Librat e verës - Rritet numri i shitjeve, preferohet letërsia e huaj

12 Korrik 2025, 18:27Kulturë TEMA
Librat e verës - Rritet numri i shitjeve, preferohet letërsia e huaj

Vera është zakonisht stina kur lexohen më shumë libra, edhe sepse njerëzit pushojnë e kanë më shumë kohë të lirë.

Po si kanë qenë shitjet e librave këtë verë dhe çfarë kanë preferuar më tepër shqiptarët?

Librarët tregojnë se numri i shitjeve, është rritur në krahasim me një vit më parë, pasi është rritur shumë interesi i lexuesve për librin. Duke qenë se jemi edhe në stinën e verës, kryesisht është tërhequr më shumë libri artistik, si më i lehti dhe më çlodhësi, pasi në sezon pushimesh preferohet diçka më qetësuese sesa librat impenjues në të lexuar, transmeton rtsh.

Më tepër letërsia e huaj sesa ajo shqiptare, duke parë se ka edhe prurje më të mëdha.

Kemi pasur një rritje në botime, por edhe një rritje të madhe në shitje, që përkthehet në lexues. Jemi të kënaqur që e kemi librarinë thuajse gjithmonë plot me njerëz. Kryesisht verës, njerëzit kanë tendencën për të lexuar libra më të lehtë, që të mos të japin një lloj impenjimi shumë të madh, për shkak se janë pushimet,” thotë një librar.

Interes ka pasur dhe letërsia për fëmijë në këtë sezon pushimesh, kur fëmijët janë vizitorët më të shpeshtë në librari.

Praktikisht i shohim fëmijët që vijnë që nga mosha 0 vjeç, domethënë që në lindje. Kemi nëna me fëmijë që vijnë dhe bëjnë një shëtitje. Duket sikur kjo gjëja i ngroh shumë. Neve na bën të ndihemi shumë mirë fakti që jemi gjithmonë të rrethuar nga lexues tmerrësisht shumë të vegjël,” shprehet librashitësi.

Me gjithë ndryshimet në trende apo shitje, libri duket se vijon të mbetet për shqiptarët një nga shoqëruesit më të mirë të verës.

Lini një Përgjigje