Nga Ylli Demneri
Midis viteve 2000 dhe 1200 para erës së re, flitej tashmë për një pemë (bredhi), ditën e 24 dhjetorit, meqenëse kjo ditë konsiderohej si rilindja e diellit. Keltët kishin miratuar një kalendar të bazuar në ciklet hënore. Çdo muaj hënor shoqërohej me një pemë, bredhi ishte ai i 24 dhjetorit. Për ritin pagan të solsticit të dimrit, një pemë simbol i jetës, zbukurohej me fruta, lule dhe grurë. Në vitin 354, për të rivalizuar me këtë festë pagane, Kisha vendosi 25 dhjetorin si kremtimin e lindjes së Krishtit. Fillimisht kremtimi i Krishtlindjes përbëhej vetëm nga një meshë.
Thuhet se një murg ungjillizues gjerman nga fundi i shekullit të VII-të, Shën Bonifaci (lindur në vitin 680), donte të bindte priftërinjtë gjermanë, rreth Geismarit, se lisi nuk ishte një pemë e shenjtë. Kështu ai preu një lis. "Ndërsa ra, lisi shtypi gjithçka përreth, përveç një bredhi të ri." Duke u nisur nga ky moment, legjenda bëri punën e saj. Ajo thotë se Shën Bonifaci e cilësoi këtë rastësi si një mrekulli dhe në të njëjtin predikim deklaroi: “Tash e tutje, ne do ta quajmë këtë pemë, pema e Fëmijës Jezu. Që nga ajo kohë, në Gjermani mbillen bredhë të rinj për të festuar lindjen e Krishtit. Në shekullin e 11-të, pema e Krishtlindjes, e zbukuruar me mollë të kuqe, simbolizonte pemën e parajsës. Në shekullin e 12-të do të shfaqet tradita e bredhit në Evropë, më saktë në Alsace. Dhe për herë të parë, po në Alsacë, rreth vitit 1521 do të përmendet shprehja "pema e Krishtlindjes". Në shekullin e 14-të, dekorimet përbëheshin nga mollë, karamele dhe ëmbëlsira të vogla. Në të njëjtën kohë, filloi të përhapet ylli në majë të pemës, si simbol i yllit të Betlehemit. Do të ishin protestantët, të cilët nga viti 1560 do ta zhvillojnë traditën e pemës së Krishtlindjes për t'u dalluar nga katolikët. Në shekujt 17-të dhe 18-të shfaqën për herë të parë bredhët e ndriçuar. Për këtë do të përdoren lëvozhga arre të mbushura me vaj në sipërfaqen e të cilave do të vendosen fitila lundrues ose qirinj fleksibël të lidhur rreth degëve.
Në vitin 1738 Marie Leszczynska, gruaja e Luigji të XV, mbretit të Francës, do të vendosë një pemë Krishtlindjeje në Pallatin e Versajës. Më pas, gjithnjë e më shumë do të shohim pemë të Krishtlindjes, dhe veçanërisht në Alsace-Lorraine, ku tashmë ekzistonte tradita e bredhit. Në vitin 1837, Dukesha e Orléans-i, Hélène de Mecklenburg, me origjinë gjermane, do të zbukurojë një bredh në Tuileries. Kjo traditë u përhap pas luftës së vitit 1870 në të gjithë vendin falë emigrantëve nga Alsace-Lorraine, të cilët ia bënë të njohur gjerësisht traditën e pemës së Krishtlindjes të gjithë francezëve. Dhe që nga ajo kohë i gjithë vendi adoptoi këtë traditë.
Pas luftës së dytë botërore, punëtorët duan që të marrin pjesë me jetën e ndërmarrjeve të tyre. Fillojnë të shfaqen sindikatat dhe ndër traditat e vendosura, shumë shpejt do të jetë edhe ajo e pemës së famshme të Krishtlindjeve. Përgjatë një pasditeje, fëmijët e punonjësve janë të ftuar në një shfaqje që shoqërohet me të ngrëna dhe dhurata, pa harruar pemën e madhe të Krishtlindjes të zbukuruar dhe të instaluar për këtë rast.
Lini një Përgjigje