Kryetarja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Ina Zhupa kërkoi sot që të mbahet një seancë dëgjimore me ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja për situatën në burgun e Spaçit.
Zhupa u shpreh se, ‘javët e fundit po ndodh një skandal, një procedurë jashtë normales, një procedurë jo ligjore, por mbi të gjitha jo në respekt të kujtesës historike të shqiptarëve, të dhimbjes së shqiptarëve”.
“Në kampin e përqendrimit, në burgun e Spaçit, po bëhen retushime, ngjyrosje, bojatisje, mermerizim, ledizime nëse mund t’i quaj këto, të cilat nuk kanë për qëllim mbrojtjen dhe trashëgiminë e asaj që ka ndodhur aty dhe atë që ne duhet t’i transmetojmë fëmijëve tanë, brezave të ardhshëm, por edhe vetë bashkëkombësve tanë për tmerrin, ferrin që ishte Spaçi dhe për atë që personifikonte Spaçi si një burgim për të gjithë ata që vendosnin të ishin ndryshe nga qeveria, të mendonin ndryshe nga pushteti, të mendonin ndryshe nga diktatori, për t’i treguar atyre që liria e shprehjes, që liria e mendimit ndryshe ka kosto, ju vendosni që ta tjetërsoni, ta zbukuroni, ta ndryshoni dhe ta ktheni pak a shumë në një hotel luksi në imazhin tuaj, sesi do duhet të ishte Spaçi”, tha ajo.
Zhupa u shpreh se, “unë i jam bashkuar edhe në vetë të parë, të gjithë shoqatave të të përndjekurve politikë, fondacioneve që kanë reaguar dhe të gjithë atyre që janë ndjerë të prekur edhe në vetë të parë, por edhe atyre që janë ndjerë të prekur për shkak të rëndësisë që duhet të ketë mbrojtja e të tilla institucioneve për historinë, kulturën, traditën dhe për memorien e përbashkët që duhet të kemi për atë çka i ka ndodhur Shqipërisë në diktaturën më gjakatare ndoshta që ka njohur edhe Evropa”.
Për këtë arsye shtoi ajo, kam dëgjuar një seancë dëgjimore me ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, me drejtoreshën e Institutit të Trashëgimisë Kulturore, me shoqatat e të përndjekurve politike, sepse, shtoi ajo, “ne nuk mund të rrimë mënjanë, ne nuk mund të themi ç’punë kemi ne, ta zgjidhin ata”.
Ndërsa nën/kryetarja e Komisionit, Evis Kushi u shpreh se, “ne sigurisht që e vlerësojmë edhe shqetësimin, jo vetëm për çështjen e burgut të Spaçit, por në përgjithësi vëmendjen për trashëgiminë kulturore, ndërkohë që në rastin konkret ministri ka bërë një reagim shumë të qartë dhe shterues para dy ditësh në lidhje me këtë çështje dhe reagimi i tij, i cili është i shoqëruar edhe me foto nga vendi, ku duket dhe vërtetohet që, jo vetëm po respektohet projekti dhe kushtet e kontratës, por edhe objektivi kryesor për të ruajtur dhe konservuar vlerat historike të këtij objekti.
“Në fakt fotot janë publike dhe duket qartë megjithatë ministri e ka deklaruar që po shqyrtohet çdo përgjegjësi mbi çfarë ka ndodhur deri tani për sa i takon zbatimit të projektit, madje dhe ka kërkuar ndjesë për alarmin, e ka quajtur të drejtë, por e rëndësishme është që aty është ndërhyrë dhe sot që flasim fotot tregojnë qartë që jo vetëm po ruhen vlerat por po merren masa edhe për sigurinë, edhe për ta zhvilluar këtë vend që të jetë edhe i aksesueshëm për turistët dhe gjithë të interesuarit”, tha Kushi.
Pas diskutimeve u ra në një dakordësi parimore për një seancë dëgjimore me ministrin Gonxhe, drejtuesen e Institutit të Trashëgimisë Kulturore, dhe me përfaqësuesit e shoqatave të të përndjekurve politikë, teksa për datën e seancës do të diskutohet brenda kryesisë së Komisionit.
/atsh/
Lini një Përgjigje