Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar sjell për publikun artdashës koncertin në vijim të stinës koncertore 2025.
Koncerti nën drejtimin e maestro Olsi Qinamit vjen me kompozitorët virtuozë, si Giacomo Puccini, Ludwig van Beethoven dhe Jean Sibelius.
“Është një koncert pak i veçantë, sepse kemi tre solistë. Do të interpretohet Tripli i Beethoven (koncert për violinë, piano dhe violonçel). Do të fillojë me intermexon Manon Lescaut nga Puccini, vazhdon me ‘La Suite Romana për Orkestër’ të kompozitorit Teodor Dore, pastaj do të bëjmë pak kontrast me Sibeliusin, ‘Valse triste’,” thotë maestro Qinami.
Ky koncert është i veçantë, pasi solistë do të jenë një trio: në piano, Aredion Lici; në violioçel, Idlir Shyti; dhe në violinë, Fiorela Asqeri.
“E përgatisin këtë koncert tre produkte të Liceut Artistik,” thotë pianisti Lici.
“Për mua është një koncert i veçantë, sepse po luaj për të tretën herë në vendin tim pas 18 vitesh që kam ikur nga Shqipëria,” shprehet violonçelisti Shyti.
“Është një emocion shumë i veçantë. Është hera e parë për mua, besoj edhe për çunat. Mezi presim të performojmë në datën 11,” tregon violinistja Asqeri.
Për të gjithë artdashësit, koncerti do të mbahet në datën 11 korrik në orën 19:00 në Qendrën Kulturore të Katedrales Ortodokse.
Lini një Përgjigje