Ismail Kadare dhe vepra e tij fitoi pavdekësinë këtë vit. Krijimtaria e kolosit të letrave shqipe është pasuri për vendin dhe për këdo që shfleton romanet e tij.
Ndërkohë disa nga autorët që janë rritur me artin që Kadare nxori nga pena dhe mendja e tij, kanë marrë kohë dhe me plot dëshirë i janë dedikuar studimeve për të. Kështu, njëri prej tyre, gazetari dhe publicisti i njohur Bedri Islami sjell për lexuesin dhe dashamirësin e letërsisë librin “Kadare i oborrit apo i lirisë”, ku autori synon të gjejë përgjigjen e pyetjes nëse Kadare i ka shërbyer oborrit të pushtetit të shkuar apo ka qenë një dishepull i lirisë.
Ky botim i UET Press u promovua në Qendrën e Solidaritetit Fundjavë Ndryshe, në praninë e zonjës së shkrimtarit të madh, Helena Kadare.
“Kur fillova ta shkruaj këtë libër, në një takim që patëm me Ismailin, më dha vetëm një porosi, mos zbukuron asgjë, mos më bëj ashtu siç nuk jam“, u shpreh Bedri Islami për mediat.
“Dua t’ju siguroj që Ismaili do të ishte i kënaqur nga ky libër“, tha Helena Kadare e cila është dhe shkrimtare vetë dhe së fundmi ka ardhur me librin e saj me tregime botuar nga "Onufri".
Personalitete nga fusha të ndryshme të pranishëm në aktivitet kujtuan Kadarenë si artistin guximtar dhe luftëtar të lirisë por edhe si "disidentin" me "d" të madhe të kohës së Hoxhës.
“Kadare është apartiak, i takon të gjitha palëve. Madje është një pikë e fortë referimi për qenien tonë. Kadare ishte kurajoz, ishte guximtar, do të thosha që shumë bashkëjetues të Kadaresë tentuan të përplasen me të nëpërmjet ideve të tyre, por fati i tyre i tyre nuk qe i".
“Liria ka gjithmonë një çmim, dua të kujtoj diçka që më ka thënë në prezencë të Helenës në një nga drekat tona, ku tha ndoshta askush nuk e ka ditur, por unë kam qenë i lumtur, sepse ia kam dalë të shkruaj të gjitha ato që kisha përbrenda”, rrëfeu kryetarja e parlamentit, Elisa Spiropali.
Në fund, si një kujtim i paçmuar, zonja Kadare vendosi në këndin e personaliteteve në Qendrën e Solidaritetit Fundjavë Ndryshe portretin e njeriut që ishte dashuria dhe frymëzimi i saj.
“Kam kënaqësinë dhe nderin të ve foton e Kadaresë që e solla posaçërisht për ju”, tha zonja Kadare.
/topchannel/
Lini një Përgjigje