"Klasikët n'Lissus" në edicionin e 3-të, Memoriali i Gjergj Kastriotit në Lezhë kthehet në skenë artistike

12 Korrik 2025, 19:28Kulturë TEMA
"Klasikët n'Lissus" në edicionin e 3-të, Memoriali

Memoriali i Gjergj Kastriotit në Lezhë u shndërrua në skenë të rrallë artistike, ku muzika baroke e Jean-Marie Leclair u ndërthur me solemnitetin e historisë kombëtare, transmeton rtsh.

Nën interpretimin e violinistëve Melisa Figuri dhe Fabio Markolaj, publiku përjetoi një udhëtim përmes tingujve të shekujve dhe emocioneve të gjalla, transmeton rtsh.

Ky koncert shënoi edicionin e tretë të ciklit “Klasikët n’Lissus”, një iniciativë kulturore që synon të sjellë muzikën klasike në hapësira historike dhe të kthejë Lezhën në një pikë referimi për evente të këtij lloji.

Ishte shumë eksperiencë e bukur, sepse ky është një vend historik dhe muzika baroke është e vjetër,” tha violinisti Markolaj.

Leclair si kompozitor është njeri barok, por brenda muzikës së tij ka edhe rok. Ky vend ishte i përshtatshëm, sepse mund të jetë një nga koncertet e para që është bërë këtu dhe mendoj që të gjithë duhet ta vlerësojmë,” u shpreh violinistja Figuri.

Të pranishmit e përshkruan koncertin si një freski kulturore në mes të sezonit veror, teksa arti dhe traditat u përzien me tingujt klasikë.

“Klasikët n’Lissus” po konsolidohet si një traditë e re që afron publikun me muzikën klasike dhe promovon artistët lokalë.

Lini një Përgjigje