Te gjithë ata maturantë që kanë vendosur të vijojnë studimet e larta do të kenë mundësi që të hënën, më 27 Korrik, e deri më 1 Gusht të aplikojnë në faqen zyrtare të portalit U-Albania për të përzgjedhur degën e tyre të studimit.
Drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar, Arjan Xhelaj, sqaron se maturantët, duke u bazuar mbi notën mesatare, si dhe kriteret e vendosura nga universitetet, përzgjedhin deri në 10 programe studimi sipas preferencave të tyre.
“Me fillimin e procesit të aplikimit, data 27, procesi vijon për gjashtë ditë, siç ka qenë çdo vit. Është i hapur gjatë gjithë kohës portali, kështu që nuk kanë nevojë ose ankth për të aplikuar i pari ose i fundit, të aplikojnë gjatë gjithë momentit deri ditën e fundit, në mesnatë. Procesi është i hapur”, tha Xhelaj.
Aplikimi mund të kryhet në çdo mjedis ku ka akses interneti, si në shtëpi, nëpërmjet telefonit, por edhe pranë çdo shkolle të mesme në ato raste kur do të kenë nevojë për t’u konsultuar me mësuesit.
“Ti mund të aplikosh nga çdo kompjuter me internet në Shqipëri, jashtë Shqipërisë, s’ka rëndësi fare. Mjafton që të kesh idetë e qarta, sepse pas mbylljes së procesit, në momentin që ti e ke konfirmuar aplikimin, nuk mund të rikthehesh mbrapa për të bërë një aplikim tjetër”, tha ai.
Pas kryerjes së regjistrimit në degën përkatëse, çdo maturant ka të drejtën e çregjistrimit për 2 ditë rresht në fund të çdo raundi, nga një program studimi që ai ka zgjedhur më parë, për t’u regjistruar kështu në një tjetër program studimi. Raundi i parë i aplikimit nis më 26 gusht deri më 8 shtator, raundi i dytë vijon nga 15 deri më 17 shtator dhe gjithçka përmbyllet me raundin e tretë në datat 8 tetor – 21 tetor 2026. /rtsh.al
Lini një Përgjigje