“La Sylphide”, një nga kryeveprat e repertorit klasik botëror, ngjitet në skenën e TKOBAP-së më 3, 4 dhe 5 nëntor.
Baleti “La Sylphide” sjell një përplasje mes reales dhe ëndrrës, tokësores dhe shpirtërores, përmes finesës së artit të baletit.
Në Skocinë e vitit 1836, në një atmosferë të mbështjellë nga mjegulla dhe misteri, James, një djalë i ri skocez, është gati të martohet me Effie, por një krijesë nga pylli i shfaqet fillimisht në ëndërr dhe më pas në realitet, duke e magjepsur me bukurinë e saj.
I ndarë mes dashurisë tokësore dhe asaj qiellore, James-i e ndjek atë në pyll, duke braktisur Effie-n. Por dashuria për të pamundurën sjell tragjedinë: një shtrigë i jep James-it një shall të mallkuar që ai duhet ta mbajë pranë tij. Kur ai ia hedh shallin, ajo humbet krahët dhe shuhet në duart e James-it. Në fund, James mbetet vetëm dhe i lënduar, ndërsa Effie martohet me një djalosh tjetër.
“La Sylphide” është një balet klasik romantik, në dy akte. Koreografia origjinale, në vitin 1832 u bë nga Filippo Taglioni dhe 4 vjet më pas nga August Bournonville. /atsh/
Lini një Përgjigje