
Frikë dhe Drithërimë- Përsëritja me siguri janë menduar si një diptik nga filozofi danez Soren Kierkegaard. Kjo është arsyeja pse kanë ardhur në një botim në shqip, përkthyer me mjeshtëri nga shkrimtari dhe përkthyesi Bashkim Shehu, një sqimatar i fjalës dhe një intelektual i mirëfilltë. Botuar nga Pika Pa Sipërfaqe.
Shkrimtari, filozofi dhe poeti danez Kierkegaard njihet si një prej baballarëve (të shumtë) të ekzistencializmit, edhe atij të krishterë.
Kierkegaardi ishte një antihegelian i bindur dhe një hedonist akoma më i bindur. Ai, megjithatë nuk ishte një filozof i çarsyes si Friedrich Nietzsche, sivëllai i tij në vendin që zënë në historinë e filozofisë.
Kiekegaard ishte një poet i afektit, ai ishte një mendimtar i efemeres, ndjenjave jo imanente, të paprekshme, si xhelozia, dashuria, besimi, miqësia.
Ai nuk ishte një mendimtar metafizik dhe kjo e bashkon me Niçen. Besimi i Kierkegaard vjen si aludim i besimit origjinal. Besimit që vihet në provë. Besimi i krishterë lind nga ai hebre, dhe besimi hebre lind nga besimi i babait të besimeve, atit të kombeve, Abrahami të cilit perëndia i kërkon sakrifikimin e djalit të tij Isakut. Abrahami është aq i patundur sa do e bënte sikur ëngjëlli të mos ndërhynte në momentin e fundit për ta zëvendësuar Isakun me një bagëti.
Por kjo nuk është e gjitha. Te “Frikë dhe drithërimë” Kierkegaard poetizon dhe pyetëson pikërisht rrugëtimin e heshtur të Abrahamit për të sakrifikuar të birin, pyetjet e birit dhe heshtjen e tij.
Detyra përballë dashurisë.
Dhe është pikërisht dashuria që hulumton Kierkegaard te “Përsëritja”. Një djalosh i ri që do një vajzë por që mundohet nga dija e dashurisë e cila i pamundëson të mbërrijë objektin e dashuruar. Kierkegaard si shpeshherë ironik luan me faktin ekzistencial se përpjekja është absurde dhe vëtëm ta pamundëson qëllimin dhe se objekti i dashuruar ka vlerë vetëm kur nuk është i joti, por në momentin që e mbërrin ai humbet çdo vlerë. Pra djaloshin e ri e tërheq loja më shumë se vetë vajza. Djaloshi i ri është një kumarxhi, jo një i dashuruar. Por me këtë gjest politik Kierkegaard (edhe me shembullin e vet apo me ditarin e joshësit) mundohet të tregojë se ndryshe nga dashuria hyjnore që predikon kisha (dante – beatriçe) “dashuria e vërtetë” është një vallëzim më shumë se një shëtitje.
A do të thotë kjo se e vetmja dashuria në botë është ajo familjare dhe vëllazërore? Ato që se kanë lexuar duhet të lexojnë librin. Ato që e kanë lexuar, ta lexojnë prapë.
Lini një Përgjigje