Java Kulturore Italiane në Shqipëri do të çelet mbrëmjen e 1 qershorit me një koncert nga Orkestra “Magna Grecia”, interpretuar në Kishën Katolike në Tiranë.
I njëjti koncert do të përsëritet një natë më pas, në 2 qershor, në Amfiteatrin e Durrësit, në një hapësirë që ndërthur historinë dhe artin.
Programi i javës kulturore që përfshin muzikë, modë, diazanj, kinema, kuzhinë e kurse të ndryshme u prezantua të hënën, ndërsa ambasadori i Italisë në Shqipëri, Marco Alberti vuri theksin te një bashkëpunim më i gjerë me të rinjtë.
“Është një program i strukturuar në tre koncepte: E ardhmja- duke përdorur miqësinë dhe të shkuarën, të forcojmë bashkëpunimin, ku do të ketë pjesëmarrje më të gjerë të të rinjve. Fjala e dytë është bashkëpunimi. Java është jo për të promovuar Italinë, por për të realizuar bashkëpunime me Shqipërinë, duke bërë gjëra së bashku. Koncepti i tretë është ndërveprim”, – thotë Marco Alberti, ambasador i Italisë në Shqipëri.
17 veprimtari të ndryshme do të mbahen në qytetet e Shqipërisë përgjatë një jave.
“Si Institut Italian i Kulturës ne organizojmë një seri aktivitetesh gjatë vitit, por Java e Kulturës Italiane është një moment kyç, sepse përpiqet të përmbledhë një seri aktivitetesh në një plan të gjerë veprimtarish e fushash vetëm në një javë. Sa i përket artit pamor, këtë vit kemi zgjedhur një ekspozitë nga Enzo Cucchi-t, një përfaqësues i denjë dhe shumë i njohur i artit bashkëkohor italian”, vëren Alessandro Ruggera, drejtor i institutit Italian të kulturës
Java Kulturore Italiane do të mbyllet me datë 8 qershor me një festival në natyrë me ushqime italiane dhe muzikë.
/euronews/
Lini një Përgjigje