Fundjavën që lamë pas, në kinema “Millennium” nisi cikli i filmave të rinj të kinematografisë italiane, me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturës në Tiranë, që u zhvillua nga data 12 deri në 16 prill.
Cikli “Italian Screens” nisi me filmin “Gloria” të regjisores Margherita Vicario, një film që ngre lart forcën, vendosmërinë dhe kërkimin e vetvetes.
Programi përfshinte edhe projeksionin e filmit të animuar për fëmijë, “La bicicletta di Bartali”, i regjisorit Enrico Paolantonio, një film që i bën jehonë heroizmit dhe vendosmërisë së Gino Bartalit, një nga çiklistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave.
“Italian Screens” ishte një mundësi për të mos u humbur për adhuruesit e kinemasë, sporteve dhe historisë italiane.
“Është një nismë që e bëjmë çdo vit për të prezantuar kinemanë e re italiane. Kemi prezantuar të gjithë filmat më të fundit dhe jemi shumë të lumtur që kemi pasur filma shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri. Filmat e shfaqur kanë qenë filma të autorëve të rëndësishëm italianë, por dhe tre filma të parë të autorëve të rinj, mes tyre dhe një film animacion. Ndërkohë është mbajtur edhe një masterklas me studentët në Akademinë e Arteve. Shpirti i kësaj nisme është të shfaqim kinemanë e re italiane, që është e vështirë të shihet në televizion apo në platforma të tjera dhe në të njëjtën kohë të krijojmë mundësi bashkëpunimi,” tha Alessandro Ruggera, drejtori i Institutit Italian të Kulturës.
“Italian Screens” është një cikël për t’i bërë të njohur jashtë vendit protagonistët e kinemasë italiane, për të krijuar një audiencë që vlerëson produksionet e shkëlqyera të momentit, por edhe për të prezantuar më të mirën e asaj që ofron sistemi audioviziv italian, me qëllim inkurajimin e bashkëprodhimeve, rritjen e cilësisë profesionale të industrisë dhe ndërkombëtarizimin e kinemasë.
/RTSH/
Lini një Përgjigje