Lagjja dhe shtëpitë ku jetuan Poradeci dhe Kuteli do restaurohen! Qeveria jep 650 mln lekë, punimet pritet të nisin në nëntor

21 Shtator 2024, 09:57Kulturë TEMA
Lagjja dhe shtëpitë ku jetuan Poradeci dhe Kuteli do restaurohen!

Këto rrugica të kalldrëmta të lagjes ‘Topleci’ në Pogradec ku jetuan dy kolosët e letrave shqipe Lasgush Poradeci e Mitrush Kuteli do t’i nënshtrohen restaurimit të plotë. Një kërkesë e kahershme e komunitetit që më në fund ka marrë dritën jeshile nga Qeveria e cila ka akorduar fondin prej 650 milionë lekësh. Projekti do të zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i cili ka lidhur kontratën me bashkinë dhe tashmë është në fazën e përzgjedhjes së kompanisë që do kryejë punimet.

“Më në fund u hartua dhe u miratua projekti nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit për rikonstruksionin e fasadave, çative dhe rrugicave të lagjes muzeale ‘Topleci’ dhe rrugës ‘Naim Frashëri’. Brenda 2 muajve të ardhshëm fillojnë punimet”. Do të jetë një pol i ri i turizmit në Pogradec. Eshtë firmosur marrëveshja mes Bashkisë Pogradec dhe FSHZH-së dhe pritet të nisë puna në terren sa të përfundojnë procedurat ligjore”.

Pjesa më e rëndësishme e këtij projekti është kthimi në muze i shtëpisë ku ka jetuar Poradeci dhe rindërtimi nga themelet i shtëpisë ku ka jetuar Kuteli.

“Në marrëveshje me pronarët do të shpronësohet dhe të kthehet në muze, shtëpia e Lasgush Poradecit dhe po përmes marrëveshjes me pronarët do të rindërtohet shtëpia e Kutelit në të njëjtin truall. Pjesë e projektit janë shkolla e dytë shqipe dhe fototeka Cici”.

Punimet pritet të nisin brenda dy muajve të ardhshëm dhe do të zgjasin një vit e gjysmë. Në projekt përfshihen rehabilitimi i plotë i kalldrëmeve, unifikimi i fasadave dhe çative në lagjet muzeale “Topleci” dhe rruga “Naim Frashëri" duke i dhënë një tjetër dimension turizmit në qytetin liqenor. A.K./TemA

1 Komente

  1. A
    Asdez

    O qeverri shikoni bibloteken si e keni lene ne mes te tiranes

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje