Pse kompozitori i filmit "The Odyssey" zgjodhi Shqipërinë dhe jo Greqinë!

26 Korrik 2026, 13:10Kulturë TEMA
Pse kompozitori i filmit "The Odyssey" zgjodhi Shqipërinë

Në botën e muzikës së filmave, pakkush arrin të krijojë revolucion ashtu si kompozitori fitues i çmimeve Oscar dhe Grammy, Ludwig Göransson. I njohur si një prej mendjeve më brilante muzikore të brezit të tij, i krahasuar madje dhe me kompozitorin legjendar Beethoven për aftësinë e tij ndërthurëse, Göransson ka befasuar kritikën botërore me zgjedhjen e tij për kolonën zanore të produksionit gjigant rreth jetës së Odisesë. Në kërkim të tingujve më arkaikë dhe më autentikë që bota moderne mund të ofrojë për të përfaqësuar muzikalisht antikitetin mesdhetar, artisti suedez nuk i ktheu sytë nga Greqia, djepi zyrtar i mitologjisë, por zgjodhi Shqipërinë. Ai solli në Hollywood iso-polifoninë shqiptare dhe tingujt melankolikë të instrumenteve autoktone si culja dyjare (fyelli i dyfishtë).

Në emisionin "Dekalog", akademiku dhe arkeologu Apollon Baçe ka ofruar një shpjegim analitik dhe thellësisht shkencor se përse kompozitori zgjodhi pikërisht traditën e vendit tonë. Sipas Baçes, kjo nuk ishte thjesht një trill artistik. Göransson ka një nuhatje të pashoqe si studiues dhe etnomuzikolog. Kur atij iu desh një zë që të rezononte me epokën e bronzit dhe mitologjinë e rënies së Trojës, ai zbuloi se në Greqinë moderne, këngët e atij lloji dhe thellësia arkaike ishin asimiluar ose kishin humbur përgjithmonë përgjatë shekujve. Në kontrast, falë izolimit gjeografik dhe forcës konservuese të kulturës ilire e më pas shqiptare, isopolifonia mbijetoi e paprekur në formën e saj më të kulluar, aq sa sot ajo mbrohet si 'Kryevepër e Trashëgimisë Gojore dhe Jomateriale të Njerëzimit' nga UNESCO.

Për të thelluar kërkimin e tij, kompozitori udhëtoi në Shqipëri, ku zhvilloi takime intensive me akademikun dhe nënkryetarin e Akademisë së Shkencave, Vaso Tole. Profesor Tole, i cili njihet si studiuesi kryesor dhe absolut i iso-polifonisë shqiptare, e furnizoi artistin amerikan me kontakte, materiale autentike, dhe një kuptim të thellë të strukturës polifonike. Baçe nënvizon se për ta kuptuar muzikalisht këtë fenomen vokal, duhet hyrë në botën e 'kontrapunktit'. Njëlloj si në muzikën baroke të Johann Sebastian Bach, ku fugat ndërtohen nga vendosja e njërit zë përmbi zërin tjetër në mënyrë të pavarur por harmonike, ashtu edhe në isopolifoni, 'marrësi', 'kthyesi' dhe zërat e tjerë që mbajnë 'ison' krijojnë një arkitekturë komplekse vokale. Është një ndërtim muzikor jashtëzakonisht i vështirë që kërkon aftësi të lindura dhe transmetohet me mjeshtëri vetëm brenda traditës së paprishur.

Një vëmendje e veçantë gjatë bisedës iu kushtua edhe instrumentit të fyellit. Baçe e përshkruan fyellin, veçanërisht culjen dyjare të luajtur mjeshtërisht në traditën shqiptare, si mjetin e vetëm muzikor që arrin të imitojë në mënyrë drithëruese zërin e njeriut. Ai arrin të përçojë tingujt më sublimë: që nga pëshpëritja e gjetheve në erë, lindja e diellit, e deri te vajtimi therës për humbjen e të dashurve. Ky tingull ka gjetur vend perfekt në skenat dramatike të Odisesë, veçanërisht në ngjyrimet mistike të ishullit të Kalipsos.

Lini një Përgjigje