Protagonisti romanit 'Qyteti dhe muret e tij të pasigurta', pak e imagjinon se vajza me të cilën ka rënë në dashuri është gati të zhduket nga jeta e tij. Ata u takuan gjatë një konkursi mes studentëve nga institute të ndryshme dhe nuk e shohin shpesh njëri-tjetrin. Në takimet e tyre, ulur nën wisteria në një park ose duke ecur përgjatë brigjeve të një lumi, e reja fillon të flasë me të për një qytet të çuditshëm të rrethuar me mure, që ndodhet, me sa duket, në një botë tjetër; Pak nga pak, ajo përfundon duke rrëfyer ndjenjën e saj shqetësuese se vetja e saj e vërtetë është në atë qytet misterioz.
“Qyteti dhe muret e tij të pasigurta” bazohet në një novelë që ju keni shkruar në 1980-ën. Pse e menduat të rëndësishme t’i jepni një audiencë të re tani?
Ajo vepër është e vetmja që kam shkruar dhe nuk kam lejuar të ribotohet si libër. Thënë ndryshe, thjesht nuk isha i kënaqur me historinë. Mendoja se tematika ishte mjaft e rëndësishme, por për fat të keq, në atë kohë nuk kisha aftësitë e duhura për të rrëfyer ashtu siç doja. Dhe vendosa të merrja kohën e duhur, derisa të kisha fituar aftësitë e nevojshme si shkrimtar për ta rishkruar të gjithë historinë.
Ndërkohë, kisha shumë projekte të tjera që doja të ndërmerrja dhe thjesht nuk kisha kohë të merresha me të. Kështu, si pa kuptuar, kaluan dyzet vjet dhe po aq pa kuptuar, një ditë isha 70 vjeç. Mendova se do të ishte mirë t’ia nisja nga puna nëse doja vërtet që ta përfundoja këtë libër, duke qenë se mund të mos më mbetet mjaftueshëm kohë. Gjithashtu, ndjeva një nevojë të fortë që të përmbushja përgjegjësitë e mia si romancier.
Librin e shkruat gjatë karantinës dhe rrallë keni dalë nga shtëpia gjatë kohës që shkruanit. A ndikoi kjo mënyrë të shkruari në stilin dhe përmbajtjen e historisë?
Sigurisht, ndërsa e shkruaja këtë roman, kisha nevojë për një lloj paqeje e qetësie, por edhe për kohë që t’i mendoja gjërat. Fakti që qyteti në libër është i rrethuar me mure, ishte po ashtu një metaforë e izolimit botëror. Si mundet që njenja dhembshurisë të bashkëekzistojë me izolimin ekstrem? Kjo ishte një nga tematikat kryesore të romanit dhe, në këtë aspect, përbën një tejkalim të rëndësishëm të novelës mbi të cilën bazohet.
Disa lexues japonezë u ndjenë konfuzë në lidhje me librin. Të tjerë thonë se elementet surreale përbëjnë një nga kënaqësitë më të mëdha gjatë leximit të romaneve tuaja. A ju pëlqen t’i lini lexuesit me pyetje pa përgjigje?
Mendoj se një roman i mirë gjithmonë synon të parashtrojë pyetje sfiduese, pa dhënë përfundime të thjeshta dhe përgjigje të gatshme. Do të më pëlqente që, pas leximit të librave të mi, lexuesit të mbeteshin me diçka që i bën të mendojnë. Përshembull, çfarë mbylljesh do të ishin të mundura? Unë vet bëh disa aludime të ndryshme në çdo histori që shkruaj, në mënyrë që t’i lë lexuesit të mendojnë. Por, ajo çfarë do të doja është që lexuesit t’i shfrytëzojnë ato për të arritur në përfundimet e tyre.
Kur shkruani për një personazh si rrëfimtari tek “Qyteti…”, apo Toru tek “Kronika e zogut kurdisës,” ose Kafka tek “Kafka në Breg,” gjer në ç’pikë jeni duke shkruajtur për veten?
Personazhet që flasin në vetë të parë në romanet e mia, nuk më përfësojnë domosdoshmërisht mua si person, por mua si njeriu që mund të kisha qenë. Është magjepsëse t’i ndjekësh këto mundësi, duke qenë se nuk kemi shumë mundësi për të qenë tjetërkush veç vetes.
Ndër autorët që kanë shkruar në anglisht dhe ju keni përkthyer në japonisht, përfshi këtu Salinxher, Ficxherald, Çendllër, Karver dhe Kapot, cili prej tyre është më i rëndësishëm për ju?
Jam ndikuar nga secili prej tyre. Por, më tërheq veçanërisht stili brilant dhe tejet elegant i Ficxheraldit dhe Kapotit, edhe pse është krejt i ndryshëm nga imi. Personalisht, jam mjaft i dashuruar me stilin e Çendlërit.
Çfarë ndryshimesh keni vënë re në lexueshmërinë e veprave tuaja, sinë Japoni edhe në skenën ndërkombëtare, dhe a është bërë më e lehtë të shkruani me kalimin e kohës?
Duket se, si në Japoni edhe jashtë saj, numri i lexuesve të mi vijon të rritet dhe kjo shpesh më tremb. Në Laos, një lexues tajlandez më ndaloi në rrugë për të më përshëndetur. Në Dresden, ishte një lexues nga Shqipëria, ndërsa në Tokio, ishte një indonezian. Shpesh ndihem sikur nuk jam vetja ime e vërtetë, sikur jam shndërruar në një lloj personi fiktiv… Por, asgjë nga këto nuk ma ka lehtësuar të shkruarin dhe as ma ka vështirësuar. Thjesht jam mirënjohës që kaq shumë njerëz, një numër që nuk e mendoja kurrë, lexojnë librat e mi. Jo çdokush është kaq i bekuar sa ç’jam unë.
A iu ndikoi kritika e Mieko Kauakamit, bërë në 2017, në lidhje me se si ju shkruani për personazhet femërore, në mënyrën se si shkruani për to tani?
Librat e mi janë kritikuar kaq shumë përgjatë viteve, saqë nuk mbaj mend në ç’kontekst janë bërë një pjesë e madhe e tyre. Dhe nuk as nuk iu kushtoj shumë vëmendje kritikave.
Mieko është një mike e ngushtë e imja dhe një grua tejet inteligjente, ndaj jam i sigurt se çfarëdolloj kritike të ketë bërë, ka patur të drejtë. Por, sinqerisht nuk më kujtohet se çfarë ekzaktësisht ka kritikuar. Meqenëse po flasim për gratë dhe veprat e mia letrare, koinçidon që kam të njëjtin numër lexuesish meshkuj dhe femra, një fakt që më lumturon pa masë./ Përgatiti në shqip për TemA, Bjorn Runa
Marrë nga 'The Guardian'
"Mendoj se një roman i mirë gjithmonë synon të parashtrojë pyetje sfiduese, pa dhënë përfundime të thjeshta dhe përgjigje të gatshme." Pas. Nuk qenka për mua dmth. Kur autori i le gjërat pezull, dmth që as ai vetë nuk ka një shpjegim dhe nuk do i bëj unë detyrat e shtëpisë për autorin.