nga Dorian Koçi
====================================
Një reflektim mbi udhëtimet e Lord Byronit, Hobhouse-it, Edward Lear-it dhe mbi përjetësinë e Vjosës shqiptare
--------------------------------------------------------------------------------
Në kujtesën e Europës romantike, Shqipëria e shekullit XIX ruan një vend të veçantë. Ajo ishte misteri në zemër të kontinentit, një hapësirë e egër dhe krenare, ku udhëtarët, poetët dhe piktorët e epokës projektonin shpesh mallin e tyre për një botë të paprekur nga industrializimi dhe zbrazëtia morale e Perëndimit. Ndër të gjitha trevat që ndezën imagjinatën e tyre, Tepelena dhe lugina e Vjosës përfaqësonin ndoshta kulmin e këtij përjetimi estetik e shpirtëror.
Kur Lord Byron dhe John Cam Hobhouse kaluan nëpër Shqipëri në vitin 1809, qëndrimi në Tepelenë, në oborrin e Ali Pashë Tepelenës, ishte një moment i paharruar. Byroni, në poezinë “Childe Harold’s Pilgrimage”, i jep shqiptarëve përmasa heroike:
“Shqipëria, nëna e ashpër e burrave të rreptë”, duke vënë theksin mbi lirinë, krenarinë dhe dinjitetin e tyre të papërkulur. Ndërsa Hobhouse shkruan për madhështinë e kalasë së Tepelenës, për festat që i organizoheshin të huajve, për kostumet ngjyrëflakë, për burrat që vallëzonin me armë në brez dhe për skenat që atij i ngjanin legjendave homerike.
Tre dekada më pas, një tjetër udhëtar anglez, Edward Lear, kaloi nëpër të njëjtat vise. Ai na la një përshkrim të pavdekshëm përmes vizatimeve dhe shënimeve të tij udhëtimore, veçanërisht në librin “Journals of a Landscape Painter in Albania” (1851). I ndodhur në afërsi të Tepelenës, përballë majave të Trebeshinës dhe Hormovës, ai shkruan:
“Të dy lartoheshin qetësisht me nuanca vjollcë të ndezur nën majat e mbuluara nga dëbora vezulluese. Nën ta bashkimi i dy lumenjve të Vjosës dhe Bënçës, krijon kepin e Tepelenës, ku pallati me muret e rrënuara e xhamia me tone të argjendta i japin skenës… një aureolë të çuditshme romantizmi ëndërrimtar.”
Ky përshkrim, ndër më të fuqishmit e letërsisë romantike angleze mbi Shqipërinë, është një përjetim i thellë poetik dhe vizual i luginës së Vjosës, asaj rrjedhe të egër, që edhe sot mbetet një nga lumenjtë më të virgjër të Evropës.
Por ndryshe nga shumë peizazhe që romantizmi i shekullit XIX i bëri të pavdekshëm në letërsi por që u fshinë nga ndërhyrjet e shfrenuara të njeriut, Vjosa ka mbijetuar. Ajo vazhdon të rrjedhë e lirë, e paprekur, me të njëjtën vrull dhe shpirt si në kohën e Byronit dhe Lear-it.
Në vitin 2023, pas përpjekjesh të gjata të shoqërisë civile, ekspertëve dhe institucioneve ndërkombëtare, Lugina e Vjosës u shpall Park Kombëtar i Natyrës së Egër, ndër të parët në llojin e vet në Evropë, dhe më pas u përfshi në rrjetin e Trashëgimisë Natyrore të UNESCO-s. Ky akt është më shumë se një njohje administrative: është një rikthim i vlerës së peizazhit shqiptar në ndërgjegjen evropiane, një dëshmi që Vjosa nuk është vetëm një rrjedhë uji, por një lumë kujtese, një lumë kulture, një lumë historie.
Tepelena, me kalanë e saj të gurtë që ende qëndron si roje mbi bashkimin e lumenjve, është vetë zemra e kësaj magjie. Muret e saj pëshpërisin ende me zë të ulët për Ali Pashën, për kuvendet e dikurshme, për ushtritë e kaluara, për netët me hënë mbi Vjosë që ndriçonin dritaret e sarajeve. Dhe ajo “aureolë romantizmi ëndërrimtar”, që Lear pa në horizontin e vitit 1848, është ende aty për këdo që arrin të shohë përtej peizazhit: është ndjenja se kjo tokë nuk i përket vetëm së kaluarës, por është thirrje për ta mbrojtur në të tashmen dhe për t’ia dorëzuar të gjallë brezave që vijnë.
Magjia romantike e Tepelenës nuk qëndron vetëm në kujtimet që la pas Byroni, Hobhouse-i apo Lear-i, por në vazhdimësinë e saj si një hapësirë rezistence, kujtese dhe frymëzimi. Është vendi ku historia, natyra dhe kultura takohen me një dinjitet të rrallë — një Shqipëri e thellë, e lexuar me sy të huaj dhe e dashur me shpirt nga vetë bijtë e saj.
Në një botë ku peizazhet zhduken, lumenjtë transformohen dhe kujtimet treten, Tepelena dhe Vjosa mbeten të paprekura, të gjalla dhe të bukura, si vetë poezia që lindi prej tyre.
Lini një Përgjigje