Festa “Logu i Bjeshkëve”, Begaj: Tradita është thesari ynë kombëtar

12 Gusht 2025, 09:00Kulturë TEMA
Festa “Logu i Bjeshkëve”, Begaj: Tradita është

Presidenti Bajram Begaj, mori pjesë në festën tradicionale të “Logut të Bjeshkëve” në Malësinë e Madhe, një ngjarje që mishëron shpirtin malësor, identitetin dhe trashëgiminë kulturore shqiptare.

Në fjalën e tij, Begaj vlerësoi këtë manifestim si një simbol të bashkimit të komunitetit rreth vlerave të mikpritjes, kulturës popullore dhe krenarisë për gruan malësore.

Presidenti e cilësoi këtë festë si një dëshmi të gjallë të pasurisë shpirtërore të veriut të vendit, që promovon jo vetëm bukurinë dhe traditën malësore, por edhe unitetin dhe identitetin shqiptar.

“Logu i Bjeshkëve është një ritakim me historinë, me artin, me veshjet, vallet, këngën dhe natyrën. Ai na kujton fuqinë e rrënjëve, respektin për zakonet dhe përkushtimin për t’i ruajtur e përcjellë ato brez pas brezi.  Këtu, në alpet shqiptare, ku natyra ruan madhështinë e saj dhe ku zakonet flasin ende me zërin e brezave, Logu i Bjeshkëve nuk është vetëm ngjarje festive, por është një dëshmi e gjallë e pasurisë shpirtërore dhe etnografike të trevave veriore të Shqipërisë, një homazh për traditat e zonës, për bukuritë natyrore, për patriotizmin dhe identitetin tonë kombëtar.

Ai përfaqëson jo vetëm festën e bukurisë, shpirtit dhe traditës malësore, por edhe një vlerë të çmuar për unitetin, kulturën dhe dinjitetin shqiptar. Logu i Bjeshkëve është qilimi i kulturës shqiptare i shtruar mes gjelbërimit të këtyre grykave magjepsëse, i qëndisur me gojëdhënat e këtyre trojeve, i shoqëruar me tingujt e kthjellët të kësaj krahine dhe i ndërkombëtarizuar veçanërisht përmes Xhubletës, tashmë pasuri e kulturës botërore njerëzore”, tha Begaj.

Në përfundim, Begaj bëri thirrje për mbrojtjen dhe promovimin e këtyre vlerave për brezat që do të vijnë, duke i kthyer ato në asete të çmuara kombëtare dhe evropiane.

“Ky manifestim unik përçon për brezat e sotëm e të ardhshëm mesazhe të rëndësishme për ruajtjen e vlerave tradicionale, trashëgiminë tonë kulturore dhe bashkimin e komuniteteve rreth zakoneve të lashta dhe mikpritjes së Malësisë. Përmes veshjeve popullore, këngëve epike, valleve dhe simbolikës së “Vajzës së Bjeshkës”, Logu vazhdon të jetë një udhërrëfyes i gjallë i identitetit të palëkundur shqiptar në thellësi të alpeve.

Me rastin e Logut të Bjeshkëve, uroj që kjo festë e trashëgimisë sonë të çmuar kulturore të vazhdojë të mbledhë zemrat e malësorëve dhe të gjithë shqiptarëve rreth vlerave të identitetit, krenarisë dhe bukurisë, sepse këtu në Malësi identiteti dhe traditat nuk janë muzeale. Ato janë pjesë e të përditshmes, ato jetohen, ruhen në sofra, në biseda, në ndërlidhjet me natyrën, në vargjet e kësaj zone, si ato të Gjergj Fishtës që na flasin përjetësisht.  

Udhëtimi ynë drejt integrimit evropian na mëson t’i kthejmë këto thesare në asete të mbrojtura. Le të punojmë e të sigurohemi që ne do t’ua lëmë, siç i trashëguam, këto thesare, këto peizazhe, bashkë me legjendat e tyre, brezave të ardhshëm, duke i promovuar e forcuar”, tha presidenti.

- RTSH-

Lini një Përgjigje