thanasi çdo ditë, nën flamurin e armëpushimit, i dërgonte Shpatës një shportë me sy të nxjerra nga kokat e shqiptarëve fatkeqë dhe kjo dhuratë e kobshme vazhdoi derisa u hoq rrethimi.

Pas pesëdhjetë vjetësh, më saktë më 1431, një ushtri e fortë osmane erdhi me gjëmime te portat e Janinës, e cila, ndërkaq, ishte ripopulluar me të ardhur, dhe me një sulm qyteti u pushtua. Është për t’u shënuar fakti se, pasi i bënë një mbikëqyrje krahinës, turqit e klasifikuan atë si pjesë të Shqipërisë. Por ka edhe diçka më domethënëse dhe krejt të pakundërshtueshme. Turqit bënë një regjistrim të kujdesshëm të qyteteve e të fshatrave dhe emrat e këtyre vendeve kanë dalë më pas në botimet zyrtare në trajtat e tyre shqip e jo greqisht. Për shembull, le të marrim rastësisht dy emra, dy qendrat e quajtura shqip Delvina dhe Grevena.

Ato janë regjistruar përkatësisht Dhelvinon dhe Grebene. Turqit e hershëm kanë qenë të përpiktë, me hollësi të madhe për shënimin e emrave të vendeve, duke parapëlqyer gjithmonë trajtat e mirëfillta popullore. Për shembull, pas rrethimit të parë të Vjenës, turqit nisën ta shkruanin Ëian me një A të gjatë, që është trajta e vërtetë popullore dhe, sa kohë zgjati Perandoria Osmane, ata iu përmbajtën kësaj trajte, duke flakur trajtën artificiale Wien.

Pushtimi turk solli një ndryshim të rëndësishëm në jetën e Shqipërisë. Për arsye që janë tepër të gjata për t’i shtjelluar këtu, shumë shqiptarë e lanë krishtërimin dhe u bënë myslimanë, e kjo lëvizje vijoi për dy shekuj, derisa rreth 65 % e popullsisë u bë myslimane; pjesa tjetër mbeti e krishterë.

Në Veri, si besimtarë të kishës Perëndimore e në Jug të asaj Lindore, që shpesh quhet gabimisht kisha greke. Meqë në kishën e dytë shërbesat bëhen greqisht dhe kleri është në pjesën më të madhe grek, u krijua mundësia për grekët që të shkombëtarizonin shqiptarët, duke e përsosur kishën si mjet të propagandës.

Një faktor tjetër ka qenë ardhja tinzare e banorëve që flisnin greqisht, shpesh të favorizuar me budallallëk nga pronarët shqiptarë, të cilët kishin nevojë për bujqër, për të zëvendësuar shqiptarët që iknin në luftërat e pafund të Perandorisë Osmane. Ngritja e Greqisë si shtet i pavarur i dha një shtysë të fuqishme propagandës greke. Tashmë grekët nisën haptas të shpallnin se çdo besimtar i kishës Lindore, pavarësisht nga gjuha dhe kombësia, ishte grek.

Grekët ranë, madje, edhe më poshtë: nuk e kishin për gjë të kallëzonin atdhetarët shqiptarë të ndershëm si rebelë dhe bënin që ata t’i degdisnin në burgje të largëta.

Pas luftërave ballkanike Turqia Evropiane u copëtua dhe Fuqitë e Mëdha nuk mund ta injoronin ekzistencën e kombësisë më të lashtë të gadishullit. Shqipëria u bë shtet, por u rrëgjua në një të katërtën e madhësisë së vet natyrore. Dikush mund ta mendonte se pas kësaj do të ishin të kënaqur dhe do të rrinin urtë, se do të përpiqeshin, po të ishte e mundur, të zhvillonin marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me pjesën që mbetej të Shqipërisë.

Mirëpo ndodhi e kundërta. Duke përfituar nga fakti që Turqia, një vit më parë i kishte çarmatosur plotësisht shqiptarët, një ushtri me grekë, e organizuar dhe e maskuar si njerëz civilë, vërshoi mbi gjithë Shqipërinë dhe nisi të djegë e të vrasë gjithçka i dilte përpara. Në Shqipëri, në atë kohë kanë qenë në qendër të këtyre krimeve të organizuara dy dëshmitarë të huaj: autorja e njohur angleze, Meri Edit Durham, dhe një korrespondent gjerman. Të dy ata u tmerruan dhe u morën vesh që t’ia bënin të njohur të gjithë botës çdo gjë që këta e quanin si një nga krimet më të mëdha të organizuara në të gjitha kohërat.

Për fat të keq, plasi Lufta Botërore dhe tërhoqi vëmendjen e të gjithëve. Por më 1920, me titullin “Njëzet vjet ngatërresa ballkanike”, Miss Durham botoi një libër, ku një kapitull i plotë i kushtohet njoftimeve për këto masakra. Kushdo që dëshiron ta kuptojë konfliktin e sotëm nuk mund të bëjë pa e parë këtë libër.

Mashtrimi i grekëve kishte për qëllim që t’i paraqiste si turq shumë myslimanë shqiptarë dhe t’i dërgonte me anije në thellësinë e Azisë së Vogël, duke i bërë objekt shkëmbimi. Kjo është njësoj sikur të syrgjynosësh irlandezët në Poloni, duke u nisur nga fakti se edhe irlandezët, edhe polakët, janë katolikë edhe prandaj qenkan të një kombësie. Komisioni Ndërkombëtar për Shkëmbimin e Popullsisë e zbuloi mashtrimin, në pak raste, dhe e ndaloi, por shumë herë të tjera atij ia hodhën me mjeshtëri.

Po të shqyrtohen dëshmitë e vjetra për gjendjen e kombësisë në viset e ndryshme të rajonit të diskutuar, habitesh me ndryshimet që janë bërë nëpërmjet dredhive dhe mashtrimeve të organizuara. Në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë, një anëtar i kishës së Anglisë me emrin Stjuart Hjuz, ka bërë një udhëtim nëpër Shqipëri dhe ka lënë shënime për vëzhgimet e veta.

Megjithatë, në rajonin e diskutuar ka një krahinë të gjerë, qëndresa e patrembur e së cilës i ka kapërcyer të gjitha format e organizuara të vrasjeve, mashtrimeve dhe grabitjeve. Kjo është Çamëria, të cilën grekët e shtrembërojnë në Camuria. (Nuk u vë faj grekëve, për këtë shtrembërim që vjen nga paaftësia e alfabetit grek për të riprodhuar gjithë tingujt e gjuhës shqipe dhe të shumë gjuhëve të tjera për këtë çështje).

I ndjeri senator Kabot Loxh (Cabot Lodge) në shtypin grek dilte gjithmonë me emrin Kampot Lone. Popullsia e Çamërisë tani vonë, më 1913, ka qenë 96 % shqiptare. Ky përpjesëtim tani është ulur me akte dhune dhe unë mund të sjell si shembull shumë punëtorë që derdhin djersën në fabrikat e Amerikës, të cilët i kanë pasur prindërit pronarë të lulëzuar në Çamëri, më pak se një vit më parë.

E megjithatë, në kundërshtim me gjithë këtë përndjekje, ende shqiptarët përbëjnë 80 % të popullsisë së Çamërisë.

Ndërsa tani Italia është gati të ndërhyjë, duke na shpallur si qëllim se kërkon të vërë në vend dëmet që i janë shkaktuar kombit shqiptar dhe të rivendosë kufijtë natyrorë e historikë të Shqipërisë. Është e arsyeshme të presësh nga çdo shqiptar i vërtetë se do të jetë i pakënaqur nga ky veprim.

Por, ka dhe më. Shumë larg nga Shqipëria historike, në Greqinë e brendshme ka pothuaj një milion shqiptarë, gati gjysma e të cilëve ende e flet gjuhën e vet të lashtë. Këta njerëz kanë një mall ideal për Shqipërinë dhe në të kaluarën kanë nxjerrë dëshmorë të çështjes shqiptare. Ata mund të shkëmbeheshin me grekët e rajonit të diskutuar dhe, më së fundi, të gjithë do të ishin të kënaqur.

Porse, siç pohojnë grekët, Italia kërkon të arrijë qëllimet e veta duke zgjeruar kufijtë e Shqipërisë. Unë pajtohem me këtë plotësisht, por më duhet të shtoj se ky pohim nuk ka peshë dhe është thjesht një përpjekje për t’i bërë bisht çështjes. Çështja është a ka qenë gjithmonë pjesë përbërëse e Shqipërisë ish-krahina turke e Janinës? Në qoftë se kjo është e vërtetë, a mund të bjerë poshtë, automatikisht, kjo e vërtetë vetëm e vetëm sepse e thonë edhe italianët?

(Faik Konica, “Ju rrëfej grekët”, botuar në “New York Times”, më 1940)

 

Lini një Përgjigje