Edicioni i gjashtë i "Porto Palermo Festival" me mesazhe të forta për mbrojtjen e mjedisit

26 Korrik 2026, 15:14Kulturë TEMA
Edicioni i gjashtë i "Porto Palermo Festival" me mesazhe të

Ashtu si edhe vitet e tjera, edhe edicioni i gjashtë i Porto Palermo Festival nisi përtej skenës artistike, me një mesazh të fortë në mbrojtje të mjedisit.

Mbi 150 vullnetarë dhe zhytës të përkushtuar iu bashkuan një aksioni për pastrimin e zonës përreth Kalasë së Porto Palermos dhe të detit, duke dhënë një shembull konkret të përgjegjësisë qytetare dhe kujdesit për natyrën.


I mbështetur si projekt edhe nga Bashkia e Himarës, aktiviteti sensibilizues, që i parapriu hapjes së festivalit, kishte në qendër edhe ndërgjegjësimin për ruajtjen e mjedisit dhe promovimin e turizmit të qëndrueshëm.

“Ne e titulluam aktivitetin le te shpëtojmë detin. Kështu që ta prezervojmë, te mirëkujdesemi për detin. Nga aty pastaj, nga deti kalon te toka, kodrat e plazhet. Ato mbrëmjet janë magneti që thithin njerëzit, populli”, tha violinisti dhe organizatori i Porto Palermo Festival, Olen Çesari.

“Ne me kënaqësi, që nga momenti parë, do të vazhdojmë të mbështesim Olenin, e jo vetëm aktivitetin e Porto Palermos”, tha kryetari i bashkisë Himarë, Vangjel Tavo.

“Janë festivale që ndiqen jo vetëm nga vendasit, nga pushuesit shqiptarë, por edhe nga të huajt kështu që janë aktraksione shumë të mira për të gjithë turistët që vijnë”, tha Zv.Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Marinela Prifti.

Aksionit për pastrimin e detit iu bashkuan edhe zhytës profesionistë, që kontribuuan në largimin e mbetjeve nga fundi i detit, duke përcjellë një mesazh të qartë për mbrojtjen e ekosistemit detar.

“Një iniciativë për të sensibilizuar njerëzit për ndotjen që ndodhet poshtë detit”, tha zhytësi, Igli Pustina.

“Është viti i katërt që ne angazhohemi. Marrim pjesë çdo vit në bashkëpunim edhe me federatat që janë për pastrimin e zonës, gjithashtu forcat lokale dhe grupet e zhytjes”, tha komandanti i grupit në qendrën e zhytjes në Pashaliman, Edison Pelivanaj.

Organizatorët theksojnë se Porto Palermo Festival nuk synon vetëm të sjellë art dhe kulturë në një nga destinacionet më të veçanta të Rivierës Shqiptare, por edhe të promovojë turizmin kulturor të qëndrueshëm.

Edicioni i gjashtë hap siparin më 30 korrik me Ansamblin Folklorik Shqiptar, që do të sjellë një udhëtim në rrënjët e traditës shqiptare përmes këngës, valles dhe kostumeve popullore, në një skenë ku historia dhe muzika ndërthuren natyrshëm.

Për të dhuruar netë magjike të mbushura me muzikë, emocione dhe performanca artistike në skenën e Kalasë së Porto Palermos.

Më 2 gusht, violinisti me famë ndërkombëtare Olen Çesari rikthehet në Porto Palermo Festival me një koncert që bashkon elegancën e muzikës klasike me energjinë e improvizimit dhe tingujt bashkëkohorë.

Me ndërthurjen e kulturës, mbrojtjes së mjedisit dhe promovimit të trashëgimisë, Porto Palermo Festival synon të forcojë identitetin e kësaj zone, duke e kthyer atë në një pikë referimi për turizmin në Shqipëri.

Ndërkohë, numri i turistëve që vizitojnë Porto Palermon po vijon të rritet, duke e kthyer zonën në një prej destinacioneve më të frekuentuara të sezonit veror. A.K./TemA

Lini një Përgjigje