Kujtesa që shëron: Fjala e psikologut Neli Demi, në aktivitetin përkujtimor “Valiasi – nga kamp në përkujtim” (VIDEO)

23 Gusht 2025, 11:48Kulturë TEMA
Kujtesa që shëron: Fjala e psikologut Neli Demi, në aktivitetin

Kujtesa që shëron: Drejtësia riparuese dhe plagët e komunizmit
 Fjala e psikologut Neli Demi, në aktivitetin përkujtimor “Valiasi – nga kamp në përkujtim”, organizuar më 23 gusht, Ditën Ndërkombëtare që kujton Viktimat e Regjimeve Totalitare..

“Ky ështe një këndvështrim profesional mbi domosdoshmërinë e kujtesës së traumave gjatë periudhës së komunizmit në Shqipëri dhe pasojave të tyre në shoqerinë e sotme Shqiptare.
Do doja ta filloja me një shprehje që e dëgjojmë shpesh si përpjekje për të ngushëlluar njëri tjetrin: ‘Të shkuara të harruara!’

Më duhet të them, që me gjithë qëllimin e mirë të kësaj shprehjeje, në thelbin e saj, kjo është një iluzion!!! Dhimbjet e forta, sidomos ato shpirtërore, nuk harrohen. Plagët që krijohen ose ngelen të hapura dhe shkaktojnë kronikisht dhimbje ose cikatrizohen (mbyllen) por gjithmonë na kujtojnë atë çfarë i ka krijuar.

Plagët më të thella të një shoqërie nuk janë gjithmonë ato që shihen.

Ato shpesh fshihen në kujtesën e heshtur të njerëzve, në sytë që shmangin rrëfimin, në trupat që kanë mbijetuar, por nuk kanë gjetur ende paqe.

Kampet e internimit në Shqipërinë komuniste nuk ishin vetëm vende fizike vuajtjeje.
Ato ishin hapësira ku u thye besimi tek njeriu, ku dinjiteti u mohua, ku frika u bë ajri i përditshëm.
Të mbijetuarit e atyre kampeve nuk dolën prej tyre të lirë. Shumë prej tyre mbetën të burgosur brenda kujtimeve, brenda heshtjes, brenda traumës.

Por historia nuk mbaron me ta.
Dhimbja nuk u ndal në kufijtë e një brezi. Ajo kaloi tek fëmijët dhe nipërit, shpesh si ankth i pashpjegueshëm, si mosbesim, si një ndjenjë e pashpjeguar turpi ose faji.
Kjo është ajo që quajmë traumë ndërbreznore: kur e shkuara e papërpunuar bëhet një hije që shoqëron të tashmen.

Pikërisht këtu hyn në lojë drejtësia riparuese.
Drejtësia riparuese nuk është thjesht dënim i fajtorëve. Ajo është më shumë se kaq: është dëgjim, njohje, rikthim dinjiteti.

Ajo i jep zë atyre që u heshtën, dhe i thotë shoqërisë: ‘Kjo dhimbje ka ekzistuar. Kjo histori është e jona. Këto plagë na përkasin të gjithëve.’

Shëndeti mendor i të persekutuarve është i lidhur ngushtë me këtë proces.
Njerëzit që kanë kaluar trauma të rënda nuk shërohen vetëm me kalimin e kohës.
Ata kanë nevojë që dhimbja e tyre të njihet, të besohet, të dëgjohet.

Sepse kur shoqëria e mohon ose e harron, trauma bëhet më e rëndë se vetë përjetimi.
Kujtesa kolektive është, në këtë kuptim, një formë terapie.

Kur dëgjojmë historitë e të mbijetuarve, kur ndërtojmë memoriale, kur i mësojmë fëmijët tanë për të kaluarën, ne nuk po hapim plagë por ne po i ndihmojmë ato të mbyllen me dinjitet.
Kujtesa nuk është hakmarrje; është shërim.
Por kur kujtesa mungon, kur drejtësia riparuese nuk merr vendin që i takon, plagët nuk zhduken.
Ato shfaqen në mënyra të tjera: në mungesën e besimit mes njëri tjetrit, në ndarjet e thella shoqërore, në ndjenjën e pashpresë se e shkuara nuk ndryshon kurrë.
Është si një plagë e pashëruar që vazhdon të ndikojë trupin edhe shumë vite më pas.
Nëse nuk kujtojmë, rrezikojmë të përsërisim. Nëse nuk kujdesemi për plagët e së kaluarës, ato vazhdojnë të helmojnë të tashmen.

Por kur kujtojmë me dinjitet, kur dëgjojmë me respekt, kur japim hapësirë për rrëfim e drejtësi, kujtesa bëhet mjet shërimi.

Drejtësia riparuese është rruga që na mëson se historia nuk është vetëm një libër i mbyllur, por një proces i vazhdueshëm.

Ajo na kujton se e kaluara mund të mbetet e rëndë, por e tashmja ka fuqinë ta shndërrojë atë në mësim dhe në forcë.

Për të mbijetuarit e kampeve të internimit, për familjet e tyre dhe për shoqërinë tonë, mesazhi është i qartë: Ne nuk mund ta ndryshojmë të shkuarën.

Por mund të zgjedhim si ta kujtojmë atë. Dhe në këtë kujtesë, mund të gjejmë jo vetëm dhimbjen, por edhe shërimin.

Kujtesa është mjeti më i fortë i drejtësisë riparuese. Sepse kujtesa që shëron nuk i përket vetëm atyre që kanë vuajtur por ajo na përket të gjithëve.
Le të kujtojmë, për të shëruar.”

Lini një Përgjigje