
(me përkthim nga Alfred Bushi)
“Çështja jugore” u shkrua pak para se Gramsci të burgosej, por arriti të botohej vetëm më 1930. Në të përvijohen thuajse të gjitha temat dhe fushat e interesit që do të përbënin bërthamën e “Fletoreve të burgut”.
Duke e parë kundërvënien midis Jugut dhe Veriut në kornizën e luftës së klasave, Gramsci analizon në mënyrë të shtresëzuar marrëdhëniet kulturore, politike, sociale, ekonomike të shoqërisë italiane, për të hedhur dritë mbi kontradiktat e mprehta mbi të cilat u ngrit fashizmi. Si disa nga shkrimet më të mira të Gramsci-t, kjo ese mbetet, si për nga temat, si për nga metoda, një udhërrëfyes i dorës së parë për një analizë të gjithanëshme të marrëdhënieve shoqërore bashkëkohore.
Antonio Gramsci (1891-1937) ishte gazetar, aktivist politik dhe mendimtar italian. Ai përfaqëson një nga interpretuesit më me peshë të mendimit marksist në periudhën midis dy luftërave botërore. Përmes krijimit të koncepteve kyçe në analizën e sociologjisë dhe historisë, Gramsci e shqyrtoi me mprehtësi dhe origjinalitet gjendjen e politikës dhe kulturës në epokën moderne. Për shkak të këtyre cilësive, idetë e tij patën ndikim të gjerë për mendimtarë e veprimtarë të mëvonshëm të të gjithë spektrit politik.
Gramsci u rrit në një familje të varfër në Sardenjë, studioi në Torino, u anëtarësua në Partinë Socialiste Italiane, dhe përmes shkrimeve dhe aktivitetit mobilizues politik spikati që herët në radhët e së majtës italiane të kohës. Ai ishte ndër themeluesit e Partisë Komuniste Italiane, i së cilës u bë më pas edhe sekretar i parë. Kontributin më të rëndësishëm, veçanërisht te “Fletoret e burgut”, Gramsci e dha pas burgosjes së tij nga autoritetet fashiste italiane më 1926. Vdiq në moshën 46-vjeçare në Romë, tre vjet pas lirimit me kusht për arsye shëndetësore.
Lini një Përgjigje