Gjumi mbi borë i Ridvan Dibrës

21 Shtator 2024, 16:14Kulturë Adri Kalaja

Gjumi mbi borë i Ridvan Dibrës

Çfarë keni parë ndonjë film të bukur në kinema?  Kështu do të duhej të fillonte çdo orë mësimi në universitet, ose, edhe në maturë. Ose, çfarë keni lexuar ndonjë gjë të hajrit? Por jetojmë në një botë të shpejtësisë dhe shpirti i njeriut është diçka e ngadaltë.

Letërsia, e bukura, e ëmbla, e brishta nuk ka shumë vend përpara morbozes dhe të egrës, solides, të hekurtës. Shqipëria është dhe një vend që ka nxjerrë njerëz si Nënë Tereza por ka nxjerrë dhe korifenj të rreptësisë si Enver Hoxha.

Vetëm kaq për Enverin. Mjaftohemi me kaq.

Dua të flas për gjëra më të këndshme dhe dua të mos përsëris veten. Fjala është për një libër të Ridvan Dibrës, “Gjumi mbi borë”. Është një libër i veçantë. Rrëfen një histori autentike, një histori të përjetuar, një histori që i ka rënë në qafë një njeriu dhe një histori që është mes fiksionit dhe të vërtetës.

Këtë lind dhe finokëria. Në të vërtetë “e vërteta” është një koncept më së paku surreal, një koncept i cili është relative. Në situatat e gjëndjes së jashtëzakonshme të njerëzimit siç dhe janë diktaturat e vërteta nuk ka shumë vlerë. Ne, si njerëzim jemi të detyruar të ruajmë qetësinë mendore për hatër të humanizmit.

Ridvan Dibra dhe Ridvan Dibra personazh dërgohet të japë mësim në malësi për shkak të një opinioni që kishte shprehur, dërgohet që të mësojë dhe të disiplinohet dhe të mos bëjë më gabime.

Në fakt, ky është dhe shpëtimi i jetës së tij. Atje, në atë shkollë, ai gjen një bibliotekë mjaft të pasur, zbulon Stendalin dhe gjithashtu të (pa)famshmin libër të shkalitjes së çelikut.

Por atje ai has dhe anekdota. Has për herë të parë dhe kokëfortësinë e nxënësve. Has shpirtin autentik të shqiptarit.

Libri është një risi në letrat shqipe pasi shoqërohet me imazhe të bashkëprintuara, i ngjan pakëz “Stambollit” të Orhan Pamuk dhe “Austerlici” të Sebald.

Dhe jam i sigurt që kjo nuk është një rastësi. Ridvan Dibra është një profesor i letërsisë dhe njeri i kulturuar. Kjo është e detyrueshme për një shkrimtar, nuk mund të lexosh pa shkruar.

Ridvan Dibra është pikërisht shkrimtar i mirë që nuk bie dakord me realitetin për gjithçka dhe kjo është e vetmja kritikë që mund (dhe duhet) ti bëhet.

Mund të vdesësh, jemi në garë të përhershme kundër vdekjes, ky është dhe mesazhi që nxjerrin libra kësisoj.

Histori kësisoj!

Ajo që do të donim më shumë në jetë do të ishte një verë pafund, një verë që shkrin të gjithë akujt, një verë e plazhit, një verë që nuk do të shkaktonte ngrohje globale.

Kjo verë është e të gjithë njerëzve, është dhe e xhandarëve që dënojnë me dimër dhe si në romanin e Ridvan Dibrës dimri bëhet verë, në verë ku djaloshi bëhet burrë.

Libri i Ridvan Dibrës i ngjan shumë romaneve të Dostojevskit. Ky i fundit i donte shumë përrallat dhe në fakt “Gjumi mbi borë” lexohet si përrallë. Një përrallë me precizion të lartë që nuk mund të lërë pa lënë shenjë asgjë nga subkoshienca e lexuesit.

Duke thënë të vërtetën mund të themi ama se e vetmja pjesë që nuk ngjan me përrallën është fakti që nuk të vë në gjumë, dhe ky është komplimenti më i madh që mund ti bëjmë librit.

Gjithsesi, siç vihet re nga librat e tjerë të Ridvan Dibrës komplimentet nuk kanë vend, ai është dhe shkrimtar që të lë gojëhapur. “Histori të thjeshta, krejt të thjeshta” është një tjetër libër që ai që lexon njëherë librin e Dibrës duhet ta marrë sërish, do duhet të krijojë varësi për një autor që edhe pse jeton në Shkodër nuk vuan aspak nga sindroma e provincializmit.

As Shkodra nuk vuante dikur nga sindroma e provincializmit por varfëria sjell çdo gjë, edhe përbuzjen ndaj kulturës, dashurinë ndaj idhujve, tifozllëkun e gjelave, urrejtjen ndaj librit, zëvendësimin e kinemasë me telenovela.

Ridvan Dibra me “Gjumi mbi borë” është një thesar i pazbuluar për Shkodrën. Libri nuk është shumë i gjatë, është një mendim i koncentruar. Një mendim ekonomik. Një libër për të gjithë, pa dallim moshe dhe gjinie. Ridvan Dibra, në një dimension të tij, është shkrimtar feminist, te libri i tij tjetër “Gruaja që deshe” e vëmë re më së miri këtë gjë. Mund të themi një gjë të tillë pa asnjë dozë patetizmi. Te ai libër i kërkohet ndjesë të gjitha grave për krimet që burrat shqiptarë (shqiptare, tepër shqiptare) bëjnë ndaj tyre, qoftë kur nuk i japin një të puthur para gjumit ose i braktisin apo tradhtojnë. Nuk kemi nga ta dimë cila është më e keqja.

Më së fundmi, Ridvani mbetet një shkrimtar postmodern, një shkrimtar që siç e ka thënë dhe vetë nëpër intervista frymëzohet nga Houellebecq por njëkohshëm nuk e lë pa kritikuar këtë të fundit.

Në këtë libër, në këtë udhëtim me tren përmes peizazhesh malorë mbetet vetëm tju urojmë: Mos flini!

 

Lini një Përgjigje