Kur ndërtohej Shtëpia Muze e Sterjo Spasses

14 Gusht 2025, 12:46Kulturë TEMA
Kur ndërtohej Shtëpia Muze e Sterjo Spasses

Dr Dorian Koçi


=======================

Në Gollomboç, mes gjelbërimit të kodrave dhe kaltërsisë së liqenit, qëndron sot një shtëpi që nuk është thjesht mure e çati. Ajo është një hapësirë kujtese, një vend ku koha ndalon për t’i dhënë vizitorit mundësinë të takohet me një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë moderne shqiptare: Sterjo Spassen.

Në 110-vjetorin e lindjes së tij, kjo shtëpi u shndërrua në muze falë një projekti europian ndërkufitar midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ky projekt nuk kishte vetëm qëllimin e restaurimit të një ndërtese, por edhe atë të ringjalljes së kujtesës së një autori që me veprën e tij pasqyroi drama të mëdha njerëzore, dilema morale dhe tensionet e shoqërisë shqiptare në kalimin nga tradita në modernitet.

Pas ftesës së mikut tim, Gjergji Koki, drejtorit të atërhershëm të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore të Korçës , pata kënaqësinë të kontribuoja në procesin e muzealizimit të godinës. Kjo punë përfshinte hartimin e linjës muzeale, përcaktimin e rrëfimit historiko-letrar dhe interpretimin e objekteve materiale që lidhen drejtpërdrejt me jetën dhe krijimtarinë e Spasses. Çdo objekt – nga dorëshkrimet e verdha, librat e botuar në periudha të ndryshme, mjetet e shkrimit, mobiliet e vjetra, deri te dokumentet personale – u trajtua si dëshmi e një procesi të gjatë krijues, një “laboratori” ku fjala merrte formë e bëhej letërsi.

Sterjo Spasse (1914–1989) është autor i disa prej romaneve më të njohura të letërsisë shqipe, si "Pse?!", "Afërdita", "Zjarre" dhe "Ata nuk ishin vetëm" Vepra e tij shquhet për analizën psikologjike të personazheve, për mënyrën realiste të paraqitjes së jetës në fshatin shqiptar dhe për aftësinë e rrallë të ndërthurjes së elementeve shoqërore, politike e filozofike. Ai ishte një shkrimtar që nuk u kufizua brenda skemave të kohës, por kërkoi gjithnjë të shihte njeriun në gjithë kompleksitetin e tij moral.

Një vend të veçantë në muze zë edhe Cikli “Rilindasit”, një ndërmarrje e madhe krijuese e Spasses, ku ai solli në letër figurat emblemë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Përmes këtij cikli, Spasse nuk u mjaftua të përshkruante ngjarjet e Rilindjes, por kërkoi të depërtonte në botën shpirtërore dhe mendore të atyre burrave që mbollën farën e lirisë dhe të ndërgjegjes kombëtare. Në linjën muzeale, ky cikël paraqitet si urë lidhëse mes misionit historik të rilindësve dhe vizionit të autorit për një shoqëri shqiptare të vetëdijshme për rrënjët e saj. Dokumente, kopje librash, shënime dhe fragmente të dorëshkrimeve e bëjnë këtë pjesë të ekspozitës një pikë të fortë të rrëfimit, ku historia kombëtare dhe letërsia bashkohen natyrshëm.

Shtëpia muze është konceptuar në mënyrë që vizitori të përjetojë një udhëtim emocional e intelektual: nga mjediset e fëmijërisë në Gollomboç, te rrugëtimi i tij arsimor dhe letrar, nga ndikimet e hershme në krijimtari, te veprat e pjekurisë artistike. Atmosfera është ruajtur sa më autentike, në mënyrë që vizitori të ndiejë se ndodhet në të njëjtin ambient ku shkrimtari hidhte në letër fjalitë e para të romaneve që më vonë do të bëheshin pjesë e kanonit letrar shqiptar.

Ky muze nuk është vetëm një hapësirë ekspozimi, por edhe një vend studimi e reflektimi. Ai ofron një pikë takimi për studiues, lexues, studentë dhe vizitorë që duan të kuptojnë më mirë jo vetëm jetën e një shkrimtari, por edhe kontekstin kulturor e historik të kohës së tij. Bashkëpunimi ndërkufitar që e bëri të mundur këtë projekt është një shembull frymëzues se si kultura dhe trashëgimia mund të bashkojnë njerëzit përtej kufijve politikë.

Uroj që iniciativa të tilla të shtohen, që shtëpitë e figurave të tjera të artit, letërsisë dhe kulturës shqiptare të muzealizohen, për t’i dhënë brezave të ardhshëm jo vetëm kujtime, por edhe frymëzim. Sepse një muze i tillë është më shumë se një vend ku ruhen sende – ai është një urë mes së shkuarës dhe së ardhmes, një testament që tregon se fjala e shkruar mund të mbijetojë mbi kohën, duke gjetur gjithmonë strehë në kujtesën e një kombi.

Lini një Përgjigje